Home Bota Kreu i Inteligjencës ukrainase: Putin-i është i sëmurë, po përgatitet një grusht...

Kreu i Inteligjencës ukrainase: Putin-i është i sëmurë, po përgatitet një grusht shteti për ta rrëzuar

Shefi i inteligjencës së Ukrainës, gjeneralmajor Kyrylo Budanov, në një intervistë për “Sky News” ka cekur shëndetin e presidentit, Vladimir Putin, dhe ka shpjeguar se si kjo mund të çojë në një kthesë vendimtare në luftën në Ukrainë.

Gjenerali Budanov jep një kohë të saktë, kur sipas tij lufta do të arrijë një pikë kthese në gusht dhe më pas do të përfundojë deri në fund të vitit.

“Pika e thyerjes do të jetë në gjysmën e dytë të gushtit. Shumica e aksioneve luftarake aktive do të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Si rezultat, ne do të rinovojmë fuqinë ukrainase në të gjitha territoret tona të humbura, duke përfshirë Donbasin dhe Krimenë”, tha Budanov i cili më vonë theksoi  se nuk ishte i befasuar nga pengesat e Rusisë në luftë.

Ai vlerëson se ka informacione se Vladimir Putin është i sëmurë rëndë nga kanceri dhe se në Rusi po bëhet një grusht shteti për ta hequr atë.

“Një grusht shteti është duke u zhvilluar në Rusi për të hequr Vladimir Putin-in”, argumenton kreu i inteligjencës në Kiev.

Sipas tij, disfata në Ukrainë do të çonte në largimin e liderit rus dhe shpërbërjen e vendit.

“Ky proces tashmë ka filluar dhe ata po ecin në atë drejtim”, sqaroi Budanov duke shtuar se Putin është në kushte shumë të këqija psikologjike dhe fizike dhe është shumë i sëmurë.