Home Bota Kissingeri shpjegon si mund të shmanget Lufta e Tretë Botërore

Kissingeri shpjegon si mund të shmanget Lufta e Tretë Botërore

Në Pekin, u është mbushur mendja top se Amerika do të bëjë çmos që t’ia shtypë kokën Kinës. Në Washington, nuk ka kush ua heq prej mendjes se Kina ka një plan të hollësishëm qysh t’ua marrë Shteteve të Bashkuara flamurin e fuqisë prijatare të botës. Për një analizë të akullt këtij antagonizmi në ngritje – dhe për një plan për t’ia prerë udhën para se të shkaktojë luftë superfuqish – duhet ta vizitoni katin e 33-të të ndërtesës së Art Decos në zemër të Manhattanit, ku ndodhet edhe zyra e Henry Kissingerit.

Më 27 maj, z.Kissingeri mbushi një shekull jetë. Nuk ka njeri tjetër gjallë që ka më shumë përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Së pari, si dijetar i diplomacisë së shekullit njëzet, pastaj si këshilltar i sigurisë kombëtare dhe si sekretar Shteti i Amerikës. Gjatë 46 vjetëve të kaluar do të shërbente edhe si këshilltar dhe emisar te monarkët, presidentët e kryeministrat. Dhe z.Kssinger është i shqetësuar fort. “Dy palët ia kanë mbushur vetes mendjen se tjetri paraqet rrezik strategjik”, thekson ai. “Jemi rrugës drejt një konfrontimi fuqish të mëdha”.

Në fund të prillit, “The Economist” ka folur me z.Kissinger për më shumë se tetë orë se si mund t’i pritet rruga garës ndërmjet Kinës dhe Amerikës pa rrëshqitur në luftë. Diplomati i regjur është kërrusur dhe mezi mbahet në këmbët e veta, por mendjen e ka teh shpate. Megjithëse mendjen e ka te dy librat e ardhshëm, për inteligjencën artificiale(AI) dhe natyrën e aleancave, ngulmon se më i interesuar është që shikimin ta hedhë para sesa kokën ta kthejë prapa.

Z.Kissinger është bërë tym prej garës përherë në ngritje ndërmjet Amerikës dhe Kinës për dominim ekonomik dhe teknologjik. Madje në kohën kur Rusia po bie në orbitën e Kinës dhe lufta ka sjellë ditë të errëta në krahun lindor të Evropës, ai druan se AI-ja do të ndryshojë rivalitetin e madh sino-amerikan. Anembanë botës, baraspesha e fuqisë dhe themeli teknologjik i luftës po ndërron aq shpejt e aq shumë, saqë vendet më nuk kanë asnjë parim të rrënjosur mbi të cilin mund të vënë rend. Dhe nëse nuk ia dalin të gjejnë ndonjë dosido, mund t’i kthehen forcës. “Ndodhemi në situatë si para një lufte botërore”, thekson ai, “ku asnjëra palë nuk e ka luksin e konsecionit politik dhe në të cilën situatë çfarëdo trazimi i ekuilibrit mund të shpjerë drejt pasojave katastrofale”.

Studiojnë më shumë luftën

Z.Kissinger është sulmuar nga shumëkush si luftënxitës për shkak të rolit të tij në luftën e Vietnamit, por shmangien e konfliktit ndërmjet fuqive të mëdha e sheh si fokus të veprimtarisë së tij jetësore. Si dëshmitar i zezonës së madhe të shkaktuar nga Gjermania naziste dhe njeri që vuajti pse iu vranë 13 kushërinj të ngushtë në Holokaust, i është mbushur mendja se shtegdalja e vetme për ta parandaluar konfliktin shkatërrimtar është diplomacia kokëfortë, në kushte ideale e fuqizuar prej vlerave të përbashkëta. “Ky është halli i madh që duhet zgjidhur”, thekson ai. “Dhe besoj se kam kaluar tërë jetën duke u munduar të merrem me të”. Sipas tij, fati i njerëzimit varet nëse Amerika dhe Kina mund ta çojnë mirë krah njëra-tjetrës. Ai beson se përparimi veçmas i rrufeshëm i AI-së u jep atyre vetëm pesë deri në dhjetë vjet për ta gjetur shtegdaljen.

Z.Kssinger ka disa fjalë këshilluese për liderët në ngritje. “Këqyr mirë ku je. Përulësisht”. Në këtë frymë, pika nismëtore për shmangien e luftës është analizimi i acarimit në ngritje i Kinës. Megjithëse i ka dalë nami se po mban ton pajtues ndaj qeverisë në Pekin, e pranon se shumë dijetarë kinezë besojnë se Amerika e ka marrë teposhtën dhe se “rrjedhimisht si rezultat i një evolucioni historik, ata eventualisht do të na e zënë vendin”.

