Home Editorial Këshilltare për ta strehuar apo për të mësuar si abuzohet

Këshilltare për ta strehuar apo për të mësuar si abuzohet

turiNga Artur Llana / Dje në redaksi më ka rënë në dorë një material i plotë që tregon me detaje se çfarë ka ndodhur në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve të Durrësit për vitin e kaluar, vit në të cilin kjo drejtori pati si drejtuese prodhimin e koalicionit me PDIU-në dhe natyrisht dhe nja 20 shkrime të gazetës që unë drejtoj. Kur kam nisur publikimin e atyre shkrimeve, pa as më të voglin dyshim që kisha një mori dokumetash zyrtare dhe natyrisht kisha edhe të gjithë komunikimin me sms me ish kryeministrin të atyre që u bënë pre e këtij koalicioni që pati për iniciator Igli Carën. Në fakt kam pritur që prokuroria të vinte dhe të merrej me ato skandale, pavarsisht se më erdhën kërcënime  të  stisura nga bashkëshorti i ish drejtoreshës, një punonjës policie që sot po lufton  për të vendosur rendin e “rilindjes” dhe aq më shumë një kontigjet që me siguri ca lekë ua kishte marrë  për baste ndërsa ju kishte premtuar heshtjen. Nuk erdhi prokuroria. Nuk erdhi as drejtësia, thjeshtë erdhën ata që vijnë gjithmonë edhe kur në pushtet janë “të kuqtë” dhe kur janë “blutë”. Nuk jam ndjerë kurrë i dëshpëruar për atë që ka ndodhur. Ky nuk ka qenë rasti i parë dhe madje nuk do të jetë as i fundit. Kam bërë një kontratë me lexuesin që do ta respektoj kushdo qofshin bindjet e tij. Sot gazeta po nis botimin e një skandali që për nga vlera e abuzimit nuk është ndonjë dëm i madh, por që është tregues i qartë se çfarë ka ndodhur në institucionet që ka drejtuar koalicioni PD dhe PDIU, çfarë ka ndodhur në institucionin që burri bëhet sekser i gruas dhe gruaja bëhet abuzuese dhe hajdute e shtetit duke shkelur ligjet. E kam ndarë shkrimin në disa pjesë pasi në morinë e asaj që po ndodh njerëzit nuk kanë kohë të presin po të reflektojnë. Sot gazeta po nis botimin e një skandali që në fakt ajo e ka deklaruar kohë më parë dhe këtë jo si shenjë e vërtetësisë së saj, po si papërgjegjshmëri e atyre që kanë marrë përsipër rilindjen. Ish drejtoresha e sigurimeve rajonale të Durrësit Monika Tahiri, për një vit ka dëshmuar të gjithë të vërteta që janë thënë në këtë gazetë. Tashmë ata nuk janë më deklarime të tonat, po të organëve kompetente. Organet kompetente nuk janë më  ata që do të merren me ne, po me dokumentin zyrtar të kontrollit. Nuk ndihem aspak keq që pas një viti prokuroria injoroi atë që kemi thënë, ndihem mirë që në këtë vend ka dhe njerëz të administratës që janë të përkushtuar jo vetëm për të luftuar burrin si sekser, por edhe për të treguar se një njeri që vjedh dhe abuzon duhet të shkojë në qeli dhe jo në burg. Po ashtu jam i kënaqur me faktin që këta njerëz i mbron politika dhe politika nuk është opozita dhe as pozita, politika është një grup interesi që një herë quhet integruese dhe një herë rilindase. Drejtoresha e sigurimeve në Durrës  për një vit ka vjedhur, ka abuzuar, ka masakruar me sekserët e saj përfshi dhe burrin pikërisht ata njerëz që kanë nevojë për pesë lekë, jo për buzëkuqe, as edhe për dieta për të shëtitur në emër të institucionit, po për të fituar bukën e gojës. Sado të heshte drejtësia, prokuroria qoftë dhe  struktura të tjera kontrolli kam qenë i bindur se një ditë mallkimi i atyre njerëzve do të zbulonte të vërtetën. Deri këtu pasi askujt nuk i uroj asgjë më shumë. E thashë dhe në fillim, faktet e  raportit janë skandaloze, po thjeshtë ajo që të bën përshtypje ka të bëjë me faktin se  si është e mundur që babëzia e një gruaje që ka vendosur të ketë burrin sekser të shkojë deri aty saqë edhe kur vjedh lekët e shtetit me ato lekë paguan celularin e bashkëshortit. Ky është model i huazuar nga Ruanda, ky është model i huazuar nga formime injorante të atyre që duke dashur të bëjnë shërbesën në fakt kanë bërë rrëfimin e karakterit të tyre. Duke lexuar atë raport të vjen ndot, po të vjen edhe turp që institucionet e shërbimit social janë kthyer në monstra të asaj që po ndodh. Personalisht së bashku me stafin nuk jemi befasuar për atë që ka ndodhur. Aspak pasi shumë nga njerëzit e mij këtu në redaksi e dijnë mirë dhe kanë parë me sy se çfarë ka ndodhur në atë institucion. Ajo që të habit është fakti si është e mundur që kjo ish drejtuese me një mori shkeljesh të emërohet këshilltare e drejtoreshës së përgjithshme. Ka vjedhur dhe abuzuar se ka qenë në dijeni dhe drejtoresha e “madhe”, apo e ka marrë atje se i duhet mënyra se si ka vjedhur dhe abuzuar. Në të dyja rastet ky është një turp, turp që qeveria e rilindjes po hesht. Nuk kam asgjë personale, i kam falur edhe tytat e pistoletës, edhe fjalorin e kërcënimëve të ndyra, po edhe presionet, ajo që nuk kuptoj ka të bëjë me faktin kur dy vetë  që janë kurshërinj njëri drejtues e tjetri sekser me grua drejtuese  duhet patjetër të vazhdojnë të jenë pjesë e rilindjes?