Home Kosova Kryeziu: Reforma zgjedhore, peng i liderëve politik

Kryeziu: Reforma zgjedhore, peng i liderëve politik

kryeziuNgecja në reformën zgjedhore të Kosovës, është peng i rregullimit të pozicionit të liderëve brenda partive politike. Kështu deklaroi Ismet Kryeziu nga Instituti Kosovarë për Demokraci. Në një konferencë për media, ai tha se reforma zgjedhore duhet të ndodhë së paku 6 muaj më herët, në mënyrë që të mund të organizohen zgjedhjet.

Kreu i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu tha se përderisa Komisioni për Reformë Zgjedhore dhe Grupi Punues nuk janë funksional tash e një kohë, dhe takimet e liderëve zhvillohen jashtë institucioneve me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar për reformën zgjedhore, kjo tregon krizën e spektrit politik kosovar dhe paaftësinë e tyre për të arritur pajtueshmëri për këtë vendim politik.

“Në anën tjetër, ndërhyrja e shefave partiak në reformën zgjedhore është treguesi më i mirë për koncentrimin e fuqisë politike tek shefi dhe injorimin që është duke ju bërë jo vetëm shoqërisë civile, por dhe Grupit Punues dhe Komisionit për Reformë Zgjedhore si institucion i formuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Kryeziu.

Sa i përket afateve kohore, Kryeziu tha se nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të rregullta, atëherë, afati kohor për harmonizimin e akteve nënligjore, si dhe organizimi i procesit zgjedhor do duhej të ishte më së paku gjashtë muaj:
“Ndryshimi i ligjit zgjedhor gjithsesi se e ndikon dhe ligjin zgjedhor për zgjedhje lokale. Prandaj, fakti që viti 2013 është vit zgjedhor, e përcakton nevojën urgjente që të përmbyllet reforma zgjedhore në afate kohore më të shpejta”.

Ndërsa, lidhur me idenë e mbajtjes së shumë palë zgjedhjeve për një ditë, për Demokracinë në Veprim, kjo është e gabuar, sepse, shton mundësinë për keqpërdorime, tha Kryeziu.

Sipas tij, listat e hapura, 26 zonat zgjedhore, pragu zgjedhor prej 3 përqind për partitë politike, 5 për qind për koalicionet, pastrimi i listave zgjedhore, etj., janë mekanizma që prodhojnë konkurrencë ndërmjet kandidatëve, subjekteve politike si dhe rrisin përgjegjësinë dhe llogaridhënien ndërmjet të zgjedhurve dhe qytetarëve.

Previous articleEgjipt: Opozita thërret për biseda urgjente për krizën politike
Next articleDegert: Në qershor BE e përcakton datën për Serbinë