Home Letersi Këngë dashurie në varreza

Këngë dashurie në varreza

kadri dimni Nga Kadri Dimni / Në bujqësi ditët e shkurtit duken të shkurtëra. Të parët e katundit kishin ikur me kohë në qytet,me demek për probleme pune. Në fakt s´kishin çfarë të bënin në kooperativë.Më kishin lëne mua te prisja në kooperativë se mos vinte ndonjë nga lart domethënë nga Rrethi sepse nga Ministria vështire se vinin, ata kishin harruar të vinin. Afër perëndimit të diellit ngaqë nuk kisha se çfarë të beja dhe une në kooperative, mora motoçikleten, një Jawa te vjetër dhe u nisa për në shtëpi. Sapo dola në xhadë pashë një veture fringo të re që ktheu në rrugicen drejt kooperativës tonë. E njoha menjëhere makinën e sekretarit të parë të Rrethit, u ktheva me shpejtësi dhe arritëm në qendër të kooperativës në të njëjtën kohë. Sekretari i parë u pershendet me ata njerëz që gjeti në qendër dhe sa mberrita më dha dorën duke më pershëndetur pak me kokë. Sekretari i parë ishte shumë i komunikueshëm me njerëzit, ai dinte të degjonte dhe zyrtarët por dhe hallet e njerëzisë. Kishte trup mesatar, fytyrë të bardhë. Ai ishte njeri që reflektonte kulturë që në pamje të pare. Ishte një nënpunës i çuditshëm, për atë thuhej se kishte dhe piano në shtëpi. Asnjë nënpunës i rangut të tij nuk kishte piano në shtëpi dhe që dinte ta ushtronte. Gishtat e tij ishin vërtet të hollë dhe të gjatë si dorë pianisti. – Si i kemi punët me grurin?-pyeti ai pa e drejtuar shikimin asgjëkundi, duke pritur që dikush të përgjigjej në mungesë të drejtuesve të koorporativës. Fillova të flisja për aq sa dija, dhe së fundi thashë si me turp se kishim kthyer për të rimbjelle nja njezet ha, për të cilat kishim bërë shumë sherr me shefin e bujqësise së rrethit. Ja theksova dhe ketë, megjithëse kisha bindjen se ai i dinte këto gjëra dhe pa ja thënë unë. Për çështjen e bujqësise ai ishte vazhdimisht shumë i azhornuar. E çfarë është kjo? Për kaq pak gjë keni bërë sherr? Në vite me lagështire si ky janë kthyer shumë dhe shumë hektar. Ky ështe vit bereqeti,ështe vit gruri. Do të marrim grurë të mire sivjet.Si thua ti Xhevit pyeti ai atë nëpunesin e seksionit të bujqësise të rrethit,që e mbante zakonisht me vete kur shkonte fshatrave. Nëpunesi i vjeter i seksionit kishte qënë partizan në një brigate me sekretarin e parë. Ishte punonjësi me i vjetër i seksionit dhe sado të ndërroheshin shefat e seksionit të bujqësise apo kryetarit e komitetit ekzekutiv,Xhaviti me shoferin e sekretarit të parë do të gjenin mundësine të pinin ndonjë gotë të madhe me raki. Sekretari i pare nuk u thoshte as dhe një fjalë kur ata pinin.Ai i nxiste ata të pinin por vetë nuk pinte për shkak të keshillave të doktorëve.Ai i vlerësonte të dy shokët dhe ndaj shokëve të luftes ai do të ishte tolerant gjithnjë. Po varrezat e fshatit i ndreqe? pyeti ai kryetarin e pushtetit që kishte ardhur tashmë nga qyteti: – I ndreqëm – u pergjigj kryetari. Ja ketu afër janë.Do i shohim? – Shikoi me Xhavitin. – vazhdoi sekretari – merruni me hallet e njerëzve. Xhavit shko të shikosh varrezat.