Home Opinion KU ISHE TI OR VOC DIGJEJ SHQIPËRIA? PO TI OJ CUC?

KU ISHE TI OR VOC DIGJEJ SHQIPËRIA? PO TI OJ CUC?

Nga Abdurahim  Ashiku

Fjala është për Lulin dhe Monikën, “voc e cuc” Dibre që do ta mbrojnë me “trup” teatrin kur nuk mbrojtën as edhe me një fjalë të vetme shkatërrimin deri në “kuotën zero”, Shqipërinë.
Dhe jo vetëm për Ta…

Vonë u kujtuat, shumë vonë…
U kujtuat kur në mjekrën tuaj minjtë jo vetëm bënë rrugë e autostrada, por  vila e resorte…
Unë asokohe isha një gazetar në provincë që nuk praja së shkruari për atë që shkatërrohej e përçudnohej.
Monën e pata takuar kur si “dibrane” erdhi në Peshkopi si FRESH-tare…
Lulin nuk e kam takuar se asokohe nuk e dinte se është dibran…
Shkruaja për “komandantin” tënd  or Voc që në Blliçe të Dibrës jepte kushtrimin që pemëtoret e mëdha të Kastriotit të ktheheshin në kullota.
Kam në arkivin tim disa fotografi një ditë më pas, mollët e Kastriotit të prera e cungjet e pemëve si varre osmanlinjsh pas betejës në atë vend të Torviollit të Skënderbeut.
Kam edhe një fotografi të bllokut më të madh të arrave në Ballkan (mbjellë në vitin 1960, ndër të tjerë edhe nga piketimi im) prerë në rrëzë e drurët dërguar nuk e di se ku përtej detit…
Shkruaja për “Komandantin” tënd or mec që në Maqellarë bënte thirrje për shkatërrimin e objekteve social kulturore; çerdheve, kopshteve, vatrave të kulturës. E kam në kujtesë por edhe në arkivin tim fotografik pamjen e asaj masakre që do t’i dhimbte në palcë edhe tërmetit të 30 nëntorit 1967, më i madhi dhe më shkatërruesi për Dibrën.
Shkruaja për ndërmarrjen ushqimore të Peshkopisë që mblidhte dhe përpunonte mbi njëqind mijë kuintalë fruta e perime e punësonte në pikun e prodhimit dhe përpunimit tremijë qytetarë të Peshkopisë e të zonave përreth. E shkatërruan deri në themele ashtu siç shkatërruan edhe uzinën mekanike, fabrikën e përpunimit të qumështit me teknologjinë më moderne të kohës, ndërmarrjen e prodhimeve të ndryshme, parkun e mallrave, stallat e blegtorisë…
Shkruaja oj Cuc për një punonjës kulture në Zall-dardhë, Xhelal Çerpën, që i vuri gjoksin portës së shtëpisë së kulturës që të mos hynte “kuota zero” për ti vënë flakën pasurisë më të madhe folklorike të trevës më artdashëse të Dibrës, Dardhës me zë të madh në kulturën shqiptare.
Shkruaja për pallatin e kulturës të Lurës, fryt i djersës së popullit të saj, një më të bukurit në Shqipëri (dhe më të dhimbshmin në vlerën e ditës së punës) se si e prenë më mes e në themelet e tij ngritën një xhami a thua se në atë peizazh të virgjër e të lirë nuk kishte vend për themele të tjerë!
Shkruaja për shkatërrimin e minierës së Bulqizës që ndërtoi Shqipërinë…
Këto, strukur diku që të të mos u merrte rraxha, nuk i shihje oj Keçe edhe pse si FRESH-tare duhej të bërtisje sa të ngjireshe…
Edhe djegien e gazetës “Koha jonë”, monumentit më prestigjioz të fjalës së lirë shqiptare, nuk e patë ashtu siç nuk patë tërë Tiranën në shkatërrim  nga rrëza e Dajtit me kombinatin e auto traktorëve  e deri në kombinatin e tekstileve…
Nuk i patë as kinematë ikona historike të kryeqytetit (“17 Nëntori”, “Partizani”, “Republika”…) si binin si zogj të ngordhur nga acari i dimrit “demokratik”.