Ai beson se lidershipi i Kinës nuk duron dot diskutimin e politikëbërësve perëndimorë për rend botëror të bazuar në sundim rregullash, sepse ua ha mendja se në të vërtetë kanë për cak shtrirjen e rendit të Amerikës dhe rregullave të Amerikës. Prijësit e Kinës ndihen të fyer prej asaj që e shohin si barrë përbuzëse e ofruar prej Perëndimit për t’i dhënë Kinës privilegje nëse sillet mirë (ata sigurisht se mendojnë që privilegjet janë e drejtë e tyre si fuqi në ngritje). Në të vërtetë, shumëkush në Kinë druan se Amerika kurrë nuk do ta trajtojë Kinën si të barabartë dhe se është budallallëk ta besosh këtë.

Sidoqoftë, z.Kssinger ka paralajmëruar gjithashtu kundër keqinterpretimit të ambicieve të Kinës. Në Washington, “ata thonë se Kina do dominim botëror… Përgjigja është se ata(në Kinë) duan të jenë superfuqi”, thekson ai. “Ata nuk kanë rrokur rrugën e dominimit të botës në sensin hitlerian”, ka thënë ai. “Ata nuk e mendojnë dhe asnjëherë nuk e kanë menduar kështu rendin botëror”.

Në Gjermaninë naziste, lufta ishte e pashmangshme për shkak se i duhej Adolf Hitlerit, thekson z.Kissinger, por Kina është ndryshe. Ai ka takuar shumë prijës kinezë, duke nisur prej Mao Zedongut. Ai nuk e kish vënë në dyshim përkushtimin e tyre ideologjik, por kjo gjithnjë është lidhur ngushtësisht me interesat dhe kapacitetet e vendit të tyre.

Z.Kissinger e konsideron sistemin kinez më shumë konfuçian sesa marksist. Rrjedhimisht, konfuçianizmi i mëson prijësit kinezë të sigurojnë fuqinë maksimale që mund ta ketë vendi dhe të kërkojnë të respektohen për arritjet e tyre. Prijësit kinezë duan të njihen si gjykatësit përfundimtarë të interesave të tyre të sistemit ndërkombëtar. “Nëse ata do të arrinin superioritet që mund të përdoret ndershmërisht, a do të shkonin deri në atë pikë saqë të impononin kulturën kineze?” – pyet ai. “Nuk e di. Instikti më thotë se Jo…, por besoj se është në dorën tonë që të parandalojmë atë situatë që çoi krye prej kombinimit të diplomacisë dhe forcës”.

Një kundërvënie e natyrshme amerikane ndaj sfidës që përbën ambicia kineze do të ishte skanimi i saj, si një shteg për të gjetur mënyrën për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet dy fuqive. Një tjetër do të ishte vënia e themeleve të dialogut të përhershëm ndërmjet Kinës dhe Amerikës. Kina “po rreket të luajë rol global. Ne duhet ta analizojmë në çdo pikë nëse konceptet e një roli strategjik janë kompatibile”. Nëse jo, atëherë do të ngreh krye çështja e forcës. “A është e mundshme që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të bashkekzistojnë pa kërcënimin e një lufte totale kundër njëra-tjetrës? Kam menduar dhe ende mendoj se po”. Por, e pranon se suksesi nuk është i garantuar. “Mund të dështojë”, thekson ai. “Andaj ne duhet të jemi mjaftueshëm të fortë ushtarakisht për ta frenuar dështimin”.

Testi urgjent është si të sillen Kina dhe Amerika ndaj Tajvanit. Z.Kissinger kujton se si në vizitën e parë të Richard Nixonit në Kinë më 1972, vetëm Mao kishte autoritetin për të negociuar për ishullin. “Kurdo që Nixoni ngrinte ndonjë temë konkrete, Mao thoshte: ‘Unë jam filozof. Nuk merrem me këto tema. Le ta diskutojnë këtë punë Zhou (Enlai) dhe Kissingeri’, por kur vinte puna te Tajvani, ishte shumë i drejtpërdrejtë. Ai thoshte troç: ‘Ka një tufë kundërrevolucionarësh. Nuk na duhen tani. Mund të presim 100 vjet. Një ditë do të na duhen. Por ajo kohë është e largët’”.

Z.Kissingeri beson se mirëkuptimi i krijuar ndërmjet Nixonit dhe Maos është shkurtuar në 50 prej atyre 100 vjetëve prej politikës së Donald Trumpit. Ai donte ta fuqizonte imazhin e të sertit, duke përmbysur koncesionet ndaj Kinës për tregtinë. Sa për aspektin e politikave, administrata e presidentit Biden ka shkuar hapave të z.Trump, por me retorikë liberale.

