Home Slideri Koncert në Prizren i orkestrës sinfonike të shkollës “Jan Kukuzeli” Durrës

Koncert në Prizren i orkestrës sinfonike të shkollës “Jan Kukuzeli” Durrës

koncertiDitën e premte me datë 29 mars, në orën 18.00. orkestra sinfonike e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” Durrës dha një koncert vokal sinfonik në sallën e shtëpisë së kulturës në Prizren. Shfaqja u organizua dhe financua nga Klubi Rotarian i Durrësit në bashkëpunim me homologun e tij, Klubin Rotarian të Prizrenit, si edhe me ndihmën e sponsorave: Kompanive AL-Mar, Teuta, Hotel Arvit, Albtours D dhe GO-TECH. Mbrëmjen e hapi drejtoresha e shkollës Znj. Nevila Kalaja, e cila ndër të tjera nënvizoi rëndësinë mbarëkombëtare të këtyre aktiviteteve. Programi filloi me hymnin tonë kombëtar ekzekutuar nga orestra sinfonike dhe kënduar nga kori i shkollës. Në vazhdim artistët e rinj interpretuan pjesë të zgjedhura nga muzika popullore, nga autorët më të mirë shqiptar dhe të huaj. Repertori i zgjedhur me kujdes e sqimë si dhe egzekutimi me ndjenjëe profesionalizëm, u pëlqyen shumë nga publiku, që nuk i kurseu duartrokitjet gjatë gjithë shfaqjes. Veç intrepretimeve me nivel artistik nga orkestra, spikaten dhe ato të solistëve si Alisa Kristani në piano, Llazar Daka në kitarë apo interpretimi i këngës “Për ty atdhe” nga baritoni i ri Bledar Domi. Vend të veçantë pati dhe muzika popullore me pjesët: “Pranvera nisi me ardhë” apo “Si dukat i vogël je”, interpretuar nga ansambli popullor drejtuar nga Saimir Kalaja. Mbyllja e programit me këngën “Xhamadani vija vija” bëri që salla të ngrihej në këmbë e të këndonte bashkë me korin duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë. Duartrokitjet vazhduan për minuta të tëra. Padyshim që shfaqja qe një sukses i plotë. Pas përfundimit të saj nuk munguan përgëzimet dhe urimet e artdashësve prizrenas ndaj artistëve të rinj durrsak. Paraqitja dinjitoze me nivel të lartë artistik të orkestrës simfonike, drejtuar nga mjeshtër dhe autoritet profesional, nga dirigjentja Znj. Shpresa Tafaj, dëshmon për seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin punojnë së bashku drejtuesit, stafi pedagogjik dhe nxënësit – artist të rinj të shkollës “Jan Kukuzeli”. Kjo shfaqje e bukur dh etë tjera si kjo shërbejnë natyrshëm në bashkimin shpirtëror të kombit tonë të ndarë. Së fundi duhet thënë se organizimi i këtij aktiviteti nga klubi Rotarian i Durrësit i shte i kujdesshëm në përputhje me frymën dhe moton e lëvizjes rotariane: “Shërbim dhe vetëm shërbim ndaj komunitetit”.
Vaso Marto, anëtar i Klubit Rotary të Durrësit
Skënder Garori, president i Klubit Rotary të Durrësit

Previous articleNeuropsikiatri i parë shqiptar Dr.Mit Vokopola
Next articleViolonçelistja Keti Bashhysa, e dashuruar me ….