Home Aktualitet KPA rrëzon vendimin e KPK-së për shkarkimin e gjyqtares së Kavajës, kërkon...

KPA rrëzon vendimin e KPK-së për shkarkimin e gjyqtares së Kavajës, kërkon vlerësim për figurën dhe aftësitë profesionale

Ish-gjyqtarja e Kavajës Entela Shedula, e cila u shkakrkua dy vite më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka akoma një shpresë për t’u rikthyer në radhët e gjyqësorit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që ish-gjyqtarja e Kavajës të rivlerësohet për kriteret e kontrollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive personale.

KPK njoftoi vendimin në 4 qershor 2020, pasi konstatoi mungesë burimesh për justifikimin e pasurisë për gjyqtaren Shedula.

Por me vendimin e kësaj të enjteje, 22 shtator 2022, Kolegji i Posaçëm i Apelimit urdhëron KPK-në të vazhdojë të kryejë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Entela Shedula, edhe për kriteret e kontrollit të figurës dhe të vlerësimit të aftësive profesionale.

VENDIMI I KPA:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.34/2020, datë 10.09.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Entela Shedula kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 254, datë 04.06.2020.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “c” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 254, datë 04.06.2020, që i përket subjektit të rivlerësimit znj. Entela Shedula.

Të urdhërojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të vazhdojë të kryejë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Entela Shedula, edhe për kriteret e kontrollit të figurës dhe të vlerësimit të aftësive profesionale.

Entela Shedula, u shkarkua nga KPK më 4 qershor pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture. Po ashtu, u konstatuan deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë. Shedulës nuk iu gjetën probleme në kriterin e profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës. Në seancën parardhëse më 14 shtator, KPA pranoi si prova të reja dy vendime gjykate që detyronin kompanitë ku kishte punuar bashkëshorti që të paguanin sigurimet shoqërore dhe tatimet mbi të ardhurat. Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në konkluzionet përfundimtare, Shedula pranoi se kreditë e marra për ndërtim të një shtëpie tre katëshe ishin shënuar për qëllim biznesi, por ajo ritheksoi se në deklarimet vjetore, si dhe gjatë hetimit administrativ, e kishte bërë të qartë se ato ishin përdorur për ndërtimin e shtëpisë. Ajo sqaroi se arsyeja përse ishin shënuar për qëllim biznesi, ishte pasi në atë periudhë fondi “Besa” nuk jepte kredi për ndërtim banese, por vetëm për aktivitet tregtar.