Home Kulture Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë miraton vazhdimin e kërkimeve arkeologjike në Finiq

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë miraton vazhdimin e kërkimeve arkeologjike në Finiq

Gërmimet arkeologjike do të vazhdojnë në qytetin e lashtë të Finiqit, por puna e specialistëve të trashëgimisë kulturore do të vijojë dhe në parkun kombëtar të Butrintit. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mori së fundmi vendime për pasurinë arkeologjike në Finiq dhe Butrint, ku puna e specialistëve do të vijojë gjatë këtij viti. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet mes të tjerave se nëntoka e pasur mban fshehur fakte të vlefshme të historisë sonë. “Finiqi e Butrinti, këto pasuri të trashëgimisë sonë kulturore, kanë ende shumë për të na treguar.

Nëntoka e tyre e pasur mban fshehur, me siguri, fakte të vlefshme për historinë tonë. Ndaj në vijim të gërmimeve arkeologjike të një viti më parë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë miratoi vijimin e kërkimeve arkeologjike në terracën në jug të agorasë helenistike dhe në sektorin lindor”, bën me dije ministrja e Kulturës. Në vijim, ministrja Margariti shprehet se gjatë këtij viti në Butrint do të jetë në vëmendje dhe rilevimi i mureve rrethuese, si dhe sondazhet që kanë nisur, që në 2019. “Ndërsa në parkun kombëtar të Butrintit, gjatë këtij viti do të vijojë rilevimi i mureve rrethuese, veçanërisht i traktit që kalon mbi Sanktuarin e Asklepit dhe sondazhet e nisura në vitin 2019, në zonën e akropolit”, pohon ministrja e Kulturës. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale i krijuar me ligjin e ri për trashëgiminë kulturore dhe muzeut në 2018 është organ kolegjial vendimarrës pranë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, i cili kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga 15 anëtarë, të përcaktuar me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

Butrinti dhe Finiqi

Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, “Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Edhe qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike. Qyteti antik i Foinikës mori statusin park arkeologjik kombëtar në vitin 2005. Ai ndodhet në një kodër 283 metra të lartë mbi nivelin e detit, 9 kilometra në lindje të qytetit të Sarandës.  Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.

SOURCEbulevard news
Previous articleShkollat hapen me 14 shtator, Floida Kërpaçi ngre pikëpyetjen e madhe ndaj ministrisë së Arsimit: Ende nuk e dimë sesi…
Next articleCOVID-19/ Mjeku Petrit Vargu zbulon se çfarë po ndodh në QSUT: Po detyrojnë personelin mjekësor që të…