Home Rajoni Kovaçevski: Ekziston mundësia që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë

Kovaçevski: Ekziston mundësia që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka bërë thirrje për unitet dhe ka theksuar se arritja e qëllimeve të përbashkëta kombëtare dhe shoqërore në vendin e tij duhet të vendoset përpara dallimeve politike dhe ideologjike. Në konferencën për media me zv.kryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiç, lidhur me rrjedhën e skriningut për integrimet e vendit në Bashkimin Evropian (BE), kryeministri Kovaçevski tha se ky proces po zhvillohet me ritmet e pritura. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e ruajtjes së momentumit gjatë gjithë procesit të negociatave me BE-në.

Sipas kryeministrit Kovaçevski, fokusi i qeverisë së tij është zbatimi i agjendës së reformave dhe qytetarët po fillojnë të ndjejnë përfitimet e negociatave me BE-në. Ai tha se tani gjithçka është në dorën e tyre dhe nga të gjithë varet jeta e qytetarëve dhe e ardhmja evropiane e vendit.

“Duhet të marrim disa vendime për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e ardhmja e tyre është përpara të gjitha dallimeve politike dhe ideologjike”, u shpreh Kovaçevski.

Duke theksuar se deri më tani vendi ka paraqitje cilësore në të gjitha kapitujt, Kovaçevski tha se sigurisht që çështjet në të cilat duhet të fokusohen në periudhën e ardhshme mbeten të hapura. Ai përmendi reformat në administratën publike, mekanizmat për shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

“Këto tema do të jenë të hapura gjatë gjithë procesit të negociatave, prandaj pres që çdo institucion të jetë në nivelin e detyrës dhe t’i qaset këtij procesi me përgjegjësi. Ky është një proces historik që çdo vend e kalon vetëm një herë”, tha Kovaçevski.

Po ashtu Kovaçevski deklaroi sot se Aleanca për Shqiptarët mund të bëhet pjesë e Qeverisë, por se kjo sipas tij varet nga dialogu politik. Kovaçevski me këtë rast ri-përsëriti qëndrimin e tij se të gjithë ata që dëshirojnë ti bashkëngjiten konceptit për një Maqedoni evropiane, tani është koha që ta bëjnë atë.

“Lidhur me Aleancën për Shqiptarët, kam thënë se Aleanca ka shprehur vullnetin politik, se është për konceptin evropian të shtetit. Se a do të hyjë në qeveri, po, ekzistojnë shanse për këtë, ashtu siç kanë thëne edhe liderët e tjerë politikë. Se a do të ndodh kjo, varet nga dialogu politik, i cili dialog gjithmonë ka dy aspekte, njëri është programor, tjetri është kadrovik, dhe derisa nuk ndodh diçka e tillë nuk mundemi të jemi të sigurt se do të ketë edhe një partner të ri qeveritar. Megjithatë unë kam thënë që para tre muajve se të gjithë ata që dëshirojnë ti bashkëngjiten konceptit për një Maqedoni evropiane, tani është koha që të bëjmë një gjë të tillë sepse nga ne varet qasja më e shpjete e vendit në BE, këtë qytetarët e presin”, tha Kovaçevski.

Maqedonia e Veriut këtë vit pritet të përballet me sfidën e ndryshimeve kushtetuese, gjë që mbetet një prej kritereve për të vazhduar negociatat me BE-në. Aktualisht, parlamenti i vendit nuk posedon shumicën e nevojshme prej 80 deputetësh për të mbështetur këto ndryshime, ndërkohë zyrtarët në pushtet thonë se po punojnë për këtë çështje dhe sinjalizojnë se ka hapësirë për zgjerim për të gjithë ata që janë në mbështetje të rrugës evropiane.

Kujtojmë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut nisi negociatat për anëtarësim në BE, por negociatat thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, gjë që parashihet në marrëveshjen e vendit me Bullgarinë bazuar në “propozimin francez” për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Previous article4 persona të maskuar nxjerrin zvarrë nga makina postierin, i marrin të gjitha paratë
Next articleZelensky reagon për rrëzimin e helikopterit në Ukrainë: Dhimbja është e pa përshkrueshme