- Xhaviti shkoi. Sekretari i parë filloi të fliste për politikë që ishte dhe puna e tij.Ai vleresohej si poet i bujqësise por dhe artist i fjales.Fshatarëve të mbledhur rreth tij ai dinte si tu fliste dhe ata ishin gjithë sy e veshë.Me shumë efekt nuk mund të jepte as dhe një mbledhje nga ato të veçantat.Në fund u largua sëbashku me Xhavitin. Mua më ngeli mendja te thenia e tij se “do të jetë vit gruri”.E ku e dinte ky njeri ketë? I hipa motorcikletës dhe ika.E çfarë do të bëja une në koperative? Të nesërmen ja thashë agronom Agimit punën e grurit e pastaj të gjithëve me rradhe.Mirë, mirë,u pergjigj kryeagronomi. E ku e din ai do te behet apo s’do të bëhet gruri apo “do të bëhen goricat sivjet se me hahen mua”? Ndërsa të parët e katundit u interesuan se mos ishte bërë ankim kundrejt tyre. Sidomos kryetarit ju bë shumë qefi që nuk ishte përmendur emri tij për keq. Ai u jepte shumë rëndësi opinionit që kishin të parët e rrethit për të. Pas ca kohësh në koorperativë erdhi Xhaviti për problemet e planit. I pëlqente edhe muhabeti me Shabanin. Ai ishte gojë ëmbel këndonte dhe shumë bukur. Ishte ashik i këngës. I pëlqente edhe Xhaviti që kur pinin kurr nuk e tepronte në të pirë. Për Shabanin, Xhaviti përfa-qësonte qeverinë, dhe me qeverinë duhet bërë kujdes sido që të jetë puna. Të dy ja kishin gjetur lezetin e bisedes njeri me tjetrin. Por jeta vazhdonte me të sajen. Ajo këndonte mbi kurrizin e fshatarit dhe të qeve të punës që e kishin qafën gjithnje të ulur nga punët e rënda të bujqësisë. Të tjerët që vinin nga rrethi apo ministria bënin sikur ndihmonin, merrnin ndonjë kopje të evidences, hanin dreken dhe ikinin nëpër punërat e tyre. I vetmi që ndihmote vërtet ishte Xhaviti. Ai nuk bezdiste njeri nuk shamatoste asnje. Ai rrinte vetëm me Shabanin, nuk kishte punë as me kryetarin. Erdhi vera u poq gruri dhe për çudine e madhe të kryeagronomit gruri paraqitej i mbarë, do të realizohej plani dhe do të jepeshin teprica. Buka e grurit e gëzonte njerzine. Kjo ishte çudi e madhe edhe për agronomin që bënte ç’bënte dhe thoshte, po vallahi i doli fjala sekretarit të parë, u be gruri. Kishte filluar fushata e korrjeve dhe shirjeve të grurit për të cilen flitej nëpër gazeta. Në punët e bujqësise duheshin të gjithë njerzia biles pensionistët dhe fëmijët e shkollave. Bile dhe dyqanxhinjtë e zonës do të ishin dhe dhe ata në fushë. Për popullin ata shërbenin vetëm pas dite. Njerzit mobilizoheshin si çdo vit tjetër. Planet e punës dhe të deleguarit pak pune bënin. Tjetër ishte instikti dhe tradita e fshatarit dhe tjetër ishin të deleguarit e qendrës apo të rrethit. Xhaviti që rrinte më gjate në kooperativen tonë, rrinte gjithë ditën me Shabanin e planit i cili binte në sy për trupin e tij të vogël. Ishte nervoz, por i zgjuar dhe dinte të jepte gjithnjë një përgjigje të sakte. Me Xhavitin punohej lehtë ai nuk u këpuste të trasha fshatarëve apo drejtueseve të kooperativës. -Ikim Shaban,-pyeti Xhaviti. -Mirë si të duash. Shkojmë në sektorin e tretë dhe të katërt. Aty gruri po jep rendiment të larte. Janë më të lartat në kooperativë. Duket që gruri sivjet është shumë mirë. Do të kemi bereqet sivjet Xhavit-tha Shabani-do të hanë njerzit bukë gruri. Dhe ata të dy shkuan nëpër sektorë. Në drekë pushohej dhe Xhaviti me Shabanin u kthyen në zyre. Atje në hije të fikut ishte një djale i vogël me një traste në dore, Shabanit iu duk i njohur si djali i mikut te tij. – More çun çfarë kërkon-pyeti Shabani djalin me butësi ashtu si dinte ai te sillej me këdo qoftë i vjeter apo i ri. Mirëdita përshëndeti djaloshi gjithë gëzim se po plotësonte një porosi për Shabanin që e donin të gjithë në katund. Më ka dërguar babai me një shishe raki të vjetër rrushi dhe pak meze. Ta festoni edhe ju festën e grurit. Sektori ynë ka dalë shumë mirë sivjet. Do të hamë bukë gruri dhe ne xha Shaban ashtu thot babai.