Home Editorial Krizë edhe me figura dështakësh

Krizë edhe me figura dështakësh

turiNga Artur Llana / Prej dhjetë ditësh ish prefekti i Durrësit është larguar nga detyra për shkak të daljes në krahë të PS të partisë që ai përfaqësoi për katër vite, LSI-së. Prej dhjetë ditësh, PD jo vetëm e Durrësit është përfshirë në një luftë klanesh dhe emrash, që shpeshherë janë bërë objekt barcolete për të gjetur zëvendësuesin. Kjo situatë nuk është normale vetëm për faktin se Durrësi ka dhjetë ditë pa prefekt, jam i bindur se edhe ai që e ka ushtruar këtë detyrë për katër vjet ka qenë një eunuk dhe zor se ka bërë diçka në këtë institucion përveç shprehjeve që do të kujtohen gjatë si batuta. Anormalja në të gjithë këtë klimë të krijuar ka të bëjë me faktin se për emrin e prefektit kanë nisur bërrylat po mbi të gjitha ka nisur dhe paniku. Në institucionin që duhet të kontrollonte ligjin, ish prefekti u muar vetëm me institucionin e bashkisë duke bërë hapur një luftë politike. Ai e përdori këtë post për t’i shërbyer vetes deri në detaje banale. Ju sigurojë se asgjë nuk ka ndodhur që nga dita që ai nuk është. Administrata është nëpër kafene me më pak kohë, pasi kanë frikë se mos u vjen prefekti i ri. Po pse nuk e emëron dot PD-ja prefektin e ri? Dy mendoj se janë arsyet që lidhen me këtë emërim që do t’i mjaftonte vetëm një kollitje mbi letër Flamur Nokës për ta firmosur. Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se lirimi i këtij posti ka rihapur luftën e klanëve brenda PD-së të cilët kërkojnë të përfitojnë qoftë dhe pak muaj rrogë . Për këtë ata janë nisur të gjithë në drejtim të Tiranës. Bëjnë takime atje, ata që kanë mundësi edhe ndajnë ndonjë lekë nga ndonjë tender i “vogël” dhe më pas kthehen në Durrës duke thënë se nuk e kishin pranuar detyrën edhe pse ia kishin ofruar. Kjo lloj garancie që nëse nuk janë të mos u shkoi mundi kot ka mbi vete një hipokrizi e cila është për t’u pasur zili. Po ka dhe një të vërtetë tjetër ose arsye e dytë: Disa nga emrat e PD-së vërtetë nuk e kanë pranuar këtë post jo se për ta janë kujtuar vonë, po për faktin se emërimet nga ikjet i bën qesharak. Kjo e dyta ka dhe një shpjegim tjetër, pasi është vështirë që një njeri me integritet të shkojë për dy muaj në postin që e keqpërdori Genc Alizoti, ose më saktë që u tall si prefekt i Durrësit. Vetë fakti se cilët janë emrat që përgojohen të bindin qartë se PD-ja është futur ne një krizë jo personalitetesh dhe vlerash po në një krizë ku asaj i mungon gjithçka me përjashtim të disa vendeve të punës që u hapën nga ikja e LSI-së. Kriza e PD-së ka mbërritur në nivelin më të ulët dhe mjafton t’u hedhësh një sy emrave që përgojohen. Ose të mbetur pa punë, ose të konsumuar nga tejzgjatja në një detyrë, ose njerëz që kanë humbur të drejtën morale për të qenë përfaqësues të së djathtës e cila tashmë nuk mund të ketë justifikim koalicionin. E mbetur vetëm, e mbetur në një betejë që do ta humbasë turpshëm, PD-ja po kërkon të bëjë ndere, po as për ndere nuk gje dot njerëz. Për këtë ajo i është kthyer krizës me figura qesharake, që megjithsa thashë më lartë përsëri e bëjnë Alizotin më të sukseshmin. Për këtë ajo ka thërritur nën armë ca mjeranë që ose sillen si këshilltarë nëpër dyer ministrash që i kanë bërë si legena kur i kanë shkarkuar, ose ca kalamajë që rrijnë e shohin datëlindjen nëse e kanë mbushur moshën për të dalë nga forumi. E mbledhur si një guackë që në fakt brenda nuk ka asgjë, ajo tani po krenohet me kockën e fortë, por duke e ditur mirë që brenda është bosh, ose ka mbetur pak llum nga ai që do t’i qelbë sapo ta hapin. Në fakt është mirë që partia që qeverisi për tetë vite të ketë një fat të tillë ku edhe ata që kanë mbetur si vlera të kenë frikë për ta marrë detyrën dhe ata që kanë ca lekë për t’i harxhuar nga tenderat të bëjnë bërryla për ta pasur në CV të qenurit prefekt. Ata i ngjajnë ministrave apo nëpunësve të vitëve 20 që rrinin nga dy ditë në dy muaj në detyrë, dhe më pas kujtoheshin se kishin qenë mercenarë pa vlerë. Në fund të mandatit të saj PD-ja e Durrësit e ndien veten më inegzistente se kurrë, madje ky është vetëm fillimi. Dhe fillimi ka filluar të prodhojë krizë dhe te ata që nuk kanë vlera. Të mençurit janë tërhequr për të nisur opozitën, po jo ndaj qeverisë, po ndaj klanit që e mori peng PD dhe pushtetin për kaq vite. Natyrisht nga “fekalet” politike nuk ka aromë, ka kundërmim.