Nuk folët as kur u dhunuan, u vodhën, u shkatërruan objektet e kultit, kur ikonat e mjeshtërve të mëdhenj të artit e të kulturës shqiptare kaluan kufirin për tu shitur për një… televizor…
Nuk i thatë asnjë fjalë publike kryeministrit tuaj, doktor i shkencave, për të mbrojtur vlerat monumentale të kultit që as regjimi komunist nuk i preku.
Nuk e patë as “96-tën kur u përgjak sheshi “Skënderbej”, as kur piramidat lulëzuan në bekimin edhe të votës tuaj, as “97-tën” kur në “shtetrrethim” u votua për Berishën president.
Nuk folët një fjalë të vetme kur u shkatërrua mbrojtja e vendit, kur shpërthyen depot e u rrëmbyen armët, djersë dhe gjak i tërë popullit.
Nuk e patë as se si u shkatërrua ikona e futbollit shqiptar, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Nuk nxorët nga gurmazi zërin në mbrojtje të tij…
Heshtët, heshtët, heshtët….
Rriteshit…
Si Mec…
Si Voc…
Si Cuc…
Si Keçe…
Gojë mbyllur, memecë…
Nuk u bëtë burrë…
Nuk u bëtë grua…
Ta thoshit fjalën në Kuvend Burrash…
Mbetët vxhenj të një kohe pa kokë…
Kërkoni me të gjitha mjetet e mënyrat (deri me vënie gjoksi para buldozerëve e greve urie) që Teatri Kombëtar, apo Teatri Popullor siç e keni njohur dhe jetuar, të mos shembet.
“Koha jonë” që i vutë flakën, çuditërisht, në tituj të mëdhenj e nëntituj kushtrimi sot shkruante…
Luli: “Do e mbrojmë Teatrin Kombëtar me trupin tonë”…
Mona: “Asnjë hap prapa, të mbrojmë teatrin nga hajdutët e qeverisë”.
Dhe në parlament: Unë do të jem në rresht të parë para ruspave të Edi Ramës”…
Edhe unë jam dakord që të mos shembet.
Kam qenë dakord me shkrim e fotografim që asgjë nga ato që u ndërtuan me djersën e gjakun e popullit të mos shembeshin, mos shkatërroheshin.
Fatkeqësisht ata që asokohe ngritën zërin që Shqipëria mos shkatërrohej u dhunuan, u burgosën, u syrgjynosën…
Midis tyre edhe unë…
Më gjakosën, më kërcënuan me jetën, arritën deri atje sa të tentonin të më rrëmbenin evlatët me armën “O mbyll gojën, ose të rrëmbejmë fëmijët”.
Ika syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur…
Syrgjyn jam tash 22 vjet, e me sa duket i tillë do të jem derisa të iki nga kjo botë.
Syrgjyn, sepse në mjekrën tuaj të politikanit me “shatë në krah” tash mijtë  kanë bërë jo thjesht fole por qarkullojnë nëpër të me makina luksoze drejt vilash që si ka bota…
Në trevën ku u rrita ka një mesele….
“… Moti, në një krahinë kishte ra murtaja.
Një njeri lutej që mos të binte në katundin e vet.
Kur ra iu lut Zotit ta mbante larg mëhallës.
Kur edhe atje ra tha:
“O Zot, larg familjes time”!
E kur ajo nuk e kurseu as atë, atëherë tha:
“Larg bythës sime”.
“Murtaja” 27 vjeçare shqiptare shkatërroi gjithçka me vlerë materiale e morale. Tash e ka radhën Teatri Kombëtar. Nuk kishte se si ta linte në këmbë…
Nuk fole as ti or Voc e as ti oj Cucë atëherë kur “mortaja” kishte ra në tërë Shqipërinë.
Se thatë një fjalë.
Pa le të dilnit “para buldozerëve”…
Tash është shumë vonë. Nuk ka më larg “bythës sime”.
Është “kuota zero” që e votuat dhe e zbatuat Ju…
Dhe jo vetëm Ju…
Goja hapet për të folur në kuvend.
Pas kuvendit fjala s’ka vlerë…