Home Opinion Kohëhamësit!

Kohëhamësit!

Nga Artan Duka

“Vrima e zezë” që kotëson edhe urimet për vitin e ri!

Sipas shkencës koha ngadalësohet me shpejtësinë, deri “ndalet” në rastin e “event horizon” (pragu) i një vrime të zezë në hapësirë (për ata që soditin nga larg). Por, edhe pa shkuar aq larg, koha “ndal” edhe rrotull nesh atëhere kur gjërat mbeten po ato e këtu hyn dhe realiteti i ngrehinës “vendnumëro” demokratike i pas viteve 90.

Kemi 32 vjet që urojmë për më mirë dhe sërisht gjithshka sfumohet nga e njëjta “vrimë e zezë” politike që na është poftisur në demokraci e që “ndal” e “vjedh” parreshtur kohën e një brezi të tërë, thith parreshtur energji, shpresë, mund, djersë, jetë brezazh, kotëson urimet me të njëjtin përfundim… një “stafetë” brezash zhgënjimi, humbje shprese, ankthi për të ardhmen… ndryshe njohur si “tranzicion”.

Një tranzicion ky tashmë pa datë “skadence” që gjenerohet parreshtur dhe i vjen për shtat politikës makute që daton prej viteve 90 përmes një vijimësie e riciklimi fytyrash, pinjollësh, retorikash, platformash që e shndërruar në “vrimë të zezë” mes nesh, sa më shumë koha kalon aq më shumë shton karshillëkun e “gravitetin” thithës paralelisht me shkallën e abuzimit në vite.

Dëshmia më e fundit e dukshme e agonisë së shoqërisë për t’i shpëtuar vorbullës thithëse të kësaj “vrime të zezë” që e ka futur të përditshmen e qytetarit në “pilot automatik” rraskapitës për mbijetesë, është saga e vetë reformës në drejtësi. E kaluar me “konsensus” mjaft vite më parë, ajo akoma nuk zgjon shpresë se para ligjit jemi të gjithë njësoj dhe e zvarritur në kohë, ajo vetëm e ndërlikon më tej misionin e saj.

Sot politika e tranzicionit ndjehet më e plotfuqishme dhe më arrogante se kurrë. Ka futur duart kudo. Nga qorrsokaku pa kthim me fatin e pronës që nga tek i zoti ka kaluar tek më i “zoti” me pasoja social-ekonomike për qytetarin dhe ekonominë, kontrolli ndaj votës përmes një ligji zgjedhor hibrid që garanton statukuonë (ndryshe “establishmentin”) përmes “trastave” partiake, tjetërsimi e degradimi i mjedisit urban e rural në kurriz të natyrës dhe trashëgimisë, zhbërja e trashëgimisë industriale-bujqësore duke futur modën e tregtarit, futja e modelit të “suksesit” të shpejtë në kurriz të vlerave qytetare e respektit ndaj ligjit, pronës dhe tjetrit, provokimi i kohezionit shoqëror përmes politizimit ekstrem dhe vështrimit bardhë e zi të së shkuarës, spekullimi me gjetje si “këshillimi kombëtar” etj për tema të nxehta në vënd, marrja anë në raportin e brishtë ateizëm-besim fetar, diskriminimi mes shtresave në shoqëri dhe sanksionimi i diskriminimin pozitiv në karshillëk të ligjit një për të gjithë …

Pasoja e gjithë kësaj politike 32 vjeçare janë çoroditja publike, pafuqia e humbja e besimit tek ndryshimi, politika dhe demokracia, paniku dhe largimet nga “sytë këmbët” nëpër botë për shumë syresh, ulja e stekës morale qytetare në përpjekjen për mbijetesë… dhe ky si normaliteti i ri!

Politika e tranzicionit ka 32 vjet që “grabit” e “ndal” kohën e qytetarëve duke xhiruar në vënd jetën e tyre me të njëjtat premtime, anatemime, zhgënjime, ndjesa e reflektime të rreme… me kryedëmin më të madh sindromën se ky “vënd nuk bëhet”.

Një amoralitet politik ky që prek fundin sidomos kur vetë shpresa për të ardhmen bëhet kalë beteje nga një takëm në opozitë që dikur hodhën lopatën e parë në varrin e saj. Vërtet në parim opozita është bartësja e shpresës por kur ajo vetë përfaqëson të shkuarën që e lamë pas jo njëherë por dy here, vetë shpresa bëhet vërtetë e pashpresë.

