Home Letersi “Libri i sinopseve” i Moikom Zeqos, ankthi i ekzistencës

“Libri i sinopseve” i Moikom Zeqos, ankthi i ekzistencës

kopertinaNga Fatmir Minguli / Libri më i ri i Moikom Zeqos “Libri i Sinopseve” (EUGEN, 2012) plotëson disi ndryshe koleksionin e librave të tij me proza të shkurtra. Është sërish një sfidë e radhës dhe ndoshta vepra më e arrirë dhe më e rëndësishme e këtij autori befasues. Libri mozaikon 125 sinopse të shkruara në harkun kohor 1979-2009. Në parafjalë shkrimtari nënvizon: “nuk e di se kush e ka thënë idenë tunduese se dorëshkrimet janë të plleshme pafundësisht. Çdo shkronjë mund të jetë një amebë, qenie fillestare e gjallë, për të krijuar të gjitha qeniet e mëdha dhe të ndërlikuara më pas. Dorëshkrimet, duke qenë në dukje, grafikisht të kufizuara, për çudi nuk janë të tilla, sepse prej tyre lindin papushim, në mënyrë të pandalshme dorëshkrime të tjera, që tejkalojnë identitetin e dorëshkrimeve më të hershme. Ose mund të ndodhë edhe e kundërta, që dorëshkrimet më të vona, duke u kthyer mbrapsht në kohë, të shtojnë fertilitetin dhe kuptimshmërinë e dorëshkrimeve më të hershme. Kjo është një dialektikë mendore”. Duke e rilexuar me kujdes “Librin e Sinopseve” mendoj se vështirësia e interpretimit zbërthyes bëhet nëpërmjet disa problematikave substanciale. Për mendimin tim këto problematika fokusohen në vetë zhanrin e sinopsit, në idenë e subjektit me një shumësi variantesh, pra jo thjesht një variant, në hibridizimin e rrëfimit me historinë, letraren dhe filozofiken, me strukturat rrëfimore të zhdërvjellta përherë të pambaruara por njëkohësisht përherë potencialisht të vijueshme, me alternimin e temave shkrimore me konotacione shqiptare dhe universale, me konceptin e kohës, përtej çdo metafizike, aq sa mund të thuhet se koha paraqitet realisht si kryepersonazhi i patjetërsueshëm i librit. Një libër i këtillë, në dukje i vështirë për shkak të shumëkuptimshmërisë ka edhe një forcë të parezistueshme grishjeje dhe zotërimi të vëmendjes. Përshtypja fillestare kur njihesh me “Librin e Sinopseve” është se në të vërtetë nuk kemi të bëjmë thjesht me një libër, por me një koleksion librash embrionalë. Ideja e sinopsit të përfton kështu mendimin se në çdo sinops hetohet edhe një gjenezë për skenarë filmikë, sepse realisht dhe konkretisht tek “Libri i Sinopseve” ka potencialisht shumë kinematografizëm. Nga ana psikologjike sinopsi sipas Moikom Zeqos nuk është thjesht sinopsi si abstrakt, si nxitim për të shënuar disa mendime që në të ardhmen t’i kthesh në roman… Sinopsi sipas Moikomit është një apo më shumë shprehje të gjendjeve të caktuara të shpirtit të tij. Përveç se është një formë e re e caktuar letrare ajo del jashtë ngurtësisë së objektit dhe kthehet në një organizëm të gjallë. Sinopsi është ambiguiteti i shkrimtarit. Është komenti që ai vendos apo nuk vendos t’i shkruajë e pastaj gjen një zgjidhje momentale, një situatë oportune dhe shkruan vetëm disa rreshta, disa mendime të shpejta me nxitimin e asaj që do të kapë e të mos i ikin. E lënë si një bimë “in vitro”, harrohet diku në një qoshe të dhomave të mendjes e diku në mes faqesh dorëshkrimesh e letrash të tjera të zverdhura nga koha. Por sinopsi i Moikomit, duke