Z.Kissinger nuk do të kishte rrahur këtë shteg po të vinte puna te Tajvanit, sepse një luftë e stilit të Ukrainës atje do të shkatërronte ishullin dhe do të dërmonte ekonominë botërore. Lufta do ta shtynte gjithashtu Kinën të ndryhej përbrenda, dhe frika më e madhe e prijësve kinezë mbetet kryengritja e brendshme.

Frika e luftës krijon terren për shpresë

Frika e luftës krijon terren për shpresë. Halli është se asnjëra palë nuk ka hapësirë për koncesione. Çdo prijës kinezë ka vënë theksin te lidhja e vendit me Tajvanin. Megjithatë, njëherësh, “qysh po shkojnë punët tani, nuk është punë e lehtë për Shtetet e Bashkuara që t’ia kthejnë shpinën Tajvanit pa minuar pozicionin e tyre gjetkë”.

Dalja nga ky qorrsokak, sipas z.Kissinger, lidhet me përvojën e tij diplomatike. Ai do ta niste me uljen e gjakrave dhe pastaj me ndërtimin e avashtë të mirëbesimit dhe krijimin e raporteve. Në vend se të dëgjonte vetëm zemërimet kineze, presidenti amerikan do të duhej t’ia thoshte në sy homologut kinez: “Z. president, dy rreziqet më të mëdha për paqen tani jemi ne të dy. Po, sepse ne kemi aftësinë për ta shkatërruar njerëzimin”. Kina dhe Amerika, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja zyrtarisht, do të synonin përmbajtjen.

Kurrë njëherë adhurues i burokracive politikëbërëse, z.Kissinger do të donte të shihte një grusht këshilltarësh, me qasje të lehtë ndaj njëri-tjetrit, duke punuar bashkërisht taktikisht. Asnjëra palë nuk do ta ndryshonte thelbësisht qëndrimin ndaj Tajvanit, por Amerika do të kujdesej si të dërgonte forcat e veta dhe do të rrekej të mos nxiste dyshimin se mbështet pavarësinë e ishullit.

Këshilla e dytë e dobishme e z.Kissinger ndaj liderëve aspirues do të ishte: “Qartësoni objektivat që mund t’i bëjnë për vete njerëzit. Gjeni mjetet, mjetet e qarta, për jetësimin e këtyre objektivave”. Tajvani do të ishte e para prej shumë fushave ku superfuqitë do të mund të gjenin gjuhë të përbashkët dhe rrjedhimisht të fuqizonin stabilitetin botëror.

Në një fjalim të fundit, sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, sugjeroi se aty do të mund të përfshiheshin ndryshimi klimatik dhe ekonomia. Z.Kssinger ka mëdyshje për të dyja. Megjithëse mbështet me mish e me shpirt aksionin kundër ndryshimit klimatik, nuk ia ha mendja se ai mund të krijojë mirëbesim ose të ndihmojë themelimin e ekuilibrit ndërmjet dy superfuqive. Sa për ekonominë, rreziku është se agjenda tregtare është marrë peng nga luftënxitësit që nuk kanë asnjë fije gatishmërie që t’i lejojnë Kinës pakëz hapësirë sa për t’u zhvilluar.

Qasja krejt ose hiç është kërcënim për rrekjen më të madhe për ulje gjakrash. Nëse Amerika e ka përnjëmend që ta çojë mirë me Kinën, nuk duhet të synojë ndryshim regjimi. Z.Kissinger tërheq një paralele për një temë aktuale nga një mendim që nuk i është shkoqur që nga fillimi i karrierës. “Në çfarëdo diplomacie stabiliteti, duhet të ketë njëfarë elementi të botës së shekullit të nëntëmbëdhjetë”, thekson ai. “Dhe bota e shekullit të nëntëmbëdhjetë bazohej në supozimin se ekzistenca e shteteve që e kontestojnë nuk përbën kurrfarë çështje”.

Disa amerikanë besojnë se një Kinë e mposhtur do të bëhej më demokratike dhe më paqësore. Prapëseprapë, ani pse z.Kissingeri do të donte fort që të kishte një Kinë demokratike, nuk sheh asnjë precedent për këtë pritje. Me shumë gjasë, rënia e regjimit komunist do të çonte drejt një lufte civile që do të ashpërsohej në konflikt ideologjik dhe vetëm do ta thellonte destabilitetin botëror. “Nuk është në interesin tonë që Kina të bëhet pikë e pesë”, thekson ai.

Nga anglishtja: Rexhep Maloku – Koha Ditore

Previous articleHapen fashikujt e ish-Sigurimit të Shtetit për Qazim Mulletin, Prefektit të Tiranës gjatë Luftës së Dytë Botërore
Next articleRrëfehet piromani në Greqi: Më pëlqen të shoh zjarrëfikësit që vrapojnë për të shuar flakët