Home Aktualitet Këshilli i BE-së jep miratimin, hapen negociatat për marrëveshjet e Frontex me...

Këshilli i BE-së jep miratimin, hapen negociatat për marrëveshjet e Frontex me vendet e Ballkanit Perëndimor

Këshilli i Bashkimit Evropian tha të premten se ka miratuar hapjen e negociatave për marrëveshjet e përmirësuara të statusit të Frontex me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Marrëveshjet e reja do të lejojnë stafin e Frontex të ushtrojë kompetenca ekzekutive, të tilla si kontrollet kufitare dhe regjistrimi i personave, në të gjithë kufijtë, duke ndihmuar kështu vendet në përpjekjet e tyre për të menaxhuar flukset migratore, për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe për të trajtuar krimin ndërkufitar në të gjithë territorin e tyre.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese të statusit me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, vendosja e trupave të përhershme mund të bëhet vetëm në kufijtë e vendeve me BE-në dhe pa ushtruar kompetenca ekzekutive. Negociatat me Bosnjën dhe Hercegovinën u finalizuan në vitin 2017, por marrëveshja e statusit nuk është nënshkruar ende. Frontex përfundoi marrëveshjen e statusit me Shqipërinë në tetor 2018, me Malin e Zi në tetor 2019 dhe me Serbinë në nëntor 2019.

Komisioni Evropian në tetor miratoi një rekomandim për Këshillin për të autorizuar hapjen e negociatave të marrëveshjeve të statusit të përmirësuar të Frontex me katër vendet. Frontex është një agjenci e Bashkimit Evropian me seli në Varshavë, Poloni, e ngarkuar me kontrollin kufitar të Zonës Shengen Evropiane, në koordinim me rojet kufitare dhe bregdetare të vendeve anëtare të zonës Shengen.

Previous articleKatari fut kombëtaren shqiptare në hijen e trukimit të ndeshjeve! FIFA në alarm një ditë para Botërorit
Next articleVIDEO/ Pallati në Durrës rrezikon jetët e qytetarëve, fasada prej xhami kriset dhe fillon të bjerë