Home Letersi Kavaja e demokracisë dhe memoria që fiton luftën kundër mohimit

Kavaja e demokracisë dhe memoria që fiton luftën kundër mohimit

Rreth librit “Pishtarët” 1990, të autorit Shefik Myftiu)

Nga Shpendi Topollaj

Në fushën e letërsisë, për lexuesin e zakonshëm, emri i shkrimtarit kavajas Shefik Myftiu, deri para dhjetë vjetësh, ndofta nuk ka qenë shumë i njohur. Ai kishte shkruar nja dy libra me fabula e fjalë të urta dhe herë pas here kish botuar poezi humoristike në shtypin lokal. Mirëpo pasioni për letërsinë dhe përvoja e grumbulluar, por edhe ato që ka parë me sytë e tij, duket se në vitin 2008 e kanë shtyrë për të shkruar librin “Pishtarët – 1990”, ku menjëherë bije në sy dhënia e një kontributi të madh në pasqyrimin me saktësi e të vërtetave rreth atyre ngjarjeve të stuhishme, ku djemtë e Kavajës ose më drejtë të themi, i gjithë populli i këtij qyteti, u përfshi me guxim të pashoq në luftën për përmbysjen e diktaturës më të zezë të të gjithë Evropës. Ky libër erdhi pikërisht, kur historia jonë kish nevojë për të. Dhe ai nuk është rezultat i studimeve të ndonjë historiani, ku siç dihet nuk mungojnë edhe pasaktësitë e subjektivizmat, por i dëshmive të një njeriu që ka qenë protagonist në ato që përshkruan. Them kështu, pasi duke e përjetuar nga afër epopenë e Kavajës së vitit 1990, kam mbetur disi i zhgënjyer, kur kam parë se të gjithë ata që kanë shkruar rreth revoltës popullore të asaj kohe, guximin për t`u ndeshur me të keqen dhe sakrificat e njerëzve të atij qyteti i cili dha dhe dëshmorin e parë të demokracisë, Josif  Budon, e kalojnë disi në heshtje, Mendja e fuqishme sokratike na mëson se “E vërteta nuk mund të përkufizohet në saj të dobisë personale, të tekave personale e të rastit.”Kurse ne që i kemi jetuar ato kohë, e dimë fare mirë se erdhi një moment që zemërata popullore nuk e po duronte më shtypjen dhe ishte gati të shpërthente. Por, asnjëherë nuk duhet harruar, se të parët që u ngritën dhe i vunë gjoksin tërbimit të përbindëshit komunist dhe që u bënë shembull frymëzimi për të tjerët, ishin qytetarët e Kavajës, pa nënvleftësuar Shkodrën dhe sidomos lëvizjen studentore etj. Kjo del edhe nga dokumentet e vetë atij sistemi, ku ministri famëkeq Simon Stefani, duke folur për situatën tejet të acaruar të Kavajës që s`ishte parë ndonjëherë, i raportonte R. Alisë se këto trazira mund të nxiteshin edhe nga agjenturat e huaja. Dhe ky i fundit nga ana e tij, komentonte, duke shtrembëruar të vërtetën se “…mbështetja për aktivitetin e armikut vjen nga një konglomerat njerëzish të çorientuar, që ëndërrojnë të kenë një ekzistencë si në parajsë, si reklamat në ekranet e televizionit…Nga kjo shtresë vjen kontigjenti kryesor i atyre që hynë në ambasada; këta ishin protagonistët e ngjarjeve që ndodhën në Tiranë, Kavajë, Shkodër e gjetiu.” Kjo del e qartë edhe te libri “Shqipëria e re” i Fred C. Abrahams i cili ndër të tjera shprehet: “Një natë shkurti, Çezar Petja dhe Gëzim Çelhyka u futën fshehurazi në një shkollë të qytetit… dhe shkruan parulla “Poshtë diktatura”, “Enver – Hitler”, “Nexhmije kurva”. – Ai vazhdon se – Gëzimi që kishte studiuar për pikturë, shkroi me dorën e tij të majtë, në mënyrë që policia të mos e njihte dot shkrimin e tij.” Dhe më tej, na thotë se si ata me Xhevat Ylviun formuan një grup të vogël “për të provokuar regjimin dhe për të treguar se kishte ardhur koha për ndryshim.” Të gjitha këto përputhen plotësisht me ato që na rrëfen Shefik Myftiu, i cili na e jep