Home Bota Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit përplasen në sytë e “paqeruajtësit” Putin

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit përplasen në sytë e “paqeruajtësit” Putin

Liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë debatuan ashpër me njëri-tjetrin në sytë e Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili luan rolin e paqeruajtësit mes dy shteteve, që kontestojnë territorin e Nagorno-Karabakh.

Gjatë një takimi të enjten në Moskë, në kuadër të Këshillit Ekonomik Euroaziatik, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ngriti çështjen e korridorit Lachin, rrugës që lidh Armeninë me enklavën Nagorno-Karabakh, që ndodhet brenda territorit të Azerbajxhanit, por popullohet nga armenë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, aktivistë azerbajxhanas nisën të bllokonin rrugën, të cilën Pashinyan tha se duhet ta merrnin nën kontroll trupat paqeruajtëse ruse.

“Fatkeqësisht, Azerbajxhani ka bllokuar këtë korridor”, tha Pashinyan gjatë takimit. Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, iu përgjigj:

“Azerbajxhan nuk ka bllokuar asnjë korridor… Nuk është nevoja të përdoret kjo platformë për akuza të pabaza”.

Ata vijuan debatin e ashpër për disa minuta para se Putin të ndërhynte për të qetësuar situatën, duke vënë në dukje se çështja kishte ndjeshmëri të lartë.

“Do të kemi tani mundësinë, siç kemi rënë dakord, që të flasim për gjithçka me qetësi dhe në mënyrë praktike, në një format trepalësh dhe shpresoj që të arrijmë disa marrëveshje që do të vendosin situatën jo vetëm mes Armenisë e Azerbajxhanit, por në të gjithë rajonin, në rrugën e zhvillimit të dobishëm. Mund t’iu siguroj që të gjithë këtu kanë interes për këtë, absolutisht të gjithë”.

Armenia dhe Azerbajxhani përplasen prej tri dekadash për krahinën në fjalë, shpesh përmes luftimeve të ashpra, që kanë shkaktuar viktima të shumtë. Në muajt e fundit, të dyja palët kanë shprehur vullnet për nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje, edhe pse shkëmbimet e zjarrit vijojnë.

Disa ditë më parë, mediat ruse dhe armene, cituan kryeministrin Pashinyan të thoshte se ishte gati të njihte enklavën e Nagorno-Karabakut, si pjesë të Azerbajxhanit nëse Baku garanton sigurinë e popullsisë së saj etnike armene.

Previous articleE ardhmja e Zinedin Zidane? “Ai nuk është i gatshëm të pranojë gjithçka”…
Next articleTrafikantët e klandestinëve në Morinë, Policia e Kosovës: U gjuajt nga 50 metra largësi, një i shpallur në kërkim me precedent penal