Home Kulture “Liminal”, Margariti ndan përvojën kreative dhe profesionale

“Liminal”, Margariti ndan përvojën kreative dhe profesionale

Tema globale e “CreativeMornings” për nëntorin është “Liminal”, ku mbi 220 qytete që aplikojnë në këtë projekt diskutojnë të njëjtin koncept në të njëjtën kohë.

Në Tiranë, “Creative Mornings” ka ftuar arkitekten dhe ministren e Kulturës, Elva Margaritin, e cila ndau sot në ambientet e ish-Piramidës me audiencën përvojën e saj kreative dhe profesionale rreth kësaj teme.

“I përkas një brezi që shkeli në adoleshencë në kapërcyell të dy sistemeve politike, duke rendur drejt kuptimit të vërtetë të fjalës liri, por duke marrë me vete gjurmët e një regjimi që do të na shënjonin përgjithmonë; rendëm drejt një tjetër lirie, në një vend tjetër, pa kthyer kokat pas, por duke marrë me vete si një koracë shpëtimi, shtëpinë, atdheun, mallin… Rendëm nga stacioni në stacion si vendkufijtë idealë drejt territoreve të reja; në zbulimin e vetvetes si njeri dhe profesionist, mes linjash dhe formash; në hapësirat ku mistikja dhe e prekshmja; jeta dhe përtej jeta humbasin konturet; në shtresëzime kulturash e mbivendosje arkitekturash, mishëruar në arkada, kolonada, kupola e afreske kishash e xhamish”, shprehet Margariti.
Ministrja Margariti thekson se “jam një nga përfaqësuesit e brezit tim, që u ktheva sërish në vendlindje, pas 16 vitesh jetese në Itali, në vendin e bukurisë së përjetshme, dehjes së të cilës nuk i shpëton askush; me 16 vite eksperiencë jete; ish-emigrante, grua dhe nënë; që rigjeti tokën e premtuar në atdheun e vet, që e priti me sfida të pamenduara”.
Sot, vijon Margariti, jam duke shkelur në një tjetër terren, duke mbajtur mbi shpinë fitore të vogla profesionale e humbje të mëdha personale, me rrëzime e ngritje; me përgjegjësi të shtuara; me eksperienca që më kanë pasuruar; me miq të rinj në atdheun e “vjetër” dhe miq të vjetër që kam lënë pas në atdheun e ri.

Liminal është një hapësirë përmidis. Hapësira ku gjendesh prag diçkaje: mes asaj që ishte dhe asaj që do të jetë. I referohet vendeve fizike, si dhoma e pritjes në një klinikë dentare; i referohet edhe gjendjeve mendore, si momenti mes gjumit dhe zgjimit. Hapësirat liminale janë gjithashtu hapësira tranzicionale dhe transformative.