-nxitoi të thotë djali. Shabani falenderoi duke e puthur fëmijen me shumë dashuri. Kështu bëri dhe Xhaviti. Djaloshi iku duke përshëndetur. -Ku të shkojmë ta pimë ketë raki? Qenka vërtet e mirë rakia, raki e rrallë.-pyeti Xhaviti kot së koti sepse e dinte që Shabani do të gjente një zgjidhje. Ti shkoje fshatarëve në shtëpi në atë ore nuk shkonte fare. Pa pritmas Shabani u çel në fytyrë. E gjeta-tha Shabani, shkojm te varrezat e fshatit. Ka hije të mirë në varreza dhe rakinë e pimë aty.Ka një fik të madh tek varrezat. Ka hije të rëndë fiku po nuk ka problem se nuk na shqetëson njeri.Dhe Shabani vazhdoi të fliste për lezetin që kishte pija nëpër varreza. Ai tha se dhe herë të tjera kishte pirë raki në varreza. -Nuk pihet rakia në varreza Shaban,-tha Xhaviti.-Eshte gjynah, është mëkat. -Gjynahet i mbaj unë sepse kam shumë gjynahe të tilla mbi shpatullat e mia-dhe Shabani u ngrit i pari. Varrezat e fshatit nuk ishin larg. Të dy u ulen në hije të fikut të madh dhe të dy ja shtruan pijes dalëngadalë pa u ngutur. Rakia ishte më të vërtet tërheqëse po ajo e shkreta sa më e mirë të jetë aq më shumë kërkon këngën. Si ashik të rakisë të dy e dinin mirë këtë gjë. Shabani e pa Xhavitin drejt e në sy: -Ja marrim një këngë? A ja marrim asaj qyqes së beharit? Dhe Shabani pa pritur përgjigje ja mori qyqes. Dhe këngët rrollën të gjitha njëra pas tjetrës e të gjitha këngë dashurie. Shabani nuk dinte këngë të tjera vetëm këngë për dashurinë, për flokët e goces si pende e korbit. I tillë ishte Shabani. Kur mbaruan këngët kishte mbaruar dhe shishja e rakisë dhe të dy i mori gjumi në hijen e fikut. Kur u zgjuan ishte errësirë. Shkuan të flinin në stolat e zyres. Poterja filloi të nesërmen në mëngjes. Ishte pirë raki në varreza dhe ishin kënduar këngë dashurie. Kryetari i tha Shabanit se do të pushohej nga puna. Do të njoftoj dhe kryetarin e rrethit-tha ai. Të deleguarit përse vine këtu për fushatë apo për të pire raki. Xhaviti nuk e prishi gjakun shkoi menjëhere te zyra shokut të vjetër të luftës që sot ishte sekretari i parë i rrethit. Sekretari personal i tij i tha se shefi nuk kishte pritje sot dhe kishte dhënë urdhër të mos priste asnjë njeri në zyrë. Dhe Xhaviti u detyrua të gënjejë. Fola në telefon me të. Më pret brënda.- i tha. Mirë futu.-i tha sekretari. Sekretari i parë u përshendet me Xhavitin dhe u habit që ai kishte ardhur pa njoftuar si ndodhte zakonisht. Ai i dha një cigare dhe i mbushi një gote raki nga ajo e mira që ai e mbante një shishe për miq. -Përse paske ardhur? Nuk je në fushatë ti Xhavit? Bëra një budallik dje. Vetë më ke thenë se po bëre ndonjë budallallëk hajde tek unë. Dhe unë erdha. Kryetari do të më pushoje nga puna. Ashtu dhe Shabanin në kooperativë. Për atë erdha së pari pastaj për veten time. Sekretari i parë dëgjonte dhe qeshte me gjithë zemer. E pa dëgjuar ndonjiherë! Bisedoj unë me kryetarin e rrethit, dhe me kryetarin e kooperativës. -Pije dhe një gotë tjetër raki. Të bëftë mire dhe e paç hallall se është realizuar plani i grurit në shkallë rrethi. Të tjerat të gjitha ndreqen. Shabani dhe Xhaviti nuk u pushuan nga puna. Së fundi vdiqën nga zoti. U prishën kooperativat,s´ka më të deleguar për fushatën e grurit por kujtimi i tyre është gjall dhe sot e kësaj dite. “Mbani mënd atë vit që u prodhua grurë me shumicë dhe u pi rakia në varreza, cfarë zëri më kishte ai Shabani,bilbil dhe shkuar bilbilin”

Previous articleSadiku, futbollisti shqiptar më i kërkuari në merkato
Next articleIvanov para diplomatëve: Sivjet mund të gjendet zgjidhje për emrin