Ish- zv.minsitri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj është arrestuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve së bashku dhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, lidhur me koncesionin e sterilizimit të 8 vjetëve më parë.
Burimet bëjnë me dije se Klodian Rjepaj ka qenë në krye të komisionit të prokurorimit publik në shkurt të 2013 kur u hap gara për koncesionin prej 100 milionë eurosh. Lidhur me këtë dosje është marrë në pyetje dy herë Klodian Rjepaj, në cilësinë e ish zv.ministrit, si dhe janë pyetur nëtarët e koncesionit.
Rjepaj ka qenë zyrtari i parë që në 2016 u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për tre koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë
Prokuroria e Tiranës deklaroi atëherë se kontrata e sterilizimit nuk kishte elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh kur Nisma Thurrje që dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar.
Po kush është Klodian Rjepaj?
Në 2013, Pas shume vitesh pritjeje në opozitë që prej 2005-ës kur mori drejtimin e PS Edi Rama erdhi në pushtet falë aleancës me LSI dhe partitë e tjera të majta në qeverisjen e vendit.
Fitorja e koalicionit PS-LSI në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 zbriti nga pushteti Sali Berishën i cili më pas do të jepte dhe dorëheqjen. Edi Rama do të ishte kryeministër dhe Ilir Meta kryetar i Kuvendit
Qeveria u vendos të drejtohej në koalicion dhe veç 5 ministrave, LSI mori dhe 7 poste të zv/ministrave. Ndërkohë 9 zv.ministra vinin nga PS dhe 1 nga PBDNJ.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kishte 2 zv.ministra, përkatësisht ish-drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ekonomi, si dhe koordinatorin e Programit Kombëtar HIV/AIDS, Klodian Rjepaj.
Klodian Rjepaj ka mbajtur dhe postin e shefit të kabinetit të ish-ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, në 2009 – 2012, si dhe ka qenë kryetar i Komitetit Koordinues për luftën kundër HIV/AIDS dhe Tuberkulozit në Shqipëri.
Rjepaj qëndroi në detyrë deri në vitin 2017.
CV e Klodian Rjepajt
Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë për mjekësi të përgjithshme dhe më pas specializimin pasuniversitar në fushën e Shëndetit Publik.
Ka marrë titullin master shkencor pranë Fakultetit të Mjekësisë në fushën e Shëndetit Publik si dhe certifikatë master online në Universitetin e Manchesterit (UK). Aktualisht ka mbaruar procesin e doktoraturës në Shëndet Publik.
Në periudhën 1998 – 1999 ka punuar si mjek i përgjithshëm në 2 nga fshatrat e zonës malore në Vlorë. Në mars të 1999 ka punuar si mjek vullnetar në Kukës dhe Has në pikat kufitare në përgjigje të krizës së Kosovës, mjek i emergjencës mjekësore dhe udhëheqës i skuadrave mjekësore në rrethe të ndryshme të vendit në përgjigje të krizës kosovare.
Në vitet 1999 – 2001 ka qënë drejtor Mjekësor për shoqatën humanitare ndërkombëtare “International Medical Corps” (IMC), zyra e Shqipërisë. Në vitet 2002 – 2006 ka qënë Koordinator Kombëtar i Projektit të Shëndetit mendor në kuadrin e Paktit të Stabilitetit.
Rjepaj ka dhe eksperiencë ndërkombëtare si drejtor Mjekësor i shoqatës humanitare ndërkombëtare International Medical Corps (IMC) ne Moske, Rusi (2002).
Ka drejtuar Programin Kombëtar të HIV/AIDS/IST pranë Institutit të Shëndetit Publik si dhe koordinator i Fondit Global në luftën kundër HIV/AIDS në Shqipëri.
Në vitet 2009-2012 ka qënë drejtor Kabineti pranë Ministrisë së Shëndetësisë si dhe Kryetar i Komitetit Koordinues për luftën kundër HIV/AIDS dhe Tuberkulozit në Shqipëri.
Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh mirë gjuhën franceze dhe greke. (Shqiptarja.com)