Home Kulture Korrje të pikura- Poezi nga Ruzhdi Gole

Korrje të pikura- Poezi nga Ruzhdi Gole

Fëmijë i gjelbër

Pëllumbi po fluturon sythgjelbër në sqep

do t’i mbjell ullinjtë xixa kubesë qiellore

aty ku natyra për natyrën uron vend.

 

Ku ta gjej gjelbërimin Toka – lak

e fëshfërima e nji gjiri çelësin

sol të zogut, zogu premtimin

se fëmija i paqes xixon sot

shenjti e sythi më i artë

hareshëm i dobishëm?

Perëndishëm natyra

me natyrën sillet

Natyra si kahera

natyrën gëzon

perëndishëm.

*

Klizmë

Qyteti bën klizëm nga mëngjezi në darkë

dhe prapë ka dhimbje barku prej atij

barku të pangishëm, uje fundarak.

 

Zbatharake Fjala, lëngonjë në shtrat

e në revan…prapë i falet një koneje

me spermë fjalimesh gojë e shalë.

 

Qyteti bën serenata kur një i vorfën

përtyp kotherën dhe turinjtë e zisë,

Cili përbindësh i lavdishëm, që ne

t’shpëtojmë, duhet të bëjë klizmë?

*

Korrje të pikura

Je nën hyqëm të agait a Ti vet në qejf pashai

Njeriu im me mëditje ? Zajet e lumit lajnë

duart me valë, paskëtaj valojnë rilindje.

 

Ah dhe oh kjo Rilindje me rërë sysh

O mëditja ime me njerëzit – farëra,

Në kërthizën e mortit po të hysh

Ti mund të jesh më i vdekshmi

lebetitës me korrje të vrara.

*

As maturant

 

Do të qesh nesër se pasnesër është vonë

Asgjë nuk do të ndodhë : Lumi nuk do

ta tkurrë vrapin dhe si përhera hoxha

do përrallisi me megafon kur unë jo

më vonë sesa dje e pashë Zotin

mbarë mbathur, cull prapthi.

 

Do të qesh sonte me nënkresën e talljes

Asgjë nuk do të ndodhë : do t’djallosen

termat e karnavalet. Po unë nuk qesh

qyshkur … pa e ditur se plehu më ka

rënë përsipër më tuaf… Bota s’do

ta tkurrë vrapin e piku do të jetë

kur provimi i fundit i më të ligut

nuk do të jetë më as maturant.

*

Qeshje brenge

Unë : Ke shpërthyer sot me humorin tënd buzagaz Lumturi…

Mama : Kam shpërthyer, e di, por kur do të mbërthehem ?

 

Unë kryet i kthej andej nga ku nuk duket asgjë prej saj

por shoh prej saj në miniaturë gri një brinjë brenge…

 

I mbërthej komçat e trikos dhe me hamendje njëherazi

vesh trikon time të fëmijërisë, në qershor jemi, s’kam

ftohtë por më duhet të shoh gishtat e saj në shtizë.

 

Prej pesëmbëdhjetë ditësh Ajo ecën mbi një karrocë…

Ah, m’u kujtua : njëherë nuk pata karrocë lodrash

e sa herë mëma merrte të hollat e saj mëditëse

ne festonim me fruta një çast … Hovjet tona-

frutat e asaj shtëpie rrëmbyer nga djajtë.

 

Njëherë tjetër do t’ju flas për djajtë tanë, më mirë

asnjëherë dhe askurrë për devetë e brengave dhe

pjatën buzëthatë pezmë…. O Mëma ime, o më

një ditë bashkë mund të mbërthehemi, por

gjer atëherë le të qeshim edhe në brengë.

*

Kokrra, mëngë

Ku e pashë Zotin…e di veç Zoti, e di veç brenga,

e di kuleta e farës së horrit, e di pena, pendesa,

e di rrota vrastare e sozisë dhe kupa me helm

që e pijmë duke përtypur kokrrat e plumbit,

e di ariu që e gjeti arushën duke u ngrohur tek bytha e prushit.

e di padija që i din të tana shejtanllëqet e i di të tanë hajnat,

e di mënga që u këput prej mëngëve të zjarrit, i cili u djeg

njerëzve jetën dhe s’ua këput atyre asnjëherë prangat.

 

Ku e pashë Zotin…e di veç zoti. Mos ma thërrisni mortit…

*

Grerëza, nder

Mos me e mbyll këtë mbrëmje me sy qorri mbi tastierë

as qytet me klizmë, as maturant me kopje mentori dhe

as banor i ndoj’ miniere gjithë sifilizë, mos me e mbyll

këtë mbrëmje me lëkurë të regjur rrenash kombi

dal e shoh Qiellin që përherë shprehet zemër,

zemër e paarrirë edhe me shira, edhe me

ndonjë fëlliqësirë nga të naltin,

pshurrur së poshtmi…

 

Po e paqtoj këtë mbrëmje mbi një dhe mbi çdo tastierë –

Ora mbyll dhe nuk mbyll sytë me akrepa thëniesh ku

një dhe çdo Thënie mund të lëvdohet grerëz a nder.