Home Kosova Kroacia – anëtarja më e pakënaqur e BE

Kroacia – anëtarja më e pakënaqur e BE

Nga  Igor Lasić

Në Kroaci vetëm pesë vite pas futjes në BE është shtuar dukshëm qëndrimi negativ ndaj tij. Ekspertët thonë se kroatët kanë shumë shkaqe pse kanë qëndrime negative ndaj BE-së.Studimet më të reja për disponimin e banorëve të vendeve të Bashkimit Evropian (Eurobarometri) tregojnë se në shumë vende të cilat janë anëtarësuar së fundi po rriten simpatitë ndaj BE, por jo edhe në Kroaci. Gati 60% e të anketuarve e mbështet anëtarësimin në BE, ndërsa në Kroaci ka rënë kjo përqindje në vetëm 36 %. Kjo do të thotë se numri i mbështetësve është zvogëluar me 7% brenda vetëm një viti.

Ndërsa 49 % e kroatëve kanë një qëndrim neutral ndaj BE. Ndërkohë që 46 % e shtetasve të Kroacisë mendojnë se gjërat në BE po shkojnë në drejtim të gabuar. Po pse kroatët kanë qëndrime kaq negative ndaj BE?

Dëshpërimi dhe mosbesimi

„Rënia e besimit nuk e befason askend”, thotë Berto Shalaj nga Fakulteti i shkencave politike në Zagreb. Sipas tij, BE nuk është duke funksionuar si duhet në aspektin ekonomik dhe social, nuk është mundësuar një sistem më i mirë shëndetësor dhe një shkollim më i mirë. Ndërkohë që standardi i pensionistëve po bie gjithnjë e më shumë. Një aspekt tjetër problematik është edhe sistemi i marrjes së vendimeve të rëndësishme në BE. Kroatët nuk janë mësuar me një nivel të lartë të demokracisë, ndërsa BE e ka rrënur këtë sistem edhe më shumë. “Brukseli e ka larguar mekanizmin e marrjes së vendimeve nga populli”, thotë Shalaj. Parlamenti Evropian nuk pyetet për asgjë të rëndësishme, ndaj dëshpërimi është pasojë logjike. E gjitha kjo ka shkaktuar ngritjen e skepticizmit kroat ndaj BE.

Migrimet

„Kroacia dhe një pjesë e madhe e BE-së gjendet aktualisht mes teknokratizmit dhe populizmit. Mes distancimit dhe ekspertizës së Macronit dhe djathtistëve që kanë fituar pushtetin në Itali”, thotë Shalaj për DW. Sa i përket nivelit të shkencës në vend, Shalaj thotë se “Kroacia nuk duhet të ikë nga përgjegjësia e vet”. Por fakt është që në këtë vend ka më pak mjete financiare për projekte serioze nga fondet evropiane. Nga këto fonde financohen vetëm projektet e vogla dhe jo ato të mëdha dhe komplekse.”

Ndërsa sociologu Toni Prug mendon se shkaku i mungesës së mjeteve financiare ka të bëjë edhe me mungesën e interesit të shkencëtarëve kroatë për këto tema. Në BE ekziston frika nga rritja e influencës së nacionalizmit, por ende i besohet sistemit të tregut të hapur. Por problemet po shtohen. Nga Kroacia është larguar një numër i madh i njerëzve e dihet që njerëzit ikin vetëm në kohërat e krizave, thotë Prug. Këtë gjendje e dëshmon edhe fakti që 29% e të ardhurave përdoren për ushqime.

Modeli i keq i integrimit

Infografik Rechtspopulistische Parteien in Europa

„Mesatarisht në BE shpenzohen vetëm 12 % e të ardhurave për ushqime. Të ardhurat në Kroaci janë më të ulëta se në vendet e tjera, ndaj është e qartë që gati një e treta e rrogave shpenzohet për ushqime. Banka e Zagrebit aktualisht jep kredi me interes prej 3,72 %. Ndërsa UniCredit ofron në Itali kredi me interes prej 1-2%.

Toni Prug thotë se në Kroaci kemi edhe një model të keq integrimi dhe lëshime të tjera. Ndaj nuk të befason fakti që në Kroaci po bie interesimi i njerëzve për BE.