Home Opinion Koha ka treguar se në diktatura liderët perceptohen si të pazëvendësueshëm

Koha ka treguar se në diktatura liderët perceptohen si të pazëvendësueshëm

oketa1Nga Gazmend Oketa / Kanë kaluar afro shtatë vite e disa muaj që kur me cilësisnë e një qytetari që garonte për të fituar besimin tuaj, ju jam drejtuar për herë të parë nga kjo sallë. Atëherë teksa po përpiqesha të tregoja arsyet ekandidimit tim, ju jam drejtuar me këto fjalë: Emocionet e viteve 90’, si student i asaj kohe dhe pjesëmarrës i grevës së urisë, kam besuar se do të ishin një eksperiencë e papërsëritshme dhe unike në jetën time. Por çuditërisht, sot pas 15 vitesh e gjej veten në të njëjtin udhëkryq dhe me të njëjtat emocione, ku për fatin e keq të shqiptarëve është e njëjta forcë politike që e çon Shqipërinë në këtë udhëkryq. Sot, pas 22 vitesh më duhet të them të njëjtat fjalë, vetëm se forca politike ndyshon. Fatkeqësisht më duket se pak gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Ne mbetemi me të njëjtat problematika, me të njëjtën shkallë korrupsioni, me të njëjtin mentalitet drejtimi. Sot Durrësi dhe e gjithë Shqipëria gjenden në një udhëkryq të ri dhe për të dalë nga ky udhëkryq duhet një vendimmarrje e re. Kjo ishte arsyeja që më nxiti të marr vendimin e shkëputjes nga pushteti, i cili nuk përfaqëson më as ëndrrën shqiptare të 1990-ës as atë të 2005-ës. Ajo që dallon sot nga ato vite është fakti që qytetarët nuk kanë më optimizmin, shpresën se gjërat mund të bëhen më mirë, shpresën se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira, se shërbimi spitalor, arsimor, administrativ do të jetë më i mirë. Dhe t’u vrasësh qytetarëve shpresën dhe besimin, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie. Kur PD të kalojë në opozitë, shumë nga ata të cilët ishin apo erdhën aty, me aset të vetëm servilizmin ndaj kryetarit dhe egon për t’u pasuruar, sigurisht që do largohen, por dëmi që i kanë shkaktuar demokracisë dhe së ardhmes së Shqipërisë e shqiptarëve, të ardhmes së fëmijëve tanë e fëmijëve të tyre, do mbetet për disa vite. Ata që do të mbeten aty do të kenë pak gjëra me të cilat të krenohen. Unë kam dhënë kontributin tim dhe nuk jam aspak i penduar për atë që kam bërë, pasi i kam qëndruar korrekt atyre parimeve për të cilat besoja se ajo forcë i kishte lindur, parime të cilat fatkeqësisht u deformuan në rrugën plot gropa e plot joshje të demokracisë shqiptare.

Do qeverisim me duar të pastra,

do luftojmë korrupsionin,

qytetarët të parët.

