Home Kulture Kalaja e Prezës, restaurimi jo i lehtë për shkak të shkallës së...

Kalaja e Prezës, restaurimi jo i lehtë për shkak të shkallës së dëmtimit

Kalaja e Prezës iu nënshtrua punimeve restauruese, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit të  2019. Përurimi i restaurimit të kalasë u bë një ditë më parë në praninë e ministres së Kulturës Elva Margariti dhe ambasadores së SHBA në vendin tonë Yuri Kim. Ministrja e Kulturës shprehet se në këtë kala ka qenë një ndërhyrje delikate. “Bashkë me Ambasadoren e SHBA, miken e shqiptarëve, Yuri Kim e miq të tjerë të ftuar, specialistë e studentë përuruam restaurimin e Kalasë së Prezës, dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019. Një ndërhyrje delikate, realizuar falë ndihmës bujare të SHBA, që akordoi për ringritjen e monumenteve të kulturës gjithë Fondin e Ambasadorit për Trashëgiminë, ashtu si nuk kishte ndodhur më parë!”, thuhet nga ministrja Margariti. Sipas ministres së Kulturës, restaurimi i kalasë së Prezës, zbatuar nga CHwB Albania, nuk ishte i lehtë për shkak të shkallës së dëmtimit, por edhe teknikave të ndërtimit të saj, ndaj edhe është bërë një punë skrupuloze. “Jo thjesht për të ringritur kullën apo për të restauruar muret, por për të “shëruar” të gjitha patologjitë e hasura gjatë ekspertizës së monumentit, për ta përforcuar, për ta bërë atë më rezistente ndaj lëkundjeve sizmike, por pa cenuar vetë monumentin”, shprehet më tej Margariti. Sipas ministres së Kulturës, ky përurim përkon me fillimin e “Javës së Kulturës Amerikane”, mbushur me aktivitete të hapura për publikun, që i shërbejnë njohjes së njëri-tjetrit dhe promovimit të kulturave të dy vendeve tona. Ndërhyrjet e realizuara janë përqendruar në kullën e Sahatit, murit rrethues dhe kullën cilindrike nr.3 të kalasë së Prezës. Këto ndërhyrje kanë pasur për qëllim ringritjen e kullës së Sahatit, kullës rrethore dhe përforcimin e strukturës së mureve të kalasë duke treguar respekt ndaj materialit origjinal, morfologjisë dhe ndryshimeve strukturore të ndodhura në kohë në këtë monument kulture.