Po aranzhohet një takim mes të gjitha palëve për çështjen e veriut të Kosovës kanë thënë nga KFOR-i në një përgjigje për Albanian Post.
“Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për AP.
Sa i përket incidentit të mbrëmshëm, kur në rrethinë të Zubin Potokut, vendi ku janë të vendosura barrikadat, u dëgjuan të shtëna armësh, KFOR ka thënë se po vazhdon hetimet.
“KFOR-i po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s”.
Nga KFOR nuk kanë mundur të konfirmojnë se kush shtiu në afërsi të tyre.
“Në incident janë përfshirë persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve”.
Sipas KFOR-it, “zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”. “Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve”.
“Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativet mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”.
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është theksuar se vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në Veri të Kosovës. “Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces”.
Kurse është thënë se KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit. “Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë”.