Home Kosova “Kam dijeni për 3 atentate ndaj meje, nuk kam frikë”, Kurti flet...

“Kam dijeni për 3 atentate ndaj meje, nuk kam frikë”, Kurti flet pas zbulimit të planit për vrasjen e tij

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur rreth atentatit të planifikuar ndaj tij në vitin 2021, i cili u zbulua pak ditë më parë nga rrjedhjet e informacionit në emailet e ish-drejtorit të policisë Gledi Nano.

Kurti tha se ai nuk ndihet i kërcënuar dhe ndjehet i sigurt pasi organet e sigurisë janë ato që vendosin masat. Më tej ai tha se ka qenë në dijeni të planit për tri atentatet por se sipas tij, publikimi i atij plani nuk ndihmon, përkundrazi “ ndihmon ata të cilët e kanë bërë planin, prandaj me të drejtë besoj që kemi vlerësuar që më mirë është që të mos bëhet publike”,

Unë sa jam i sigurt nuk e di, por mund ta konfirmoj se ndihem i sigurt. Ndërkaq sa jam i sigurt vendosin organet e sigurisë të cilët i marrin masat adekuatë. Është e vërtetë që unë kam qenë në dijeni të planit për ato tri atentatet por e keni parë edhe nga informacionet që kanë dalë unë e kam ditur shumë më herët që qëllimi ishte frikësimi i popullësisë, destabilizimi i vendit, andaj kemi vlerësuar që publikimi i atij plani nuk ndihmon, përkundrazi ndihmon ata të cilët e kanë bërë planin, prandaj me të drejtë besoj që kemi vlerësuar që më mirë është që të mos bëhet publike, por çfarë masash merren në vijim edhe karshi planifikuesve të atentateve, edhe tash planifikuesit se di a kanë qenë një a më shumë, dhe sa i përket masave që duhet të merren për institucionet dhe zyrtarët shtetëor janë organet e sigurisë ato që vendosin”, tha Kurti.

Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument i bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Dokumente sekrete nga Policia e Shtetit kanë ‘rrjedhur’ pas sulmit të kryer nga hakerat. Dokumentet kanë zbuluar se është tentuar vrasja e ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Po ashtu janë siguruar informacione edhe për qarkullimin lirshëm të Talo Çelës në Tiranë. Ai ka ardhur dhe ka takuar Ervin Matën, një prej protagonistëve të vrasjes në ish-Bllok, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj dhe u vra miku i këtij të fundit, Fabjan Gaxha. Hetimet kanë dalë në përfundimin se virusi është futur që në muajin qershor në sisteme. Prokuroria bën me dije se është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autoreve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi. Institucionet u kanë bërë apel mediave të mos publikojnë materialet.