qenë qenie e gjallë ndërkohë rritet e nxjerr filizat klorofiliane plot me gjethe të reja të fletëve të një tregimi të madh. Shkrimtari ka rënë në kurthin e sinopsit dhe kërkon të falur duke bërë një libër të ri, tashmë një kopsht i gjelbër i një letërsie të re. Në “Librin e Sinopseve” gjejmë si gjithmonë te librat e Moikom Zeqos, “kundërshtimet e vetvetes” që nuk është gjë tjetër veçse aplikimi i stilit alternativ, në një farë mënyre do ta quaja post-konvencional në shkrimin e prozës së shkurtër. Një studiues kritik por dhe një lexues i zakonshëm do gjejë në këtë libër sinopse të shkurtra që përbëjnë shumicën e subjekteve, por do gjejë dhe pjesë të gjata që dhe ato të kërshërojnë me megasinopsin apo multisinopsin brenda tyre. Kemi të bëjmë me një dinakëri të autorit apo me një elasticitet të një sinopsi të ri, në paraqitje, përmbajtje dhe kuptim letraresk? Qoftë dinakëria, qoftë elasticiteti na çojnë në prodhimin e një forme të re të prozës së shkurtër. Ndryshe, kemi të bëjmë me një magmë eseje, sinopsi, tregimi të shkurtër (ose të gjatë), e lexuesi papritmas njihet me një novitet letrar të pandeshur më parë. Le të shohim dy sinopse që “kundërshtojnë” njëri-tjetrin e që janë “Fytyra” me dy faqe libër e që është uvertura e tërë librit dhe tregimin sinops të gjatë, “Hadi ndryshe” me rreth 30 faqe. Janë sinopse të bukur me origjinalitet të personalizuar si në dy faqe ashtu dhe në 30 faqet e subjektit të gjatë. Tek shkruaj këto radhë më kujtohen përsiatjet e para të Moikom Zeqos për veprat pindarike, ku lëkundjet marrin karaktere sa filozofike, aq të teknikës së shkrimit dhe po aq të guximit “pa fre” në botën e letërsisë. Te “Fytyra” flitet për një ngjarje të Luftës Nacionalçlirimtare e për dëshmorin Manush A. Lexuesi nuk gjen aspak heroizmin e zakonshëm që shkrimtarët, edhe sot, u veshin epikisht personazheve të vërtetë apo të krijuar. Moikomi me anë të një grotesku të tipit kafkian na jep dy sinopse brenda një sinopsi, ku tentohet ndryshimi i fytyrës me operacion plastik të heroit. Guximi krijues i autorit e jep në dy pamje këtë shpërfytyrim duke e bërë lexuesin vetëm të pyesë e të habitet. Në fund të shkrimit heroi del tejet madhështor jo për shkak të groteskut, por të kthjelltësisë kompozuese të subjektit të paramenduar nga autori drejt qëllimit final. Ndërsa tek “Hadi ndryshe” midis personazheve të vdekur, të legjendave shqiptare, të motiveve popullore shqiptare, të historisë botërore dalin koncepte të forta filozofike mbi jetën e gjallë.Dhe ja si fillon multisinopsi:«Sinops romani: rikonceptimi i Hadit. Një Had i tjetërfartë. Jo Hadi i kryeveprave letrare të njerëzimit. As i feve. Një tjetërsim i Hadit të njohur. Një kundërHad. Një sfidë konceptimi. Sinopsi i fragmentuar i një romani që në substancë nuk mund të shkruhet dot”. Ç’do të thotë autori me këto radhë? Ka blasfemi? Ka përjashtim nga rregulli i rendeve kushdo qofshin? Zor që të japësh një përgjigje të saktë! Por duke lexuar faqet njëra pas tjetrës kupton që përgjigjen e gjen nëpër to. Kështu Konstandin K. nuk e mban dot premtimin ndaj nënës se do ta sillte të motrën edhe po të vdiste, sepse ringjallja nuk ka kuptimin e miratuar në konceptin kohor, apo Makabe Zaharia