Urim me kuptim!

Qorrsokaku ku na sjell vërdallë prej 32 vjetësh politika e tranzicionit nuk ka pse të jetë agoni pafund e fatalitet si ajo vrima e zezë mes yjeve lart nesh. Drejtësia do të bëjë të vetën por ashtu sikurse thuhet “perëndia, perëndia por dhe duart e mia”, shoqëria duhet të bëjë të vetën.

Demi duhet kapur nga brirët dhe ajo është vota dhe çlirimi saj nga kurthi i kulisit të vitit 2008. Është “guri” i themelit në demokraci, i vetmi “fishek” që kemi në dorë për t’a ulur politikën me këmbë në tokë, i vetmi “çip” që kontrollon më pas çdo politikë social-ekonomike, respektimin e pronës etj. Përpara se të rrezikojë lirinë në betejën me drejtësinë, politika e abuzimit dhe korrupsionit duhet të humbë moralin në ballafaqimin me qytetarinë.

Problemi është se politika e abuzimit nuk do t’a miratonte kurrë, pale t’a ofronte vetë, një sistem zgjedhor që garanton tharjen e “moçalit” në politikë ku deri më tani servilizmi ndaj kryetarit të partisë triumfon ndaj përkushtimit ndaj votuesit. Mjerisht kjo sfidë anashkalohet edhe nga vetë partnerët tanë që preferojnë mbase vijueshmërinë qoftë dhe në kurriz të standartit të përfaqësimit real në kuvënd.

Gjërat mund të lëvizin vetëm nëse imponohen nga një lëvizje qytetare poshtë (jo revolucion aq më tepër i prirë nga nongrata), apo nëse vetë politika e pakapur dëshmon ndjeshmëri. Morali aq shumë i trumbetuar në qeverisje e politikë nuk buron as nga “këshillimet kombëtare” të rradhës, as nga kartonat e deputetëve të hyrë nga “trastat” partiake, as nga riciklimi i së keqes që lamë pas por nga mandati i vulosur nga vota e lirë dhe e pa intimiduar nga kurthi i së “keqes më të vogël” kur hidhet në kuti. Nëse Rama e ekipi i tij besojnë se e meritojnë urimin “puna mbarë” dhe se po bëjnë më të mirën për këtë vënd, atëhere nuk kanë pse t’i ndruhen votës së lirë, bile ajo do t’i lartësojë ata më shumë.

Edhe kur flitet për referendume, i pari që duhet të mbahet duhet të jetë ai për sistemin zgjedhor. Dhe sa kohë politika e ditës mbetet refraktare apo shpërfillëse ndaj tij, krijimi i një Lidhjeje qytetare pro votës së lirë mbetet përgjegjësi urgjente qytetare dhe e mbarë shoqatave civile në vënd. Do të ishte një betejë e gjatë por që rikthen përgjithmonë dinjitetin e votuesit dhe krijon premisa për politikë të përgjegjshme pakthim. Një Lidhje qytetare kjo që mund të shndërrohet edhe në një mundësi elektorale më pas që do të mund të përmbushte të njëjtin qëllim të respektimit të votës së lirë edhe pa pritur pëlqimin nga “lart” për referendum.

Vetëm kur të ndruhet nga vota e lirë, vetëm atëhere politika nuk do e merrte më të mirëqënë votuesin, vetë atëhere koha e shpresa e qytetarit nuk do të merrej më peng prej saj dhe urimet në çdo pragviti të ri për më mirë, për të gjithë, do të bartnin vërtet kuptim.

Sot për sot, urimi që bashkon shumicën qytetare është “mot, pa ata nëpër këmbë”. Kohëngrënësit na morën tashmë tre dekada por ku i dihet, me soj e sorrollop, mund të bëhet një shekull i tërë. Një brezi të tërë iu “vodh” koha e pasuria por ende jo dinjiteti që në vetvete do të ishte një trashëgimi e çmuar për brezat më pas.

Previous articleStudimi: Të qenurit i hidratuar shmang sëmundjet, plakjen dhe vdekjen e hershme
Next articleQindra besimtarë e nisin vitin 2023 në Kishën e Laçit