Home Sport Jakupi: Dua të vazhdoj me Teutën edhe sezonin tjetër

Jakupi: Dua të vazhdoj me Teutën edhe sezonin tjetër

akil jakupiTe Teuta të shumtë janë lojtarët që u ka përfunduar kontrata dhe pritet që ditët në vijim ata të takohen me drejtuesit për të vendosur për të ardhmen e tyre. Një prej tyre është edhe mbrojtësi Akil Jakupi, i cili ka shprehur dëshirën për të qenë edhe vitin e ardhshëm pjesë e kësaj skuadre. “Luaj prej disa sezonesh në Durrës dhe ndihem shumë mirë këtu. Jam vlerësuar për atë që kam dhënë në fushën e lojës, çka më bën të ndihem vërtet mirë. Kështu, dëshiroj të vazhdoj aventurën me Teutën. Gjithsesi, kjo do të vendoset ditët në vijim. Do të ulem me presidentin për të folur mbi të ardhmen time, të cilën e shikoj në Durrës. Pavarësisht ofertave, unë do t’i jap përparësi Teutës”. Duke vijuar më tej, mbrojtësi pohon se dëshiron të udhëtojë së bashku me skuadrën në rrugën e vështirë që ka nisur drejt Europa Ligës. “Falë paraqitjes së mirë që kemi bërë gjatë këtij kampionati arritëm të siguronim një biletë për në Europa Ligë. Por, deri këtu kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës, pasi duhet edhe shumë punë për të arritur atje ku dëshirojmë. Nuk jemi njohur ende me kundërshtarin me të cilin do të përballemi, por gjithsesi objektivi ynë është të kalojmë të paktën një tur. Ne do të përpiqemi të mos përsërisim gabimin që bëmë një sezon më parë, kur u larguam në mënyrën më të keqe të mundshme nga ky kompeticion. Kemi besim se kësaj radhe do të jetë ndryshe, pasi kemi një skuadër më të fortë dhe më me eksperiencë në arenat ndërkombëtare”.

Previous articleFutboll të rinjtë/Teuta vetëm fitore në javën e parafundit të kampionatit
Next articleTeuta kampione në fair play