Home Politike Lefter Koka: Partia Socialiste shënjoi thellë jetën time

Lefter Koka: Partia Socialiste shënjoi thellë jetën time

Ish-ministri, aktualisht deputeti i LSI-së, Lefter Koka ka kujtuar sot fillesat e tij në politikë.

Nisur edhe nga 28 vjetori i themelimit të PS-së, që ishte ditën e djeshme, në një status në Facebook, Koka ka pohuar se fillimet e tij në politikë kanë qenë pikërisht me partinë Socialiste.

Kujtojmë, se deputeti i Durrësit Lefter Koka doli kundër vendimit të grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk pranoi djegien e mandatit.

Postimi i plotë

Në 28 vjetorin e Partisë Socialiste, nuk mund të mos kisha një moment reflektimi dhe kthim pas ndër vite, për të shprehur sot veç mirënjohje.

Kjo Parti shënjoi hyrjen time në politikë dhe kontributi në të shënjoi thellë jetën time. Pata fatin që për vite të tëra të bashkëpunoja ngushtë me njerëz intelektualë e vizionarë, të cilët lanë gjurmë të thella te unë dhe sot shpesh më shërbejnë si udhërrëfyes.

Nuk mund në këtë ditë të lë pa përmendur vitet më të paharrueshme të jetës sime, kur drejtoja Bashkinë Durrës. Ende sot ngelet një eksperiencë e vyer për mua, më e bukura pa asnjë dyshim, ku jo vetëm njoha qytetin tim ku u linda dhe u rrita, po i shërbeva përulësisht pa asnjë kusht bashkëqytetarëve të mi.

Gëzuar ditën tuaj , me besimin se Partia Socialiste e Shqipërisë do të vijojë të japë kontribut të vyer në rrugën e integrimit të vendit tonë.