Home Humor Kali dhe Gomari

Kali dhe Gomari

Nga Romeo Kara

Kalonin në një shteg të ngushtë mali,
gomari para ,pas gomarit kali.
Të dy ngarkuar me thasë mirë,
nga vapa të munduar e djersirë.
Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte,
ndaj kalit vitheve me shkop i binte.
Por kali më në fund durimin humbi,
e ngriti bishtin dhe samarin tundi.
Hej mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin,
ti para meje pse ma nxjerr gomarin?
E nga të vete s’di fare unë i ngrati,
kur rrugën ma ka zënë veshgjati.
Përpara nxirrmë mua të mos vuash,
dhe rrih pastaj gomarin sa të duash
Kështu e ka kjo botë e mjerë e marrë,
Përpara nxjerrin veç gomarë.