Kryebashkiakja Emiriana Sako ka komentuar përmes një shënimi në rrjetet sociale gjetjet arkeologjike pranë kantierit të ndërtimit të shkollës Eftali Koçi.
”Zbulimi i ri arkeologjik pranë shkollës “Eftali Koçi”, e cila po rindërtohet, është një shembull i harmonizimit të një projekti publik, si kjo godinë arsimore, me një sit arkeologjik në natyrë, një sinergji mes aktorëve të këtij zhvillimi.
Ka dalë në dritë një fragment i murit rrethues të qytetit i cili do të pasurojë njohuritë e deritanishme për topografinë antike të tij dhe shtrirjen e zonës urbane në një fazë të hershme dhe pak të njohur të Epidamn-Dyrrahut.
Ky fragment muri, që duket se ndante hapësirën urbane me atë funerare e religjioze të qytetit antik, mendohet të jetë ndërtuar si fillim në shekullin VI para erës sonë, në periudhën arkaike dhe më pas rimodeluar në shekujt IV-III para erës sonë.
Po kështu, nga gërmimet, janë zbuluar edhe objekte arkeologjike, te cilat do të pasurojnë koleksionet e gjetjeve nga Durrësi.” shkruan Sako.