Home Editorial Këto ndodhin vetëm në shtetin e regjimit politik të hajdutëve

Këto ndodhin vetëm në shtetin e regjimit politik të hajdutëve

Nga Skënder Sadri KAPITI

Kombi, shoqëria dhe shteti modern zhvillohen dhe prosperojnë kur konkurojnë në liri  dhe në demokraci  vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore për emancipimin e shtetit moral.

Korrupsioni, papunësia, varfëria, paraja e pisët, padrejtësia, droga dhe tradhtia kur kapin dhe paralizojnë shtetin , institucionet , drejtësinë dhe shoqërinë, të gjitha këto ndodhin në një shtet në të cilin  është instaluar regjimi politik i korrupsionit, hajdutëve dhe hajdutërisë.

Hajdutët e shtetit e të shoqërisë kanë për moral dhe virtyt vetëm vjedhjen dhe pasurimin duke vjedhur e grabitur pasurinë, paranë e qytetarëve dhe atë publike; hajdutët shtetërorë nuk e kanë për asgjë që të hyjnë e të bëjnë pazare kundër interesave kombëtare për paranë ; nuk e kanë për asgjë që të kultivojnë e të lejojnë kultivimin e trafikimin e drogës sepse prej saj ata fitojnë para; hajdutët shtetërorë shantazhojnë e gjobisin me ligj e pa ligj qytetarët; hajdutët institucionalë shkojnë në punë në administratën qeveritare e administrative vetëm për të vjedhur duke përdorur , manipuluar e shfrytëzuar korruptivisht postin dhe detyrën shtetërore.

Ata   kërkojnë ryshfet për cdo lloj shërbimi shtetëror, gjë që është vjedhje dhe grabitje për qytetarët.

Kur hajdutëria instalohet në shtet, atëhere shteti merr tiparet e një antishteti sa kundërhuman  aq edhe antimoral duke ua bërë qytetarëve jetën të padurueshme, madje edhe më të padurueshme se sa edhe pushtuesi i huaj.

Sistemi hajdutokrat prish shoqërinë, kombin dhe ligjin e moralin.

Hajdutokracisë politike e shtetërore  nuk i intereson as zhvillimi, as mirëqënia dhe as lumturia e qytetarëve të atij shteti.

Hajdutët institucionalë janë vetë tradhtia e tradhtarët më të mëdhej të cilët kanë si tipar dhe synim vetëm hajninë dhe paranë e vjedhur e të grabitur.

Dhe pyesim , se a është instaluar një regjim i tillë hajdutokratësh,  dhe a është një realitet i tillë sot në Shqipëri, kur për ditë shpërthejnë superskandale vjedhjeje e korrupsioni nëpër ministri , qeveri e nëpër bashki, në administratë , polici e drejtësi; ku hajdutëria oligarko-politike bëjnë kërdinë në tendera e në investime publike deri dhe me paratë e vjedhura e grabitura nga hajnija e korrupsioni institucional bëhet edhe  blerja e votës dhe  e demokracisë sic bëri pushteti socialist edhe në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Aq thellë ka depërtuar dhe aq gjërësisht është përhapur vjedhja dhe korrupsioni në Shqipëri sa që kjo e ka shqetësuar jashtë mase edhe aleatin e madh e jetik të shqiptarëve, SHBA-të, të cilat këmbëngulën dhe ia imponuan politikës së Tiranës miratimin e Veting-ut, si dhe ndërmorën edhe vendosje sanksionesh e shpallje persona “non grata”  ndaj disa ishfunksionarëve, shtetarëve dhe  politikanëve të lartë të Shqipërisë, dhe megjithë këto përsëri ka pengesa e vështirësi të mëdha politike, juridike, publike e mediatike në luftën kundër krimit të hajdutërisë  dhe të krimit të korrupsionit institucional.

Dhe përballë këtij realiteti, për ndryshimin e tij për nga më e mira e përmirësimi ishte  dhe është alternativa e Lulzim Bashës; e vërteta dhe e drejta e të cilit në shërbim të të mirës së  përgjithshme  u sulmua nga të gjitha anët nga e vjetra politike  e vjedhjes, papërgjegjshmërisë, mashtrimit, padrejtëisë dhe e korrupsionit.

Është koha për ndërgjegjsim të cilin vetë koha po e kryen; është koha   sidomos për reflektim e reagim, nëse shoqëria e dëshiron ndryshimin për pastrimin dhe Veting-un politik , shoqëror dhe juridik, atë të cilin e kishte dhe e ofroi si mision historik Basha me mbështetjen e SHBA-ve për cmontimin e këtij sistemi hajduto-korruptiv.