Nga Kristo Mertiri
Një episod jo shumë i mocëm që u kthye në anekdotë, vazhdon të tregohet sot e kësaj dite në rrethinat e Kolonjës ku me qesëndinë e tyre “të varin në qese të duhanit”. Dy miq të mi nga Leskoviku e rrëfyen duke qeshur e tallur te Brryli, pasi dëgjuan nga ekrani intervistën “drithëronjëse” të patriotit që nuk u bë kurrë Ambasador, duke mashtruar trashë disa televizione të papërgjegjshëm e cyrykë me emisionet e tyre limonadë : “Një ditë prej ditësh Hasan Qinani e takoi në rrugë Xhafer Ypin (një nga qeveritarët që firmosi arrestimin, burgosjen e internimin në guroren skëterrë të Shëngjinit, të babait tim në Maj të 1939-ës, pas protestës së parë punëtore antifashiste te Ura e Bëncës në Tepelenë). Në bisedë e sipër, Hasani i tha: -Ne, Xhafer bej, s’jemi mirë. –Pse, more Hasan ?
-Po ja, bre Xhafer bej, ne na kanë lënë Pandelinë dhe jo Naim Frashërin.
-Si, ore, Naim Frashërin jo ?
Hasani pa e prishur terezinë, i thotë:-Po xhaxha Pandeliu dhe pse rri në hamam, megjithatë është kryeministër”.
Fjala ngiste fjalën. Ai udhëheqës i partisë me emrin më të ri në Shqipërizën tonë me bollëk particka që nuk janë të sigurta as me emrat dhe numrat e listës së dorëzuar në Gjykatë gjatë ditëve të themelimit, thonë se nuk del në mexhlis pa bërë banjë allaturka (në hamamin e nxehtë në Tiranë, jo në llixhat e Sarandoporit ku janë sulur ca skifterë privatizimesh në vreshta që nga Tirana etj.). Por fshatarët e thërrisnin edhe nevojtore, pas një shqipërimi të saktë. Atë rit nuk e ndryshon ende, sidomos para se të bëjë deklarera në median elektronike të shapravitur. Shkumoset me furcë e shkumë “perëndimore” në mjekër e faqe, megjithse është qose (meshkujt që nuk kanë qime, jo ajo figura adhuruese e përrallave popullore). Kollariset dhe përpiqet mundimshëm të trashë zërin para publikut shikues e dëgjues. Tamam si në mesditën e 23 janarit. Sipas definicioneve të tij inxhinierike, diplomatike e politike, 27 shtetet e Bashkimit Europian nuk i zë gjumi e po vuajnë nga anoreksia akute pas deklareve kritike të Edi Ramës (?!). Dhe jep alarmin (jo me pisqollë e as me topa nga Melesini maja-maja) për shtimin e zemërimit të papërmbajtur europian dhe “kërcënimin e Holandës” sedërqare. Pasi zbulon me dhimbje atdhetare “mbrojtjen e Vucicit” nga Kryeministri, brengoset e nakatoset pa u telikosur te lufta në Ukrainë !
Më tej, duke shtrirë herë pas here gjuhën e kollares nga qafa deri në gjunjë, ia fut si kau pelës aq sa tromakset, zverdhet në fytyrë, psherëtin e rënkon nga “vazhdimësia dhe përkrahja që vjen nga Soros”. Sipas atij “diplomati” surrogato të akshamit që kujton se e përvetëson mirë këtë profesion të nderuar edhe duke vegjetuar e jargëzuar pak kohë në Amerikë (pa punuar asnjë ditë në ministrinë përkatëse në Tiranë), mund të lëshosh popla e dokrra pa doganë. Po të mos ishte nepotizmi historik në emërime e gradime yrrja-byrrja krejt të papërgjegjshme (për të cilin protestoi ashpër edhe poeti i ndjerë Fatos Arapi dhe nuk e përfilli asnjë politikan e pushtetar), ky njeri plastelinë që e mban veten kolonjar e leskoviqar dhe nuk di se nga bie Kolonja, me siguri do të ishte një inxhinier a teknik i rëndomtë në kapitalizëm. Lerë e rritur në pupla e me shërbëtore te koka, në vila e orgjira dhe pa e lëvizur prapanicën nga veturat shtetërore të sekretarëve të Parë në rrethe. Me rrënjë të forta në Bllokun e djeshëm e të sotëm, kërkon të shesë dëngla e vëngla në emër të popullit nga ekrani në ekran dhe në faqe gazetash pa asnjë filtër profesional e qytetar. Dhe një fjali tërkuzë e ka 15 rradhë në letër ! Por në 23 janar e ngriti më lart piacën mediokre e qesharake. Foli pa pikë lyre dhe plot megalomani e fodullëk: “Kjo është e papranueshme për kombin shqiptar”(më në fund, edhe në emër të kombit ?!).
