Home Opinion Kur miresia merr peng dinjitetin

Kur miresia merr peng dinjitetin

1347108234-bashkim_hoxhaNga Bashkim Hoxha / Ne adresën time të facebook-ut një prej miqëve kishte sjellë një prej statuseve të hedhura së pari në faqen e një kandidati për deputet në qarkun e Elbasanit, tashmë të shpallur edhe nga Edi Rama publikisht. Ishte një grua e vjetër që qante në themelet e një shtëpie, dhe poshtë fotos dicitura ku thuhej se kjo nënë po qante nga gëzimi sepse tashmë do kishte një shtëpi të re, nënkuptuar se do ta kishte nga kandidati për deputet. Ndjesia  e parë që unë ndjeva kur pashë këtë fotografi, ishte se kjo grua nuk është vetëm e lumtur. Përkundrazi,  në foto m’u duk si e zënë peng nga mirësia që po i bëhej. Sipas formimit tim, mirësia është e vetmjaftueshme dhe quhet si e tillë, kur bëhet pa interes. Madje edhe në traditën e mirësisë nënvizohet se nuk është normale që të dihet mirëbërësi i dikujt, ndryshe ajo nuk quhet mirësi, por një allishverish, duke kërkuar dicka tjetër si këmbim. Bëje të mirën, hidhe në det, thotë një fjalë e urtë popullore. Bëje të mirën, e di Zoti, thuhet nga  mësimet e fesë. Unë nuk e njoh nënën në fjalë, por duke ditur mjaft histori të ngjashme, përpiqem te krijoj një histori që përsëritet vecanërisht në këto kohë të fushatave. Para meje shpaloset fati i një gruaje plakë të varëfër. E varfër ajo mund të ketë mbetur për shumë arësye, sepse nuk është marrë me allishverishe, sepse ndoshta bijtë e saj nuk ia thonë edhe shumë për punë, e varfër ajo mund të ketë mbetur edhe sepse hapsirat në një mënyrë apo tjetër ia kanë zaptuar ata që janë bërë të pasur në sytë e saj, në një kohë kur në start të gjithë të varfër kemi qënë. Por sidoqoftë, të jesh i varfër apo i pasur nuk është turp. Përballë saj janë kandidatët për deputetë, që nuk janë të varfër, ose sepse kanë punuar ndershmërisht, ose se kanë ditur të manvrojnë në biznese që të pasurojnë brenda natës, të venë gjoba, të përfitojnë nga lidhjet me klanet e qeverisë, ose sepse kanë zaptuar padrejtësisht hapsirat e të tjerëve, që prej kësaj kanë ngelur të varfër apo kushedi për cfarë. Nuk është kjo e rëndësishme: e rëndësishme është se tashmë kemi dy palë njerëz: të varfër me mjaft halle  dhe të pasur, që duan të hyjnë në parlament dhe u duhen edhe ca vota të këtyre të varfërve. Kandidatët për deputetët të gjithë palëve janë shpërndarë në terren, duke bërë kalkulimet e votave familje më familje, duke evidentuar problemet me të cilat përballen individët. Ndodhemi në një moment fatlumë kur sytë hidhen mbi të varfërit, por nuk dihet se sa do të zgjasë kjo vemendje dhe ndjeshmëri. Unë kam bindjen se ndonjë hall i tyre edhe mund të zgjidhet, por kjo nuk dëshmon aspak ashtu sic pretendohet se këta kandidatë po qajnë hallet e qytetarëve, apo se kanë ndjeshmërinë njerëzore sepse e dinë  mirë se  interesi e cvleftëson mirësinë.Ka plasur një dashuri e madhe për të thjeshtët e të varfërit  ne facebook-et e kandidatëve. Foto përqafimesh me njerëz të varfër, foto përqafimesh me njerëz me emër dhe mbiemër. O Zot, kjo, kjo është mrekulli, kjo është dashuria njerëzore që do të bënte më të ngrohtë dhe më të mirë jetën atyre njerëzve që as që e dinë se fotot e tyre qarkullojnë në internet si simbol i përkushtimit ndaj tyre të kandidatëve për deputetë që me votat e tyre presin të jenë të zgjedhur. Por si të gjitha mrekullitë edhe kjo mrekulli zgjat pak: sa një fushatë. Nuk kanë qënë më parë këto pamje. Nuk i kemi dëgjuar kandidatët e tanishëm, edhe kur kanë qënë figura publike të flasin për varfërinë. Nuk i kemi dëgjuar të flasin për halle njerëzore, jo me emër me mbiemër, por as në përgjithësi. I kemi parë shumë prej tyre të lidhur kokë e këmbë me interesat e karrierës, me proekupimin e tyre të ndershëm  apo të pandershëm për të bërë para për veten e tyre, dhe ja papritur i kemi përpara nesh: xhymertë plot virtyte të shpallur në rrjete sociale, që kontrollojnë liderët e partive për vënë notat e sjelljes.\Kjo ka të bëjë me atmosferën mashtruese të fushatave: ka një rrugë në Vrinë që u inaugurua para dy ditësh publikisht për herë të tretë si një mirësi për banorët e zonës, një rrugë Kavajë-Rogozhinë ka njohur të paktën nja pesë fushata që përmëndet si një nder që i bëhet qytetarëve nga qeveritë përkatëse, ka mjaft shembuj të ngjashëm kur mirësitë bëjnë presion për më shumë vota. Por kjo ka të bëjë edhe me vizionet e ngushta që shpalosin kandidatët në fushatë. Ata bëjnë shumë mirë që si njerëz me para ndihmojnë të varfërit, ndonse këtë për mendimin tim, duhet ta bëjnë jo publikisht, por e mira do të ishte që të na shpalosin një formim intelektual më të denjë, të na japin të kuptojnë se si deputetë nuk kanë për të bërë rrugë, ura, apo themele shtëpish, por do të miratojnë ligje që do të shtojnë apo paksojnë varfërinë e shqiptarëve dhe jo të një personi të vetëm me emër e mbiemër, që do ta vënë pastaj mbi themele të qajë nga gëzimi përpara aparatit.  Fokusimi publik në një cështje të vetme flet për profile të zbehta kandidatësh. Dhe për më tepër të kandidatëve që në këmbim të “mirësisë” të kërkojnë votën, por e sigurtë është që në këtë përfolje në rrjetet sociale të marrin edhe dinjitetin.

Previous article70 përqind e çamëve në Durrës kundër Shpëtim Idrizit.
Next articleDeputeteja Klodiana Spahiu: Rekordi i Berishës, edhe lista e borxheve në farmaci