Home Kosova Kuvend, Thaçi: Deklaratat e Nikollicit, gënjeshtra të kulluara

Kuvend, Thaçi: Deklaratat e Nikollicit, gënjeshtra të kulluara

largea_thaci1363083224Qeveria e Kosovës pret sqarime nga Bashkimi Evropian në lidhje me deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, të bëra të hënën në Bruksel, sipas të cilit, zgjidhja për asociacionin e komunave serbe është arritur dhe se ajo nuk do të jetë në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Gjatë një raportimi para Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se deklarata e Nikolliqit është kontroverse dhe se pret që të dëgjojë edhe sqarimet e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Ai tha po ashtu se Nikolliq ka folur të pavërteta, pasi që Prishtina nuk ka lëshuar pe në lidhje me kompetencat e Asociacionit të komunave serbe.

“Ato janë deklarata të pavërteta, të papjekura politikisht dhe gënjeshtra të kulluara”, tha Thaçi.

Këto komente, Thaçi i bëri gjatë një raportimi para deputetëve në lidhje me takimin e tij të fundit me homologun serb, Ivica Daçiq, të mbajtur në Bruksel më 4 mars.

Kryeministri Thaçi përsëriti sërish se propozimi i Beogradit që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive e legjislative nuk do të pranohet.

“Kosova nuk do të ketë një Republikë Serbe përbrenda saj”, theksoi Thaçi ndërsa ka siguruar edhe njëherë deputetët se ky organ do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Po në funksion të procesit të bisedimeve me Serbinë, kryeministri Thaçi tha se baronesha Ashton do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, kur do t’i takojë edhe liderët e partive opozitare.

Ai u sugjeroi liderëve opozitarë që të marrin pjesë në takimin me Ashtonin në mënyrë që t’i adresojnë drejtpërdrejt shqetësimet e tyre eventuale.

Previous articleMinistri Agani po viziton Londrën
Next articleOsmani: Nuk donim të dëmtojmë çështjen shqiptare në Strugë