Elona Mihali, Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja janë tre anëtarët e trupës gjykuese që do të mbetet gjatë në memorien e demokratëve, pasi tre ditë përpara afatit të dorëzimit të listave për kandidatët në zgjedhjet e 14 Majit i hoqën vulën Sali Berishës dhe ia kaluan Enkelejd Alibeajt.
Në shkallën e parë ishte Agron Zhukri që i dha vulën dhe logon Sali Berishës, por Apeli e prishi vendimin duke e kthyer sërish në shkallën e parë. Mbetet për t’u parë si kanë votuar tre anëtarët nëse vendimi ka qenë 3-0 apo 2-1 dhe nëse grupi i Berishës do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Dispozitivi i vendimit
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore znj. Elona Mihali dhe anëtarë z.Astrit Kalaja dhe znj. Irida Kacerja, me unanimitet, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, vendosi:
1) Mospranimin e ankimit të ankuesit Partia Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, të ushtruar ndaj vendimit nr. 508 rregj them, datë vendimi 22.04.2022 me objekt “Disponim ankimi” të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim ndaj të cilit nuk lejohet ankim.
2) Prishjen e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dergimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
3) Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.