Home Kulture Jeta artistike e Marie Logorecit përmes fotografive në MHK, regjisorët: Artiste e...

Jeta artistike e Marie Logorecit përmes fotografive në MHK, regjisorët: Artiste e paarritshme në rolet e saj

Jeta artistike e aktores Marie Logoreci, “Nderi i Kombit”, vjen përmes fotografive në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita në MHK vjen në 100-vjetorin e lindjes së Marie Logorecit, ku publiku mund të gjej përmes fotove role dhe momente të veçanta të jetës së aktores. Ekspozita në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar është e organizuar nga i biri i aktores Pjerin Logoreci, i cili për shkak të pandemisë nuk mundi dot të ishte dhe vetë i pranishëm në hapjen e saj. Marie Logoreci është një nga emrat ikonë të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Në jetën e saj artistike ajo shkëlqeu në çdo rol, duke merituar një vend nderi në filmin dhe teatrin shqiptar. Me dhjetëra role në kinematografi dhe në skenën teatrore kanë mbetur të pavdekshëm për publikun shqiptar. Regjisori Kristaq Mitro thotë se aktorja me interpretimet e roleve të saj sundoi si zonjë në skenë. “Logoreci ka qenë një dhe vetëm një. Kurdoherë e përsosur, çdo gjë Logoreci do ta ketë të menduar mirë, të kombinuar me të njëjtën forcë dhe më të njëjtën vërtetësi. Është natyra ajo që i ka dhënë Marie Logorecit cilësitë e mrekullueshme të zërit, pamjen, gjykimin e shëndoshë, mendjemprehtësinë, ndjeshmërinë. Në lojën e saj nuk do te gjendet asgjë për t’u qortuar, por vetëm për t’u lavdëruar. Marie Logoreci me interpretimet e roleve na sundoi jo si një aktore e rrëmbyer, por si një zonjë në skenë që zotëronte vetveten, si një vëzhguese e madhe e asaj çfarë ndodhte në rrethanat dramatike. Këto ishin të fshehtat e kësaj aktore të madhe”, pohon Mitro. Edhe regjisori Nikolin Gurakuqi vlerëson gjithashtu kontributin e aktores së madhe Marie Logoreci, në filmin dhe teatrin shqiptar. “Artiste e madhe, e paarritshme në rolet e saj. E kam parë tek Lokja, e paarritshme”, pohon regjisori Nikolin Gurakuqi për këtë aktore të madhe.

Fotografi familjare dhe nga arkivi i institucioneve

I biri i aktores Pjerin Logoreci shprehet se është një ekspozitë që përmban jo vetëm foto të familjes, por dhe tjera që janë pjesë e arkivit të institucioneve. “Jam munduar të krijoj këtë ekspozitë me foto të familjes si dhe foto të tjera që, sigurisht janë në arkivin e familjes, por që janë foto të arkivit të Teatrit Kombëtar si dhe arkivit të Kinostudios. Isha përgatitur për diçka më serioze se ishte një eveniment i rëndësishëm 100 -vjetori i lindjes. Do të bëhej një aktivitet me këtë rast, por për shkak të kufizimeve të pandemisë nuk u bë e mundur, që të realizohej. Më vjen keq që jo vetëm 100 -vjetori i Maries, por edhe 100 -vjetori i lindjes së Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, që ishin këtë vit kaluan fatkeqësisht në heshtje”, pohon i biri i aktores. Marie Logoreci (23 shtator 1920- 19 qershor 1988) “Nderi i Kombit” dhe “Artiste e Popullit” aktore e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek “Skënderbeu” , më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër “Fëmijët e saj”, më pas në filmin e parë shqiptar “Tana”, etj, ku në 1964 luan Loken te filmi “Toka jonë”. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare. Marie e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndojë në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit. Një sërë rolesh të tjerë të suksesshëm janë: Gertruda te “Hamleti”, Ledi Milford te “Intrigë dhe dashuri”, Zabelina te “Orët e Kremlinit”, Mara te “Përkolgjinajt”, Prenda te “Cuca e maleve”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, etj. Ekspozita fotografike më rastin e 100- vjetorit të lindjes së aktores Marie Logoreci do të qëndrojë në muze deri më datë 2 tetor.

SOURCEbulevard news
Previous articleA ka pasur presion mbi Prokurorin e Përgjithshëm? Flet Olsian Çela
Next articleMoti i keq ‘mbërthen’ vendin, meteorologët bëjnë thirrje për kujdes, ja çfarë duhet të shmangin qytetarët