rritjen e zemërimit popullor, ashtu siç erdhi, dhe nxitësit e saj jo si huliganë apo rrugaçë që kërkonin parajsën, por si djem të thjeshtë dhe të ndershëm të këtij qyteti që kurrë nuk e kishte dashur, ashtu sikurse edhe Shkodra, komunizmin. Si djem që kërkonin të drejta njerëzore dhe mundësi jetese si gjithë popujt e qytetëruar. Dikur Volteri pati thënë se “Sa herë duam që një sistem shoqëror të ndryshojë natyrën e njeriut, para se të ndryshojë sistemi njeriun, ndryshon njeriu sistemin.” Dhe ata ishin njerëz që ai sistem i urryer nuk i ndryshoi dot, nuk ua fashiti as dëshirën për liri e demokraci, por dhe as i tjetërsoi në karakter, nuk i bëri dot servilë, spiunë e hipokritë të nënshtruar. Në ndërgjegjen e tyre, terrori, kufizimet, ndëshkimet, varfëria, papunësia, mungesa e shprehjes etj. bënë efekt të kundërt. Ato i bindën, se kështu nuk shkohej më. Dhe qosheve të qytetit, u morën vesh se duhej vepruar. Dhe jo vetëm në stadium, ku gjatë një ndeshje futbolli më 25 mars 1990, ulëritën me sa patën në kokë “Liri – Demokraci”apo në Golem, ku luanin teatër duke imituar kokëtrashët e Byrosë Politike haptazi, por edhe në qytete të tjera si Durrës, Lushnje, Shkodër, Elbasan e Korçë. Por këtë ndikim përçuan edhe studentët atje në Tiranë, ku u rrëfenin të tjerëve ato që ngjisnin në qytetin e tyre. Jam shprehur edhe një herë tjetër se atë që pritej të ndodhte në këtë qytet e kam parë shumë më herët te familja e Idriz Kazazit (që aq mirë na e portertizon autori i këtij libri), djemtë e të cilit, nipër të intelektualit antikomunistit Kudret Kokoshi, ishin kushërinjtë e mi dhe që nuk u bënte syri dritë kur shpreheshin me aq neveri për diktatorin. Ashtu sikurse i kam takuar djemtë e tjerë nga Kavaja në grevën e studentëve dhe më pas, po atë ditë në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Në librin e Shefik Myftiut ka një kronologji të saktë, situatat pasojnë njera – tjetën sipas radhës edhe pse autori ka zgjedhur t`i paraqesë si biseda rastësore gjatë një seminari midis dy shokëve të vjetër; një mjeku nga Shkodra dhe Besnikut nga Kavaja. Shkodrani di ato që ka parë në qytetin e tij, ndaj e dëgjon me respekt dhe admirim shokun e shkollës, kur i tregon për përleshjet e të rinjve në Kavajë me policët e forcat speciale, akoma më përpara. Ai dëgjon me vëmendje qëndresën para goditjeve, arrestimeve, torturave e plagosjeve dhe mostregimin e shokëve nga ana e atyre që arrestoheshin. Ngjarjet historike, veç masave të gjera, kanë emra të përveçëm. Dhe Shefiku këtë bën, duke i dhënë gjithkujt vendin e vet për rolin që ai ka luajtur, pa pasur pretendimin se do bënte histori apo do përfshihej në të. Ndonjë mospërputhje me autorin e nderuar Abrahams, se parrullat i shkroi piktori Gëzim me dorën e majtë apo hidrauliku i Azilit të Pleqve Çezar Petja, sikurse thotë Shefiku dhe minuta e brohoritjes “Poshtë diktatura” gjatë ndeshjes së futbollit, në të 80 – ën apo në të 88 – ën, janë vogëlsira të parëndësishme që humbasin në detin e të vërtetave, sikurse humbën në tingujt rrëqethës dhe plot emocione të këngës – thirrje të rilindasve: O djem rrëmbeni pushkëtë / Ja vdekje, ja liri! Vlerë kanë pohimet e vetë heronjve të atyre ditëve të vrullshme që përputhen me ato që thotë autori Shefik Myftiu dhe që janë përfshirë në pjesën e fundit të këtij libri mbresëlënës. Të këtij libri që na kujton thënien e Cvetan Todorovit te “Abuzimet e memories” se “Jeta ka humbur ndaj vdekjes, por mendja fiton në luftën e saj kundër mohimit.”