Home Kosova Kurti: Kosova është më e pavarur se Serbia, sepse ajo varet nga...

Kurti: Kosova është më e pavarur se Serbia, sepse ajo varet nga Rusia. Beogradi të mendojë dy herë para se të veprojë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për CNN International me gazetaren Christiane Amanpour ka folur për gjendjen e sigurisë në Ballkan dhe raportet e brishta të Kosovës me Serbinë. Kurti nuk e ka mohuar mundësinë e një konflikti me Serbinë, siç ka thënë ato duke pasur parasysh lidhjet e ngushta serbo-ruse.

Kurti ka thënë se Beogradi ka lidhje shumëdimensionale me Kremlinin, që theksohen përmes bashkëpunimit ekonomik dhe atij ushtarak që ato kanë. Sipas tij, ky bashkëpunim i ngushtë rrezikon një vatër të re lufte pas atij në Ukrainë.

“Është e mundur sepse në Ballkan kemi regjimin e Kremlinit në Serbinë. Beogradi ka lidhje me Kremlinin përmes ekonomisë dhe ushtrisë. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka një zyrë në Zyrën e Mbrojtjes në Serbi. Shqipëria, Maqedonia dhe Malin e Zi  e njohin Kosovën, por jo edhe Serbia. Serbia s’i pranon as krimet e kryera në vitet ‘98-99, kur NATO intervenoi për të ndalur gjenocidin serb”, ka theksuar kryeministri i Kosovës, Albin  Kurti.

Kurti, duke cituar raportet e organizatës Freedom House, ka thënë se Serbia nuk është demokraci, por një regjim hibrid. Ai e ka paraqitur presidentin serb Aleksandër Vuçiç si një autokrat që vendos për çdo gjë në Serbi.

“Sipas Freedom House, Serbia është një regjim hibrid. Serbia është shfaqje e një njeriu. Nuk është demokraci. Presidenti vendos për çdo gjë atje”, ka thënë ai.

Ndërsa, akuzave të kryeministres serbe, Ana Bërnabiç  për mungesë demokracie në Kosovë dhe shtypje të të drejtave të serbëve në veri, Kurti i është përgjigjur duke thënë se kryeministrja serbë është lejuar për vizitë në Kosovë.

Sipas tij, ajo ka parë demokracinë në vend dhe ka theksuar se Kosova është më e pavarur se Serbia, meqë ajo është e varur nga Rusia.

“E kam lejuar Bërnabiçin që ta vizitojë veriun e Kosovës që ta shoh se sa demokratike është. Kosova është më e pavarur se Serbia, sepse Serbia është e varur nga Rusia”, ka theksuar Kurti.

“Beogradi dhe Kremlini duhet të mendojnë dy herë para se të veprojnë në Kosovë”, tha Kurti ndër të tjera.