Home Kosova “Kurti e ka degraduar pozicionin e Kosovës në raport me ShBA-në”

“Kurti e ka degraduar pozicionin e Kosovës në raport me ShBA-në”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kokëfortësinë e tij në dialog me Serbinë e ka degraduar pozicionin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me ShBA-në.

“Kurti me këtë negocim që e ka bërë për këto dy vite të qeverisjes së tij, me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë, e ka degraduar pozicionin e Kosovës edhe në raport me ndërkombëtarët, edhe në raport me Serbinë, e ka faktorizuar në mënyrë të jashtëzakonshme relacionin Serbi-Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe në mënyrë të paparë ndonjëherë e ka përshpejtuar themelimin e entitetit politik serb në Kosovë”, tha Molliqaj për Ekonomia Online.

Kreu i PSD-së ka theksuar se plani franko-gjerman është vetëm në favor të Serbisë dhe nuk duhet të pranohet nga Kosova, edhe nëse pranohet nga Kurti.

Sipas tij, ky plan i ka dy vlera, “të dyja në shërbim të Serbisë”.

“E para, pranimi i kornizës së dialogut që s’do ta kërkojë njohja, jo sot po as në të ardhmen, nga Serbia’ dhe e dyta zbatimi i Asociacionit. Çështjet e tjera janë periferike dhe të parëndësishme”, ka theksuar Molliqaj.

Tani, Molliqaj shpreh frikën se saga e dialogut do të vazhdojë edhe për shumë vite. Madje ai potencon se “Kosova nuk do ta fitojë as në të ardhmen njohjen nga Serbia”.

Molliqaj theksoi se PSD-ja e kishte parashikuar që sa kohë se qasja dhe kokëfortësia e Kurtit “kinse për ta ruajtur fytyrën para votuesve të vet” do të sillte këtë situatë shumë të disfavorshme për Kosovën.

Previous articleIsh-producenti i Hollywoodit dënohet me 16 vjet burg për përdhunim
Next articlePërplasja në Kroaci e autobusit nga Shqipëria, zbardhen detaje tronditëse, viktima një 41-vjeçar shqiptar, shoferi në gjendje të rëndë