Home Aktualitet Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako merr pjesë në ceremoninë e Ujit të...

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako merr pjesë në ceremoninë e Ujit të Bekuar

dako uji bekuar Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në një nga ceremonitë më të rëndësishme të besimtarëve ortodoksë që është dita e Ujit të Bekuar. 6 janari, festa që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar” përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë. E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsakë është një prej kremteve më të mëdha të kishës. Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, filloi herët në mëngjes në kishën e qytetit bregdetar në të cilën kanë marrë pjesë qindra besimtarë ortodoksë. Pas kësaj besimtarët u nisën me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Kjo ceremoni është drejtuar nga episkopi i Apollonisë Nikolla Hyka. Ceremonia u krye në sheshin përpara kalatës nr.4 të portit, ku episkopi i Apollonisë në prani të kryebashkiakut Dako dhe të qindra besimtarëve ka hedhur kryqin në det e më pas disa të rinj janë hedhur në ujë në garë për të kapur kryqin e drunjtë. Këtë vit, kryqi është kapur nga 22 vjecari Klajdi Beta nga qyteti i Durrësit, i cili i uroi të gjithë besimarët e krishterë për festën. Në këtë ceremoni kryebashkiaku Vangjush Dako ka uruar besimtarët ortodoksë të Durrësit por edhe të gjithë qytetarët e Durrësit dhe të Shqipërisë për një vit të mbarë: “Në këtë ditë të shënuar të Ujit të Bekuar dëshiroj ti shpreh të gjithë besimtarëve të krishterë por edhe të gjithë qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë shqiptarëve, urimet më të ngrohta e të përzemërta. I uroj të gjithëve shëndet, mbarësi, uroj që në çdo shtëpi të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mbretërojë paqja e dashuria, lumturia e harmonia.” Mbas kryerjes së këtij riti, besimtarët kanë marrë nga uji i bekuar, të cilin e mbajnë për një vit të plotë në shtëpitë e tyre. Hedhja e kryqit në ujë sinjifikon bekimin e plotë të të gjithë ujrave sipas traditës së lartë të kishës dhe të mbarë njerëzimit. Në këtë ditë bekohen të gjithë ujrat, lumenjtë liqenet dhe detrat në të gjithë botën.

Previous articleÇmenden burrat, gratë denoncojnë bashkëshortët në polici
Next articleGazeta “Bulevard” zbulon për herë të parë 23 emrat që kanë themeluar Teatrin e Durrësit me urdhër të Enver Hoxhës