Home Kulture Kalaja e Lëkursit kalon në administrim të Ministrisë së Kulturës

Kalaja e Lëkursit kalon në administrim të Ministrisë së Kulturës

Me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kalaja e Lëkurësit në Sarandë i ka kaluar për administrim Ministrisë së Kulturës. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë, kalaja me sipërfaqe totale 8211.4 m2, por dhe 7 ndërtesat që ndodhen në këtë kala do i kalojnë nën administrim Ministrisë së Kulturës. Vendimi i qeverisë është marrë me propozim të Ministrisë së Kulturës. “1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës të pronës me emërtimin “Kalaja e Lëkursit”, Sarandë, me numër pasurie 26/144, 26/139, 26/487, zona kadastrale 8642, e llojit “truall”, me sipërfaqe totale 8211.4 (tetë mijë e dyqind e njëmbëdhjetë pikë katër) m2, sipas formularit dhe planrilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi. 2. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës, të ndërtesave nr.1, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7, nr.8, nr.9, sipas planit të rilevimit dhe formularit bashkëlidhur këtij vendimi, që ndodhen në pasurinë e llojit “truall”, me nr.26/144, zona kadastrale 8642”, thuhet në vendim, ku ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e tij. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. Prej vitit 2000 Kalaja e Lëkurësit kishte shërbyer dhe si bar dhe restorant, pasi ishte dhënë me kontratë disa vjeçare nga qeveria e atëhershme, ndërsa gjithashtu mbetej e aksesueshme për të gjithë vizitorët. Mendohet nga historianët të jetë ndërtuar rreth viteve 1537, në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe i lindi si domosdoshmëri kontrolli i Skelës së Sarandës dhe rrugës që lidh me Butrintin. Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970.

Previous articleÇ’po ndodh në tregun valutor? Rriten ndjeshëm monedhat e huaja, ja me sa do të këmbehet euroja sot
Next articleBRICS sfidon Amerikën dhe BE, zgjerohet grupi i fuqishëm, ja pse ekuilibri botëror do të ndryshojë përfundimisht