Vetë Ismail Qemali do të rrënqethej e dridhej si purteka po të dëgjonte këtë llafollog bosh e të padurueshëm, pa kurrfarë shtylle kurrizore. Dhe nuk janë thjesht qëndrime amatoreske, delirante e humoreske në fushën e Diplomacisë Politike partiake. Sepse të tillë kokoshë të përgjumur nuk këndojnë vetëm herët në mëngjes, por i bien tamburasë (pa kabatë e famshme të Leskovikut) orë pas ore nëpër ekranet që e presin si ujët e pakët. Dhe kërcejnë e fluturojnë gardh më gardh(deri tani në 3 forca politike) dhe as që kujtohet se po gjezdise hu më hu, një ditë njëri të bën hatanë ! Dhe e gënjen vetja kur mendon në ekstazë se do e dëgjojë OKB-ja fyellin vrimandryshkur të tij. Me një fjalor tepër varfanjak na prezantohet si “Ambasador” sipëror nëpër tezgat erërënda të paneleve televizive, duke e shitur shkumën për ajkë. U sfilit për të bërë bujë e zhurmë kuturu me slogane e nallane hamami nga “tregjet e gabit”, sa për beriha e pas berihasë. Madje, dikush na tha se i paska vënë syrin kolltukut të ministrit të Jashtëm (!), megjithse pleqëria e ka dongëdisur e telendisur pa mëshirë. Përshembull, befas pasi një koleg përdori në titull fjalën “Karma”, ky qerrata i qorollepsur u ul e studio me orë të tëra sanskritishten dhe të martën e “ftilloi” publikun e “etur” me kopjime e sqarime ekskluzive(?).
-Të lutem, më dëgjo pak, miku ynë ! Këta janë nga ai takëm që vajtën për jonxhë e nuk hëngrën tamam as bar. Prandaj u ngrit ajo bejtja aq shumë e njohur, që u kthye edhe në këngë satirike. Të ish gjallë penëarti Faik Konica i asaj nahije bukurishumë e lavdimadhe, me siguri do e ngjyente penën në shishen me bojë sarkastike të papërsëritshme. Se këtij “diplomati” mashtrues i mjaftojnë tymueset që hidheshin dikur nga tunelet ushtarake mbrojtëse të Postenanit…Kush ka shkuar te berberët e Leskovikut, nuk besoj të ketë shpëtuar pa dëgjuar urtësinë “s’ka fis pa një pis”.
Kujtoj një mikun tim kallajxhi që punoi vite të tëra te Ura e Limuthit në Tiranë, kur na thoshte shpesh sa herë vinte në redaksinë e gazetës “Bashkimi” : -Mos u besoni kurrë atyre që kalojnë me kallaj e profka mbi gunë ! Sepse ata e kanë kallajisur me kohë fytyrën…Vecse jo të gjithë leskoviqarët bien erë kolonjë (tretësirë me alkool e me erë të mirë, që përdoret zakonisht pas rrojës). Dikur këtë fat e kishin vetëm kurbetlinjtë e qytetëruar. Por jo nënkryetari i partisë më fringo në Shqipëri, një gjitholog e manekin i regjur vitrinash politike të ditës. Nuk e dimë ende ditën e lindjes së tij si “opozitar” dhe “analist” kokëkrisur e sygremisur. Pyesim manekinët e tregut të lirë, por ata nuk pipëtijnë. Vallë, nga malli apo nga halli ?! Përgjigjen më të bukur e ka dhënë 39 vite më parë miku im i cmuar, Iliriani, “poet i vërtetë e dinjitoz”-sic e quante Dritëroi i pavdekshëm. Lexojeni vetë, po të doni bashkë me leskoviqarin rrënjëdalë që nuk ka rënë dhe as bie erë kolonjë, poezinë “MANEKINËT”: “Rrimë në vitrinë…/ Na veshin, na zhveshin, na fshijnë./ Ne presim të qetë dhe heshtim,/ Se jemi manekinë./ Vrapojnë në rrugë nga shiu/ Këmbë burrash, grash dhe fëmijësh,/ Ne s’lagemi kurrë…(Mjerë njeriu/ Që s’njeh qetësi manekinësh !)/ Shkojmë andej nga na thonë,/ Qëndrojmë ashtu si na vënë,/ Buzëqeshim, përherë pozojmë;/ Përballë, profil, me një këmbë./ Dhe s’nxehemi kurrë, s’bërtasim,/ Sikur bota të kthehet përmbys,/ Mjafton të na veshin e mbathin,/ Që ne të pozojmë sërish”. Portret më të arrirë se ky, nuk besoj se gjen !…