Home Politike Legjitimiteti i Kuvendit të PD me firmat e paverifikuara

Legjitimiteti i Kuvendit të PD me firmat e paverifikuara

Hyrja në debatin e formularëve ishte një kurth që Berisha dhe mbështetësit e tij duhet t’ja kishin shmangur vetes që në momentin e parë. Efekti i Foltoreve kishte krijuar një pritshmëri krejt tjetër nga mbyllja pa ceremoni e firmave në sirtarin e Edi Palokës, në një zyrë ku ka akses vetëm ai. Dorëzimi i firmave pas 15 foltoreve, pritej si një ultimatum ceremonial që u çohet zyrtarisht atyre që nuk e duan betejën, si një shpallje lufte pa befasi, me luajalitetin e më të fortit, si një thirrje për t’u dorëzuar përpara rrethimit, e ngjashme me atë të Sulltan Mehmetit për Konstantine Paeologun, përpara pushtimit të Kostandinopojës.

Në fakt nuk pati asgjë të ngjashme, por një ceremoni të depozitimit në zyrën e vetme të PD-së që nuk kontrollohet nga Lulzim Basha. Një show mediatik i ngjashëm me atë të dorëzimit të provave për “masakrën elektorale” në KQZ nga stafi i Partisë Demokratike. Nëse rezultatin në KQZ e dinë të gjithë, për Kuvendin debati është bërë më i ashpër që nga dorëzimi i firmave. Duhet të kishte efektin e kundërt, por edhe ata, që, nisur nga entuziazmi për Berishën në rrethe, menduan se rënia e Bashës do të ishte formalitet, nuk mundën ta mbështesin këtë, pas dorëzimin të firmave si një mbledhje e paautorizuar brenda selisë.

Dyshimet lindën përpara se Gazment Bardhi të deklaronte se ai e dinte më parë, se kishte informacion, për shkak të detyrës, që nuk janë mbledhur as një e katërta e firmave. Gjuha e Sekretarit të Përgjithshëm për herë të parë u lirua ashpër kundër Berishës, trimërimi i zyrtarëve të PD-së shpërtheu ekraneve. Aq sa sot Lulzim Basha, e deklaroi liderin historik, puçist që punon me Edi Ramën kundër PD-së.

Është e qartë se mënyra e zgjedhur për dorëzimin e firmave, prodhoi një reagim kundër ose dyshues. Ishte një gabim që vuri në dyshim fuqinë e vërtetë të foltores, atë fuqi të heshtur, përtej pjesëmarrjes së militantëve nëpër takime, atë fuqi të heshtur që përkthehet në vota dhe në firma. Dhe, nëse deri dje, efekti i Berishës, brenda dhe jashtë PD-së ishte i padiskutueshëm, pas kësaj, siguria ia la vendin dyshimit.

Kuvendi nuk mund të zhvillohet pas verifikimin e firmave. Kjo vërtet nuk përcaktohet në Statut, por është aq e kuptueshme sa nuk ka pse të përcaktohet. Nëse thuhet se një e katërta mund ta mbledhë Kuvendin, kuptohet që kërkohet një verifikim, që nuk bëhet dot në Kuvend, sepse Kongresi nuk thirret për një të katërtën. Pra nuk mundet që dikush në PD, qoftë edhe Berisha, të bllofojë se ka 1900 fitrmat e 7600 delegatëve të Kuvend dhe ta thërrasë atë, sepse supozohet që thirrjes t’i përgjigjen të gjithë, jo si mbështetje për Berishën, por si respekt për statutin.

Një delegat i Kuvendit që nuk ka firmosur për mbledhjen, shkon aty në respekt të statutit dhe kur verifikohen firmëtarët mund të rezultojë që nuk është numri i mjaftueshëm. Çfarë ndodh pastaj? Rishpërndahen apo numërohen edhe ata që nuk kanë firmosur si pjesëmarrës në Kongresin e thirrur pa firma? Për t’u shmangur kjo paqartësi, që mund të sjellë abuzime nëse bëhet precedent, verifikimi i firmave është i dosmosdoshëm.

Statuti i PD-së nuk e përcakton se kush i verifikon firmat, është një Kushtetutë e pashoqëruar me ligje, si një trung pa degë. Nuk ka rregullore për secilin nen të statutit, sepse PD sot nuk ka konstituar as kryesinë. Lulzim Basha e ka shndërruar në një parti që ka më pak institucione se PD e Berishës, por edhe se PS e Ramës, madje edhe se konservatorët e Kujtim Gjuzit për të cilët nuk ka ende asnjë fakt që ekzistojnë.

Pretendimi i Gazment Bardhit se duhet t’i verifikojë ai, nuk mbështetet në Statut, sepse neni që ai përmend, flet për organizimin e PD-së, jo për rastin specifik, kur Kuvendi është kundër ekzekutivit të PD-së. Statuti parashikon 2 raste të mbledhjes së Kuvendit, i pari kur e thërret Kryetari, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, sipas radhës dhe i dyti kur e thërret një e katërta e anëtarësisë ose e delegatëve.

Rasti i dytë është parashikuar, kur anëtarësia ose delegatët janë kundër ekzekutivit të partisë, pra rasti kur ekzekutivi nuk ka dëshirë ta mbledhë Kuvendin, si rrjedhim nuk mund të jetë vendimmarrës. Ashtu siç tha Berisha në opinion, pro transparencës, kundër vendimmarrjes. Për t’u zbatuar transparenca, një kopje e formularëve duhet t’u dorëzohej atyre që nuke duan mbledhjen e Kuvendit, që legjitimiteti të mos jetë i cunguar. Ata duhet ta kenë mundësinë të verifikojnë dhe pastaj të zbatojnë vullnetin e 4200 firmëtarëve.

SOURCEdosja.al
Previous articleInertet derdhen në bregdetin e Vlorës! Masakër mjedisore në “kryeqytetin e turizmit” shqiptar (Foto-Video)
Next articleÇfarë ka ndodhur mes tyre? Mevlani sqaron për herë të parë sherrin me Sabianin