Home Kosova Kalon propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, Spanja bie dakord për...

Kalon propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, Spanja bie dakord për janarin e vitit 2024

 Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Radio Evropa e Lirë merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel. Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë. Arsyet e tyre nuk u bënë të qarta. Sipas propozimit të miratuar të martën, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”. Miratimi i këtij propozimi do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën. Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Lidhja me sistemin ETIAS

ETIAS është një sistem digjital që synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën Schengen. Ky sistem është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Republika Çeke doli më pas me propozimin që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e ETIAS-it, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”. Me kërkesën e Spanjës, kjo datë u shty për 1 janar të vitit 2024. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Marrë nga REL

Previous article“Shqipëria humbet shumë nga qytetarët që largohen”, Ditmir Bushati për BBC: Modeli ekonomik shkak për emigrimin, duhet rritur standardi i jetesës
Next articleMiratohet rezoluta, NATO njeh Rusinë si ‘shtet terrorist’, thirrje për krijimin e një Gjykate Speciale