Home Intervista “Jam gati të shkoj në zgjedhje me Ramën”, Basha reagon mbi deklaratat...

“Jam gati të shkoj në zgjedhje me Ramën”, Basha reagon mbi deklaratat e kryetares së LSI: Nuk ka nevojë ta lexoj fare Kryemadhin, ka një dokument!

I ftuar në emisionin “Kjo javë”, kreu i PD-së, Lulzim Basha komentoi deklaratën e Monika Kryemadhit se është e gatshme të shkojë në zgjedhje me Ramën. Basha tha se pavarësisht qëndrimeve online, ai dhe Kryemadhi kanë firmosur një dokument në lidhje me qëndrimin politik.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Zoti Basha do t’ju drejtoj një pyetje, por ju lutem një përgjigje shumë të drejtpërdrejtë, sepse është në fakt ajo që të gjithë edhe kuriozohen: Është kryetarja e LSI, zonja Kryemadhi, e cila artikulon qartë se “nuk e ka problem dialogun apo zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër”, ndërkohë që për ju ky vazhdon të jetë, apo jo, kushti i panegociueshëm  se “nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. A hyn zoti Lulzim Basha në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër?

Lulzim Basha: Detyra ime si kryetar i opozitës të garantoj që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Të pafrikësuar se nesër ata apo kushërinjtë apo familjarët e tyre mund të humbin vendet e punës, nëse nuk votojnë për partinë në pushtet. Që të arrijnë në qendrat e votimit pa i ndaluar policia me postblloqe, siç ndodhi, siç e dëgjoi gjithë bota, në zgjedhjet e 2016-ës. Që mediat të jenë të lira e të japin një raportim të balancuar, mos të jenë të kërcënuara, të blera apo të shantazhuara nga kryeministri. Opozita e bashkuar ka një platformë për ta arritur këtë dhe pjesë e kësaj padyshim është vullneti politik. Ne kemi propozuar një zgjidhje, një qeveri tranzitore që garanton zbatimin e rregullave ekzistuese dhe çfarëdo rregullash shtesë mund të nevojiten sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Pyetje: Ju si kryetar i opozitës, si e lexoni Monika Kryemadhin, kur thotë që ulem me Ramën…?

Lulzim Basha: Nuk ka nevojë ta lexoj fare zonjën Kryemadhi dhe asnjë nga aleatët, sepse opozita e bashkuar ka një dokument politik të miratuar nga forumet më të larta, i cili përbën qëndrimin zyrtar të opozitës.

Pyetje: Pra nuk ka ndryshim nga ana e LSI-së?

Lulzim Basha: Siç jua ka konfirmuar edhe kryetarja e LSI, nuk ka asnjë ndryshim.

Pyetje: Po kjo është e artikuluar qartë se “ne shkojmë me Edi Ramën kryeministër…”?

Lulzim Basha: Edhe njëherë po ju them. Ka një dokument politik i cili përcakton rrugën se si shkohet drejt zgjedhjeve. Ky është propozimi ynë. A shkohet në zgjedhje, a ka garanci se një njeri që u provua 3 herë që vjedh votat edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë, që angazhon krimin edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! Që kandidon persona me rekorde kriminale edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! Që shantazhon administratën edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! A mund të garantojë një proces zgjedhor me rregullat ekzistuese apo të ndryshuara? Përgjigja e opozitës së bashkuar është: Jo. Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është pozicioni politik i opozitës.

/Bulevard News/