Home Bota KE: Përgëzojmë Shqipërinë për angazhimin për reformën në drejtësi, dënojmë konfrontimin politik

KE: Përgëzojmë Shqipërinë për angazhimin për reformën në drejtësi, dënojmë konfrontimin politik

Komisioni për Punët e Jashtme i Bashkimit Evropian  përshëndeti angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE.

Në projektraportin e Komisionit për Shqipërinë për vitin 2022, relatuar nga raportuesja Isabel Santos thuhet se BE përshëndet angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, që reflekton konsensusin mes partive politike dhe mbështetjen dërrmuese në mesin e qytetarëve.

Ai e përgëzon atë për solidaritetin dhe konsistencën, harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë përgjigjen e saj të qartë kundër agresionit rus në Ukrainë.

KE nxit politikëbërësit që të përshpejtojnë reformat që mundësuan Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe një fillim të suksesshëm të procesit të shqyrtimit, për të demonstruar progres të qëndrueshëm në garantimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtat themelore; nxit vendimmarrësit që të punojnë së bashku drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit deri në vitin 2030; thekson nevojën për të forcuar transparencën, përgjegjshmërinë dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit, përfshirë dimensionin parlamentar.

Demokracia dhe shteti ligjor

KE Kujton se sundimi i ligjit dhe integriteti institucional janë shtylla kurrizore e demokracisë, qëndrueshmërisë shoqërore dhe kohezionit socio-ekonomik.

Përgëzon angazhimin e Shqipërisë për të përfunduar reformën e saj gjithëpërfshirëse në drejtësi; inkurajon vendin të intensifikojë hapat që synojnë finalizimin e procesit të vetingut dhe sigurimin e drejtësisë universale nëpërmjet masave ndërsektoriale;

Dënon konfrontimin politik dhe veprimet përçarëse dhe nënvizon një politikë të përbashkët dhe përgjegjësinë sociale për reformat; fton aktorët politikë të rrisin angazhimin e tyre për të dialoguar dhe për të forcuar institucionet dhe procedurat demokratike nëpërmjet angazhimit konstruktiv, konsultimeve gjithëpërfshirëse dhe vendimmarrjeve transparente; rikujton nevojën për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare.

Insiston në financimin e duhur dhe funksionimin efektiv dhe të paanshëm të
organeve dhe agjencive të pavarura; njeh kontributin e pavarur të shoqërisë civile dhe medias në luftën kundër korrupsionit;

Shënon progresin e vazhdueshëm dhe pret përmirësime sistematike në parandalimin, hetimin proaktiv dhe ndjekjen penale dhe joselektive për rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar; bën thirrje për më shumë progres në krijimin e një administrate publike gjithëpërfshirëse, efikase, të koordinuar mirë dhe të përgjegjshme;

Shpreh shqetësimin për aspektet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe nënshtetësinë e propozuar nga skema e investimeve, që nuk janë në përputhje me normat e BE-së dhe të politikës së saj të vizave;

Bën thirrje për veprime të vazhdueshme për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë, duke trajtuar rrjetet kriminale të trafikimit dhe duke rritur bashkëpunimin me agjencitë e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të BE-së; mirëpret hetimet e suksesshme ndërkombëtare dhe operacionet e policisë për të luftuar trafikimin e njerëzve, narkotikëve dhe armëve të zjarrit dhe mashtrimet në internet;

Thekson detyrimin e autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në  prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimet, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesioneve; nënvizon nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin sipas një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe ndjekjen penale të incidenteve të mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal dhe anashkalimin e sanksioneve;

Dënon ndërhyrjet malinje të huaja dhe sulmet hibride, përfshirë dezinformimin,
spiunazhin dhe nxitjen e të gjitha formave të radikalizimit dhe sulmeve kibernetike kundër qytetarëve të Shqipërisë dhe infrastrukturës kritike; fton autoritetet të parandalojnë rrjedhjet e të dhënave duke forcuar sigurinë kibernetike;

