Home Kosova Kosova dhe KE diskutuan një varg temash lidhur me MSA-në

Kosova dhe KE diskutuan një varg temash lidhur me MSA-në

largea_eucommision1366190962Një varg temash, si lëvizja e lirë e mallrave, prokurimi publik, të drejtat e pronës intelektuale, politika e konkurrencës, ligji për kompani, lëvizja e shërbimeve financiare/kapitale, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe kapitalit, mbrojtja e shëndetit dhe konsumatorëve, u diskutuan dje në mes të autoriteteve kosovare dhe Komisionit Evropian.

Takimi i mbajtur në Bruksel mes autoriteteve kosovare dhe Komisionit Evropian, sipas një komunikate për media të lëshuar nga Komisioni Evropian, ka mundësuar rishikimin e progresit që ka arritur Kosova që nga publikimi i Raporti të fundit të Progresit dhe Studimit të Fizibilitetit për një Marrëveshje Stabilizim Asocimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, dhe ka ndihmuar në identifikimin e hapave që duhet të ndërmarrë Kosova në të ardhmen e afërt për të avancuar Procesin e Stabilizim Asocimit të BE-së.

Temat e diskutuara në këtë takim thuhet se janë qenësore për të siguruar një situatë barazie dhe drejtësie, e cila mundëson përmirësimin e mjedisit afarist. Komisioni ka theksuar se këto politika shoqërojnë edhe liberalizimin e tregtisë me mallra dhe shërbime, e cila do të ishte një prej elementeve kryesore të një marrëveshje potenciale të Stabilizim Asocimit në mes të BE-së dhe Kosovës.

Në mesin e temave të diskutuara, një vëmendje e veçantë i’u kushtua lëvizjes së lirë të mallrave, konkurrencës dhe prokurimit publik. Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, u diskutuan dhe vlerësuan edhe zhvillimet legjislative, si dhe kapaciteti administrativ.

Autoritetet kosovare prezantuan amendamentet e planifikuara për legjislacionin në fushën e konkurrencës dhe të prokurimit publik. Komisioni Evropian e ka nxitur Kosovën që të vazhdojë angazhimin e saj për të qenë në një linjë me standardet dhe praktikat e mira të BE-së. Ky takim ishte pjesë e dialogut të rregullt në kuadër të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asocimit.

Previous articleRita befason përsëri me stilin e saj
Next articleBeogradi e cilëson privatizimin e PTK-së si “të paligjshëm”