Home Politike Kreshnik Spahiu paralajmëron se SHBA do të fusin në “listën e zezë”...

Kreshnik Spahiu paralajmëron se SHBA do të fusin në “listën e zezë” një zyrtar të lartë të PS dhe do arrestohet para zgjedhjeve të 14 majit, ja kush ia kopsiti dosjen e “non gratës” Berishës

Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka lëshuar dje një deklaratë të fortë, duke tronditur politikën shqiptare, për shkak se ka paralajmëruar se shumë shpejt Departamenti Amerikan i Shtetit do të fusë në “listën e zezë” një politikan të lartë të Partisë Socialiste. Teksa ishte i ftuar ditën e djeshme në një studio televizive juristi Spahiu theksoi se një nga liderët socialist pritet të shpallet “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe madje sipas tij, politikani në fjalë mund të arrestohet para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Me këtë deklaratë ai iu referua intervistës së ambasadores Yuri Kim. “Në bindjen time do të ketë një arrestim të balancuar, që do të thotë edhe për hir të një balance politike do të ketë arrestim të zyrtarëve të lartë socialistë edhe të politikanëve të lartë nga opozita. Unë kam bindjen dhe mendoj se e lexoj ndër rreshta ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ai. Po ashtu, sipas juristit, një nga arsyet pse Kim nuk deklaron një kufi të fundit të mandatit të saj është sepse duhet të përmbyllë një mision. Spahiu u shpreh se pa u arrestuar zyrtarët e lartë që ata i quajnë “peshqit e mëdhenj” të politikës, por dhe pa u përmbyllur lista e zezë e personave non-grata, Yuri Kim nuk do të largohet.

“Non grata” e Berishës

Më tej juristi Kreshnik Spahiu theksoi në një intervistë se dosja “non grata” e Sali Berishës u përgatit nga administrata e ish-presidenti amerikan, Donal Trump. Spahiu komentoi deklaratat e Berishës dhe lidhjet që ai bën mes Soros, ambasadores Yuri Kim dhe Edi Ramës duke i fajësuar për shpalljen non grata në SHBA. “Soros ka hyrë në Shqipëri kur Berisha ishte president dhe ka përfituar familjarisht nga financimet e tij. Sorosi ka investuar miliona euron në Shqipëri, ka ndërtuar 400 shkolla, ka dhënë para për të varfrit, buxheti i tyre ka qenë 10 mln euron në vit, ka mbi 100 mln euro për Shqipërinë. Heqja e vizës së Berishës nga SHBA ka ndodhur në 2018, kur dogjën mandatet për në parlament dhe është proces i iniciuar nga administrata e Donald Trump që është njeriu më anti-Soros i planetit”, u shpreh ai.

Vjedhja e floririt të Krrabës

Ndërkohë juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se vjedhja e thesarit të Krrabës nuk do të hetohet kurrë sepse dëshmitari kryesor u vra në burg. Ai tregoi se në vitin në të cilin ka ndodhur ngjarja, Spahiu ka pasur zyrën e tij juridike me 12 degë në gjithë Shqipërinë dhe zyra e tij e avokatisë ka mbrojtur Arian Bishqemin, i cili sot nuk jeton, por ka qenë drejtor i sigurisë në ministrinë e Brendshme. “Është zhvilluar një hetim tërësisht i cunguar, viktimat, domethënë personi që e denoncoi fatkeqësisht u burgos, pra vetëm sepse guxoi të flasë. Vuajti, nga burgu iu shkaktua një sëmundje shumë e rëndë dhe më pas humbi jetën dhe tashmë është e pamundur të dëshmojë”, nënvizoi Spahiu. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK që të hetojë burimin e pasurisë të Ilir Metës dhe Sali Berishës nëse ka lidhje apo jo me floririn e zhdukur në 1997. Mbetet të shihet nëse prokurorët do kenë guxim.

Previous articleVetëm dy shishe birrë në javë, ja thirrja që bëjnë ekspertët
Next articleJashtë kupave të Evropës? Makthi në shtëpinë e Juves nuk ka fund, në lojë futet edhe UEFA