ngatërrohet në konceptimin e saktë të teorisë së letërsisë së sotme, dhe Ukbar T. jeton midis dy sistemeve politikë që ndryshuan dhe ai nuk i takon asnjë sistemi. Mendimi im shkon dhe për nga një objektiv i fshehtë që Moikom Zeqo e synon pa e treguar, atë të fatit të letërsisë në kohën e sotme. Dashje apo pa dashje, veçse me bindje të plotë ai i jep një përgjigje kritikut George Steiner të ditëve tona në artikullin e tij “Vdekja e Muzave”, ku sheh një zvetënim të letërsisë krahasuar me sukseset e shkencës dhe teknologjisë. Makabe Zaharia pohon:”… megjithatë, nuk besonte se letërsia mund të shpërbëhet, se roli i shkrimtarit është thjesht ai i kataloguesit të absurditetit. Ai priret nga humanizmi i shekujve. Për ta ringjallur atë humanizëm”. Jo pa qëllim lind personazhi simpatik i të diturit Ukbar T., personazh kafkian që me nota të një stili modern sillet disi çuditshëm me ngjarjet që ndodhin për rreth tij, por që ai i konverton me koefiçentin e diturisë. Kështu, personazhet të largët në kohë vinë e bashkohen në optikat konverguese të shkrimtarit në një pikë të vetme. Krijohet një kohë tjetër, fizikisht e papërcaktuar por gjithsesi dominante në mendimet e personazheve, mendime që përcillen këndshëm tek lexuesi e duke devijuar drejtime e rryma të njohura deri më sot. Ndryshe, pra është ky tregim e ashtu si tregimi “Fytyra”, koncepton alternativat jo si hobi por si domosdoshmëri e vazhdimit të jetës drejt vertikales. “Libri i Sinopseve” është unikal. Në letrat shqipe nuk është botuar asnjë libër i këtillë dhe i ngjashëm. Subjektet vetë mëtojnë të jenë të pangjashme. Tek sinopse të pazakontë si “Vrasësi i dhëmbëve prej floriri”, “Njeriu i ëndrrave”, “Ungjilli i Kolodit”, “Magjistarët”, “Prifti i Isisës”, “Ëndrra e Paul Emilit”, “Kali i Kaligulës”, “Estetika e Xhingis Khanit”, “Gjumi i Konstandinit të Madh”, “Jeta e ndërlikuar e Makabe Zaharisë”, “Libri i Thotit”, “Filip Fluturuesi”, “Sizifi dhe Krishti”, “Zezaku i Libohovës” etj., Moikomi befasinë e subjektit e virtualizon me imazhe dhe ndjeshmëri të hollë intelektuale. Tek sinopsi “Dy personazhe në një” flet për perandorin romak Trojanin, me dy identitete, në fillim si persekutues i të krishterëve dhe më pas si apologjet i krishterimit. Personazh evolues, ciklik, ndryshe nga tipologjia e personazheve letrarë në përgjithësi. Harold Bloom-i ka shkruar: “Prozat e shkurtra si gjini anojnë nga e pathana, ato e ngucin lexuesin të jetë aktiv, në mënyrë të tillë që të arrijë vetë në shpjegime që autori vetë i shmang. Lexuesit duhet të dëgjojnë me “veshin e brendshëm” pra, të nisin të dëgjojnë edhe ato që personazhet nuk arrijnë t’i artikulojnë me fjalë, t’i shohin ato që personazhet sikur të ishin krijesat e tyre dhe të mendojnë e të përpiqen të gjejnë nëntekstet, çfarë fshihet pas frazave të thëna nga këto personazhe. Kjo mundësi e imagjinatës për të kaluarën, ose për të ardhmen e një personazhi, për të fantazuar vetë në bazë të shtysave që jep proza e shkurtër, nuk jepet dot në gjininë e romanit, ku çdo gjë është e parashikuar dhe e plotësuar me informacion.” Pikërisht në këto koordinata janë sinopset e Moikomit. Tipike është sinopsi “Personazhet A, B dhe C”, ku personazhi A rikthimin