Sot në festën kombëtare të Flamurit shqiptarët po tregojnë më shumë se kurrë solidaritet ndaj njëri-tjetrit, për t’ju gjendur me aq sa munden pas tërmetit, njerëzve që kanë nevojë.
Në Shijak dhe Njësitë Administrative Xhafzotaj, Gjepalaj, Maminas ka pasur dëmtime të konsiderueshme materiale, tetë pallate janë të pabanuara e shumë shtëpi të dëmtuara dhe të pabanueshme.
Kryetari i bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismaili ka akorduar një fond dhe ka nisur ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shijak.
Elton Arbana në faqen e tij në Facebook shpreh mirënjohje për këtë solidaritet të treguar.
Postimi i tij plotë:
Pavarësisht momenteve të vështira që po kalojmë, çdo situatë lehtësohet kur jemi të gjithë bashkë.
Falenderoj shumë kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismaili për fondin e akorduar me miratim nga këshilli bashkiak për familjet e prekura nga tërmeti dhe për të gjithë ndihmat për të pastrehët pas tërmetit.
Stafi i Bashkisë po kujdeset që çdo ndihmë e dhënë të shkojë aty ku ka më shumë nevojë.
Mirënjohje për të gjithë solidaritetin e treguar. /Bulevard News/