Home Slideri Kryeministri Berisha inauguron impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës,...

Kryeministri Berisha inauguron impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, investim me vlerë 11 milionë euro

inagKryeministri Berisha inauguroi dje impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, një investim me vlerë 11 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe qeveria e Luksemburgut. Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Durrësit ishte pjesë e masave të zbatuara nga “Projekti i Menaxhimit të Ekosistemeve të Ujit të Integruar në Shqipëri”. Impianti, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 65 hektarë, ka teknologji të një shkalle të avancuar që bëjnë të mundur pastrimin e ujit deri në nivelin 97 përqind dhe mundëson edhe përfitimin e biogazit, i cili do të mbulojë nevojat e impiantit për energji elektrike deri në masën 30 përqind. Me ndërtimin e tij vija bregdetare e Durrësit pastrohet në mënyrë përfundimtare nga ujërat e zeza. Durrësi është një ndër qytetet kryesore turistike të vendit, ka një popullsi prej 205.000 banorë dhe në periudhën e sezonit turistik arrin shifrën prej 600.000 banorë. Kryeministri Berisha vlerësoi se me këtë impiant Durrësi do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë, si dhe do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet turistike. “Qeveria shqiptare e konsideron mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit si një kusht vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, një kusht vendimtar për mbrojtjen e shëndetit për qytetarët shqiptarë”, tha Kryeministri, ndërsa theksoi se “gjatë këtyre viteve janë investuar për ujësjellës-kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave të zeza 55 miliardë lekë”. “Politika jonë ndaj mjedisit,- u shpreh Kryeministri, – është politika më serioze, është politika në të cilën ne i besojmë parimit – mjedisi është jeta! Mbrojta e tij është e barasvlefshme me mbrojtjen e jetës”. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane. “Ne, – tha Kryeministri, – do të vazhdojmë përpjekjen tonë serioze për të marrë statusin, për të hapur negociatat, për të ecur në mënyrë të pandërprerë drejt Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë evropiane”.

Previous articleS’ka “Republika Serpska” në veri
Next articleKontrolli Lartë i Shtetit pritet të padisë penalisht drejtorin e Ujësjellësit të Durrësit