në të kaluarën e quan të ardhme dhe jo lëvizjen e kohës pas të kaluarës, Personazhi B është ai i të jetuarit në disa botë, hapësira dhe kohë të ndryshme njëherësh dhe Personazhi C, berklian e krijon vetë botën nëpërmjet shqisave të tij, kështu ai ndodhet në skenën e autodofesë së djegies së Zhan D’Arkës dhe kur xhelati ofrohet me pishtar në dorë për t’i vënë flakën turrës së druve Personazhi C mbyll sytë, skena ndërpritet dhe fakti i djegies së Zhan D’Arkës bëhet absolutisht i paqenë. Dhe autori shënon: “Nëse letërsia nuk e ka ende këtë hero të jashtëzakonshëm, kjo vjen nga vetë mangësitë rudimentare të vetë letërsisë. Është më i saktë mendimi se, nuk është letërsia që i shpik heronjtë e saj, por janë heronjtë që e shpikin letërsinë, sidomos atë të së ardhmes.” Moikomi tërhiqet shumë mbas temave të Bizantit. Kjo duket tek sinopset “Endokria e Bizantit”, “Mihal Apostoli”, “Njëqind kokat”, “Bisedë plot herezi” “Ipati, perandori pesëditësh i Bizantit”, “Tubëzat prej papirusi” “Murgjit alfabetikë”, “Ekstathi i Durrësit”, “Murgu Teodor”, “Psalmi 28” etj. Autori gjen kështu minierën e artë, çel Suzamin e mbyllur të shekujve perandorakë bizantinë. Gjithashtu autori përdor teknologjinë shkrimtare të çmitizimit të miteve të mëdhenj arketipalë tek “Centauri”, “Njeriu i ëndrrave”, “Një roman përrallë”, “Mark Park Sopatri”, “Pëlhura e Penelopës”, “Kali i Kaligulës”, “Delet e Diellit”, “Vetëvrasja e Brienit”. Por edhe nga mistika e madhe gnostike e Lindjes Moikomi poetizon alegorisht subjekte të tilla si “Ismail Saferi, princi i shiitëve”, “Admirali Gedik”, “Princesha Rugina”, “Dy strategët”, “Njerëzit me fytyra kafshësh”, “Mensur Hallaçi”, “Shemsi Tabrizi”. Qytetërimet, fetë e mëdha gjuhët e vdekura dhe të gjalla kthehen në laboratorin e krijimit moikomian. Në sinopsin “Në kafenenë në “Serapis”” dialogët e imagjinuar të Faik Konicës me Gijom Apolinerin janë fantazmagorikë, tek “Dandoni pesëqind vjeç” flitet për një burrë ilir me moshë mbi pesë shekujsh, tek “Djalli” jepet debati i peshkopit të përkorë Xhorxh Berkli me Djallin që beson një filozofi krejt të ndryshme”, tek “Ungjilli sipas Judës” jepet një variant krejt i ri dhe ndryshe i Krishterimit, tek “Letra e shkruar me gjakun e lakuriqit të natës” përshkruhet në mënyrë groteske takimi i një emigranti shqiptar me vetë Jorge Luis Borgesin në Buenos Aires të Argjentinës, tek “Perseu dhe mosbesimi” heroi mitik Perseu intervistohet nga gazetarët e mediave botërore dhe kur ata nuk i besojnë fjalëve të tij, Perseu nxjerr kokën e Meduzës dhe i nguros në vend që të gjithë mosbesuesit delirantë. “Libri i Sinopseve” mbyllet me “Avatar”, të idesë hinduse për zbritjen e Zotit në tokë në forma njerëzore, ose në format e zogjve, gjarpërinjve, peshqve, të kafshëve reale dhe të imagjinuara. Kjo ide e transformimit të pafund përbën sekretin konceptual të krijimtarisë shumëdimensionale të Moikom Zeqos. Por “Libri i Sinopseve” është ankthi përvëlues dhe filozofik i ekzistencës. Me këtë libër të rrallë autori ngjitet në kuota të reja të letërsisë në përgjithësi.

Previous articleMancaku: Teuta do të vazhdojë të jetë në vendet e kreut në kampionat
Next articleQeveria e Kosovës pranon se do të flasë për veriun