Sa e sa herë i kemi dëgjuar këto sloganë? Sa e sa herë i kemi besuar të gjithë së bashku? Sa e sa të vërteta e të pavërteta kemi dëgjuar nga të njëjtët aktorë politikë këto 22 vite? A duhet të vazhdojmë t’i dëgjojmë e besojmë edhe për 22 vite të tjerë? A duhet të vazhdojmë të besojmë akoma se jemi një Zvicër, por Zvicër me det!? A duhet akoma të vazhdojmë të besojmë se jemi të dytët pas Gjermanisë, apo se jemi një Kinë e vogël, kur 35 % e shqiptarëve marrin ushqime me listë!? A duhet të besojmë e votojmë të njëjtët individë, kur shqiptarët sot diskutojnë akoma energjinë, ujin, shkollat, spitalet, papunësinë që rritet, rryshfetin që paguajnë për çdo shërbim që shteti është i detyruar t’ja ofrojë falas!? Shumë shpesh dëgjon qytetarët të thonë se ndryshimi i lidershipit politk duhet, por kush do vijë më pas? A janë më të mirë ata që do të vinë? Koha ka treguar se vetëm në sistemet totalitare liderët perceptohen si të pazëvendë-sueshëm, ata duken të paarritshëm, gati qiellorë. Në vendet demokratike, liderët janë njerëz të zotë, të cilëve u besohet pushteti për të bërë shtet e jo për të fuqizuar pushtetin e tyre. Nuk ishte i pazëvendë-sueshëm as Klinton, as Sarkozy, as Bush, as Blair, as Schroder, as dhe të tjerë. Edhe ata që janë aktualisht në drejtim, janë vazhdimisht në gara serioze me të rinj që i pasojnë. Nuk ka në asnjë pozicion njerëz të pazëvendësueshëm. Vetëm prindërit janë të tillë. Dhe shumica prej nesh e dimë shumë mirë çfarë ndodh kur një parti shndërrohet në nëna parti! Ajo që duhet të na shqetësojë sot si qytetarë e prindër është e ardhmja e të rinjve shqiptar. Nëse modeli që ata duhet të ndjekin për të qenë të suksesshëm është ai i qytetarit dinjitoz, atdhedashës, të ndershëm e punëtor, apo modeli që u serviret çdo ditë në mitingje apo parlament, me servilizma ekstrem apo fyerje pa fund. Këto janë disa motive thelbësore përse ne duhet të kërkojmë ndryshim dhe këtë ndryshim duhet ta bëjmë vetë. Askush nuk do të vijë nga jashtë të na e thotë, është përgjegjësi e jona të angazhohemi dhe të realizojmë atë që i mungon kësaj shoqërie. Nuk ju kërkoj aspak të besoni verbërisht, por ju kërkoj të bashkohemi dhe ta bëjmë të gjithë bashkë këtë forcë politike më të mirën në vend. Politika shqiptare e këtyre 22 viteve, e gjendur çdo ditë mes akuzave dhe kundërakuzave, mes sharjeve e fyerjeve më ekstreme, nuk ka asnjë problem t’i harrojë ato sapo torta e pushtetit vjen për t’u ndarë në tavolinë. Fryma e Re Demokratike, angazhohet të sjellë një tjetër kulturë politike. Ne duam të krijojmë një tjetër realitet politik në Shqipëri. Fryma e Re Demokratike është e bindur se politika nuk është arenbë përleshjesh dhe pazaresh, por betejë principesh dhe argumentesh për të mirën e përgjithshme, sikundër, ndryshimi politik nga ty nuk është armiku yt, por kundërshtimi politik i cili gjen konsensus me ty, jo për pazarin e radhës, por për interesat e vendit. Fryma e Re Demokratike ka vendosur të punojë për të ndryshuar këtë realitet. Në programin tonë, ne do t’i japim përparësi ekonomisë dhe do vazhdojmë çdo ditë të punojmë për të bërë një program që nuk do të kërkojë të bëjë Shqipërinë, Zvicër, Gjermani apo Kinë, por ta bëjë Shqëipërinë më të dashur e me mundësi për punësim e mirëqënie për çdo shqiptar, ta bëjë Shqipërinë jo një superfuqi energjetike apo ulliri, por një vend ku shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e familjeve të tyre qetësisht. Ne do të hartojmë një program ku hapat ekonomikë të jenë jo të bujshëmdhe pa rezultat, por të matur dhe të saktë për të përkthyer çdo iniciativë ekonomike në një përfundim konkret për industrinë, fermerin, fasonin, biznesin e vogël e biznesin e madh. Shqipëria jonë ka qenë dhe është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare, por fatkeqësisht sot, Shqipëria e bashkëjetesës fetare, gjendet e ndarë mes të majtëve e të djathtëve, mes një klime jomiqësore, e cila frymëzohet përditë nga politikanë të cilët parimin përça, baltos e sundo, e kanë pjesë të ADN-së së tyre politike. Për ët ndryshuar të gjitha këto lindi Fryma e Re Demokratike. Partia që ne besojmë se ka hyrë në jetën e shqiptarëve e të durrsakëve si një shpresë e fortë se kjo gjendje do të ndryshojë. Nëse duam që ne dhe e nesërmja jonë të jenë më të mira e më të sigurta, koha është tani. Në këtë përvjetor të 100 të themelimit të shtetit shqiptar, Fryma e Re Demokratike, lind si një shpresë e forcës dhe besimit, se Shqipëria mund dhe duhet të jetë ajo të cilën e projektuan themeluesit e saj në ditën e shpalljes së pavarësisë, se pavarësisht devijimeve apo pengesave, Shqipëria evropiane do të bëhet. Shqipëria do të jetë vendi ku të gjithë shqiptarët të mund të jetojnë e punojnë. Ajo që ne të gjithë së bashku duhet të mbajmë të ndezur është shpresa për fëmijët tanë. Shpresa se ne do t’u hapim atyre një rrugë të drejtë e të denjë që ata të mund ta vazhdojnë pa pasur nevojë të tundin flamujt e partive politike. Ne jemi të brezave të ndryshëm, por besoj se të gjithë bashkë kemi një dëshirë, dëshirën q ëtë rinjtë të kenë më shumë ëndërra, qëllime në jetë dhe të kenë pasion e mundësi, t’i ndjekin e realizojnë ato. Unë kam besim se ne mund të ndërtojmë një të ardhme evropiane për vendin tonë. Unë kam besim se Fryma e Re Demokratike mund ta udhëheqë këtë ndryshim. Unë e kam këtë besim. Ndaj dhe ju ftoj t’i bashkoheni Frymës së Re Demokratike!.

Previous articleNicole dhe Hamilton pushime në Havai
Next articleBuxheti, kolapsi që qeveria ka futur shërbim shëndetësor