Home Bota Kriza e Ukrainës/ Lavrov acarohet me sekretaren britanike, Biden: Është luftë botërore

Kriza e Ukrainës/ Lavrov acarohet me sekretaren britanike, Biden: Është luftë botërore

Çështja e Ukrainës nuk gjen akoma zgjidhje mes Perëndimit dhe Rusisë. Takimi i djeshëm në Moskë midis ministrit të jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov dhe Sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe Liz Tras ishte i tensionuar. Shefi i diplomacisë ruse reagoi i nervozuar në momentin kur homologia e tij britanike po fliste me përkthyesin e saj. Lavrov u shpreh se Tras nuk dëshironte ta dëgjonte. Kryediplomatja e Mbretërisë së Bashkuar akuzoi Rusinë se nuk i tërheq ende 100 mijë trupat ruse nga kufiri me Ukrainën dhe një veprim të tillë e konisderon të paarsyeshëm. Tras shtoi se Moska po dhunon parimin ndërkombëtar të sovranitetit dhe integritetit territorial. Nga ana tjetër, Lavrov se u ndje sikur po bisedonte me një njeri të shurdhët. Sipas tij vendosja e 100 mijë trupave ruse në kufi me Ukrainën nuk përbën asnjë rrezik.

Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh për NBC News se situata mes Ukrainës dhe Rusisë mund të dalin jashtë kontrollit. Ai u kërkoi qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të largohen menjëherë nga territori ukrainas. Nga ana tjetër, ai shtoi se SHBA nuk do të dërgojë trupa për të shpëtuar qytetarët e saj në Ukrainë. Biden beson se homologu i tij rus Vladimir Putin nuk do të rrezikojë aq shumë sa të dëmtojë qytetarët amerikanë. Biden e konsideroi konfliktin me Rusinë si luftë botërore. Sipas tij, nëse palët shtijnë ndaj njëri-tjetrit, atëherë bota do të jetë në një realitet tjetër.

Çfarë ka ndodhur?
Analistët amerikanë bëjnë me dije se Moska ka dislokuar rreth 135 mijë trupa në kufirin me Ukrainën. Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi gjatë kësaj jave takime me homologët Putin dhe atë të Ukrainës Volodimir Zelenski. Shefi i Kremlinit paralajmëroi Perëndimin se Moska zotëron armë bërthamore. Macron pranoi për mediat pas takimit në Moskë se është i bindur që Putin do të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes. Ndërkohë, kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson kërcënoi hapur Rusinë me sanksione nëse sulmohet ushtarakisht Ukraina. Edhe nëse sulmohet Kievi, Londra nuk do të dërgoja trupa në terren.

Bisedimet në Berlin mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës nuk dhanë rezultat. I deleguari i Kievit Andrij Jermak pranoi për mediat se palët do të vazhdojnë negociatat për të mbyllur konfliktin e armatosur 8-vjeçar në Donetsk dhe Luhansk.