Home Kosova LDK: Indiferenca e MKRS ndaj Majlinda Kelmendit, shumë shqetësuese

LDK: Indiferenca e MKRS ndaj Majlinda Kelmendit, shumë shqetësuese

largea_ldk-konf1361872050Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përcjellë me shqetësim të madh indiferencën e skajshme të Ministrisë së Kulturës ndaj kërkesave legjitime të një sportisteje me nam botëror, xhudistes Majlinda Kelmendi.
LDK-ja vlerëson se Kelmendi paraqet vlerë të pakontestueshme sportive dhe vlerë përfaqësuese të saj. Prandaj, largimi i saj drejt një vendi tjetër për ne nënkupton varfërim të Kosovës edhe për një nga ikonat përfaqësuese të saj.
Ne jemi të vetëdijshëm se një kastë politike e cila provoi që Kosovën ta zhveshte nga ikona e humanizmit, Nëna Tereze, pastaj nga ikona politike, dr. Rugova, me lehtësi mund të provojë ta zhveshë atë edhe nga ikona e saj sportive: xhudistja Kelmendi.
Ne i bëjmë thirrje Federatës së Xhudos të Kosovës, xhudistes Kelmendi dhe trajnerit Kuka që të mos heqin dorë nga vendi i tyre për shkak të ftohtësisë me të cilën kasta politike në krye të ministrisë po ua imponon largimin nga vendi. Vlerat e tyre janë vlera të vendit të tyre dhe identiteti sportiv i tyre po e ndihmon edhe identitetin politik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për këtë përfaqësim dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë, megjithë vështirësitë, që t’i shërbejnë atdheut të tyre.
LDK-ja vlerëson se sportet luftarake kanë qenë dhe mbeten mundësi e Kosovës për velra konkurruese në botë. Ne synojmë që t’i mobilizojmë federatat, Komitetin Olimpik të Kosovës, partnerët vendës e ndërkombëtarë që këtyre sporteve t’u rikthehet shkëlqimi i dikurshëm.
LDK-ja synon mbrojtjen e vlerave kulmore dhe, për rrjedhojë, do të bashkëpunojë me të gjitha palët për t’i promovuar vlerat përfaqësuese të saj.

Previous articleAsnjë parti nuk fiton shumicën në Itali
Next articlePritje të vogla nga takimi i fuqive botërore me Iranin