Liritë themelore dhe të drejtat e njeriut

Vë në dukje hapat ligjorë të ndërmarrë për eliminimin e diskriminimit ndaj pakicave dhe bën thirrje për hapa praktikë për të siguruar përfshirjen e tyre, përkatësisht përfshirjen e LGBTI+, minoritetet rome dhe egjiptiane; kujton nevojën për të luftuar dhunën me bazë gjinore, për të rritur mbrojtjen e fëmijëve, për të miratuar dhe zbatuar legjislacionin për të drejtat e pakicave, për të forcuar të drejtat pronësore dhe kryerjen e regjistrimit të popullsisë; nënvizon rëndësinë e heqjes së barrierave për përfshirjen socio-ekonomike të personave me aftësi të kufizuara;

Shpreh shqetësimin për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias dhe thekson rolin e liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për ndjekjen e këtyre lirive; dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe për të fshehur në mënyrë arbitrare informacionin publik, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve; u kërkon autoriteteve të marrin masa të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimin ndaj gazetarëve; mirëpret tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes; i kërkon qeverisë për të siguruar pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë së medias, financimit dhe reklamimit publik;

U kërkon autoriteteve të kundërshtojnë dezinformimin dhe narrativat manipulative dhe të përmirësojnë kushtet e punës së gazetarëve;

Nënvizon rëndësinë e një kornize gjithëpërfshirëse për një shoqëri civile kuptimplote dhe të
angazhuar në proceset e vendimmarrjes;

Pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore

Përgëzon angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në iniciativat e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal dhe ndërkufitar; mirëpret përparimin e prekshëm të arritur në kontekstin e Procesit të Berlinit dhe samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë;

Rikujton nevojën për të përfunduar procesin e deklasifikimit të dosjeve të kohës së komunizmit dhe duke i bërë ato të aksesueshme për studiuesit dhe publikun e gjerë me qëllim avancimin e drejtësisë dhe pajtimin;

Reformat socio-ekonomike

U kërkon autoriteteve të vazhdojnë reformat strukturore që mundësojnë rimëkëmbjen e qëndrueshme dhe rritjen gjithëpërfshirëse përmes përmirësimit të qeverisjes, shtetit të së drejtës, digjitalizimit dhe aksesueshmërisë, përjashtimit të reduktuar social, formalizimit të ekonomisë, arsimit, përmirësimin e aftësive, përmirësimin e kushteve të punës dhe dialogun social;

Nënvizon natyrën transformuese të asistencës thelbësore të BE-së të ofruar në bazë të
IPA III dhe Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Garancinë Rinore në Ballkanin Perëndimor; kujton se, në përputhje me kushtëzimin IPA III, financimi duhet të reduktohet ose të pezullohet në rastet e kthimit prapa ose vonesave të pajustifikuara;

Energjia, mjedisi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ndërlidhja

Mirëpret hapat në përshpejtimin e tranzicionit të energjisë dhe diversifikimit të energjisë drejt energjisë së erës dhe diellit; përshëndet, në këtë drejtim, paketën e mbështetjes energjetike të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe u bën thirrje autoriteteve që ta përdorin sa më mirë këtë ndihmë në për të ndërtuar një treg energjie elastik dhe miqësor ndaj mjedisit;

Kërkon masa të planifikuara tërësisht për biodiversitetin, ujin, ajrin, klimën dhe
menaxhimin rajonal të mbeturinave dhe ndotjen industriale; thekson nevojën për forcimin e qëndrueshmërisë së vendit ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike; vë në dukje hapat fillestarë të ndërmarrë për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës;

Bën thirrje për përmirësimin e transparencës, sjelljes, zbatimit dhe monitorimit të
vlerësimit të ndikimit mjedisor, veçanërisht në projekte me pasoja të mëdha mjedisore dhe socio-ekonomike; shpreh shqetësimin për ndikimin ekonomik dhe mjedisor të projekteve zhvillimore jokonkurruese me financim të huaj; u bën thirrje autoriteteve të ndërmarrin masa urgjente për të luftuar krimin mjedisor;

Përshëndet aderimin e plotë të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së;

Kërkon miratimin e shpejtë të strategjisë kombëtare të transportit, duke përfshirë planin e saj të veprimit./ a.jor.

Previous articleAntigonea po bëhet gati për sezonin turistik
Next article“Si nuk e çave menderen hiç”/ Luizi shumë i sëmurë, Kiarës as që i intereson: Ti atë punë ke çdo 2 ditë…