Zëvëndëskryetari i grupit parlamentar të PS-së, Toni Gogu ka treguar arsyet se përse vendosën të rrëzojnë kërkesën e grupit parlamentar të PD-së në lidhje me inceneratorët dhe kërkesën për arrestim Ahmetajt. Gogu ka theksuar se kjo çështje nuk është më urgjente, pasi Kuvendi e ka kryer veprimtarinë e vet dhe çështja i ka kaluar drejtësisë.
“I theksoj fjalët urgjente që i bashkonin pakicën e pakicës që kërkonin që ne të mblidheshim në seancën pasardhëse. Ne i dhamë pëlqimin kryetares. Çështjet që janë të ngjashme mund të bashkohen dhe të trajtohen bashkë. Nuk dhamë pëlqimin tonë që këto çështje duhet të hynin në seancën ardhshme. Do të vendosë Kuvendi të enjten nëse ato çështje do të përfshihen në rendin e ditës apo jo. Ne besojmë fort se aty nuk ka përmbajtje. Tani është momenti i drejtësisë për atë çështje, kur ne hapëm rrugën e komisionit hetimor, i cili sot është në duart të drejtësisë. Çdo veprim tjetër këto urgjencat janë ose brenda grupeve, por për Kuvendin e Shqipërisë mendoj se urgjenca janë pensionet, studentët, shërbimi mjekësor. Për këto arsye ne vendosëm që në seancën e ardhshme të caktohet. Nuk kemi asnjë lloj frike për të bërë debat. Besoj si parlamentar, janë çështje që po i heton drejtësia. Kuvendi e ushtroi veprimtarinë e vet me një komision gjerë e gjatë. Nuk mund të prisheshin rregullat që kemi kërkuar bashkë të krijohet një urgjencë që nuk ekziston. Përmbajtja që ajo kërkesë ka nuk ka brenda asnjë urgjencë,” tha Gogu.