Qendra Kombëtare e Kinematografisë prej disa ditësh ka shpallur njoftimin për përzgjedhjen e kandidaturës së filmit shqiptar, në kategorinë “Çmimi për Filmin Artistik Ndërkombëtar” të edicionit të 93 të “Oscars”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë informon se shtëpitë kinematografike shqiptare, që kanë interes për të paraqitur filmin artistik të prodhuar gjatë viteve 2019-2020 për t’u përzgjedhur nga komisioni përzgjedhës i QKK si kandidatura e Shqipërisë në kategorinë “International Feature Film Award”, edicioni i 93-të “Oscars” mund të aplikojnë deri më 16 tetor. Komisioni përzgjedhës përbëhet nga Eduart Makri, kryetar i QKK; Bujar Alimani, regjisor; Agron Domi, producent; Esat Musliu, regjisor; Genc Përmeti, producent dhe aktori Ndriçim Xhepa. QKK, e cila bën me dije se afati i fundit për dorëzimin e kërkesës dhe materialeve shoqëruese do të jetë jo më vonë se data 16 tetor 2020 shprehet se produksioni shqiptar që ka interes duhet të paraqesë në adresën e-mail:info@nationalfilmcenter.gov.al;1-Kërkesë për pjesëmarrje në garën “Çmimi për Filmin Artistik Ndërkombëtar”, të edicionit të 93-të të “Oscars”; 2-Deklaratë që filmi përmbush kriteret e konkurrimit (filmat që janë shfaqur në kinema apo në platformën VOD jo më pak se 7 ditë rresht, që prej datës 1 tetor 2019 deri më 31dhjetor 2020), si dhe materiale të tjera që vlerësohen se ndihmojnë komisionin përzgjedhës për vendimmarrje sa më të drejtë. Ndërsa QKK në Shqipëri deri më datë 16 tetor pret aplikimet, Kosova pak ditë më parë bëri me dije se kandidatura e saj për në “Oscras” është filmi “Exil”, me regji nga Visar Morina.
Në 2019 filmi “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe me skenar të të ndjerit Artan Minarolli, u përzgjodh nga komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscars” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS. Ngjarjet në filmin “Delegacioni”, që ishte një vit më parë kandidatura e Shqipërisë zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa, në Tiranë vjen një delegacion evropian për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë. Kusht ky, që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo, i dënuar me 15 vite burg, është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për pushtetin e kohës, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Ai duhet të bindë delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë.